Agjencia e njohur Reuters shkruan se në Shqipëri, qeveria në largim ka vendosur që të rrisë pagat të mërkurën pavarësisht rënies së të ardhurave dhe borxhit publik në rritje, duke shpërfillur kështu thirrjet e Bankës Botërore dhe Bankës së Shqipërisë për masa më të rrepta fiskale.
“Duke mbajtur një premtim të bërë përpara se të humbiste zgjedhjet e qershorit, Berisha doli kundër deklaratave të Ministrisë së Financave që raportoi tre javë më parë se nuk ka më para.
Berisha pranoi se qeveria e re e socialistëve do të duhet të rishikojë buxhetin, por i ka të gjitha mundësitë që të shkurtojë të tjera shpenzime, por të mos prekë pagat dhe pensionet.
Menjëherë pasi socialistët fituan, guvernatori i Bankës Qendrore, Ardian Fullani tha se shpenzimet e qeverisë përpara fushatës përbëjnë rrezik për stabilitetin ekonomik.
Në pesë muajt e parë të vitit, shpenzimet publike u rritën me 13.3 përqind, ndërkohë që të ardhurat ranë me 0.2 përqind. Në të njëjtën periudhë, buxheti tregoi një deficit prej 38.5 miliard lek, 1.1 herë më të lartë se një vit më parë,” shkruan Reuters duke theksuar se rritja e pagave do i kushtojë buxhetit 23.3 milion dollarë