Pas më shumë se 4 viteve mbretërim, Spanja zbret nga froni i vendit të parë në renditjen e përgjithshme të FIFA-s, duke ia dorëzuar Gjermanisë që fiton kështu një pozicion. Me 1724 pikë, kombëtarja e drejtuar nga Joachim Low lë pas Argjentinën që e ndjek me 1606 dhe Holandën me 1496. Një renditje logjike e bazuar tërësisht në rezultatet e arritura nga këto tre skuadra në Kupën e Botës. Surprizën e bën Kolumbia që ngjitet në vendin e katërt duke fituar plot 4 pozicione, ndërsa Belgjika është skuadra që ka fituar më shumë pozicione në dhjetëshen e parë pasi mban vendin e 5-të me 6 shkallë të ngjitura. Rrëzimi i Spanjës pasqyrohet edhe në renditje pasi djemtë e Del Bosques rrëshqasin në pozicionin e tetë, ndërsa Brazili renditet përpara tyre. Bie në sy edhe renditja e Italisë në vendin e 14-të ku e paraprijnë edhe skuadra si Greqia apo Kili e Portugalia. Ndërkohë, Shqipëria rrëshqet një pozicion. Kombëtarja kuqezi që disa javë më parë regjistroi dy humbje dhe një fitore në miqësoret me Rumaninë, Hungarinë dhe San Marinon, zbret në vendin e 67-të, me 444 pikë në total nga 494 që numëronte rreth një muaj më parë. Dy disfata që mesa duket rëndojnë në prestigjin e kombëtares së De Biasit por që gjithsesi kanë thjesht vlerë statistikore në kuadër të përgatitjeve për eliminatoret. Përsa u përket kundërshtarëve të grupit eliminator, Armenia mban vendin e 41-të, ndërsa Serbia të 31-in.