Një nga treguesit kryesor të mos realizimit të të ardhurave dhe thellimit të deficitit buxhetor është mos realizimi të ardhurave nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar. Kështu të ardhurat totale në buxhet për 6 mujorin 2013 kanë shënuar një rënie me baze vjetore prej gati 3 për qind, sipas statistikave paraprake të publikuara nga Ministria e Financave, duke rezultuar në 156.8 miliardë lekë, nga 166.2 miliardë lekë, që ishte plani, pra rreth 5.6 për qind, apo 10 miliardë lekë më pak se plani. Ka qenë ecuria e dobët e të ardhurave nga TVSH, që është një tregues direkt i qarkullimit në ekonomi, ai që ka dhënë efektin kryesore në këtë performancë negative. Sipas të dhënave nga financat, të ardhurat nga TVSH në fund të qershorit u ulën me 7.4 për qind me bazë vjetore, në 50.7 miliardë lekë, nga 57.7 miliardë lekë që ishte plani, duke kontribuar kështu në gati 70 për qind të mosrealizimit të planit të të ardhurave. Të ardhurat nga TVSH-ja kanë një ndikim të madh në performancën buxhetore, pasi ato përbëjnë mbi 30 për qind të totalit të të ardhurave buxhetore dhe gati 40 për qind të totalit të të hyrave nga tatimet e doganat. Përveç ritmeve të dobëta të rritjes së ekonomisë, që në tremujorin e parë u zgjerua me vetëm 1.7 për qind, ulja e TVSH-së për makineritë e pajisjet, vendim i marrë nga demokratët, vlerësohet të ketë ndikuar në rënien e të ardhurave nga TVSH. Në rënie ka qenë dhe zëri i dytë më i rëndësishëm në buxhet, ai i të ardhurave nga akciza, që arriti në 16.6 miliardë lekë, me një tkurrje prej 2.7 për qind me bazë vjetore. Tkurrja, ndonëse me ritme më të ulëta se viti i kaluar, ka vijuar edhe për të ardhurat nga tatim fitimi, që zbritën me 3.6 për qind në 8.47 miliardë lekë. I vetmi zë në rritje është tatimi mbi të ardhurat personale, që u zgjerua me 7.6 për qind në 14 miliardë lekë. Nga të ardhurat jo tatimore, të hyrat nga sigurimet kanë qëndruar thuajse në vend, ndërkohë që ka pasur një rritje të transferimit të fitimit nga Banka e Shqipërisë prej gati 40 për qind, në 3.9 miliardë lekë.