Akademiku Rexhep Qosja komenton vendimin e djeshëm të gjykatës për të akuzuarit e “21 janarit”. Në një intervistë për Gazetën Shqiptare, Qosja shprehet se vendimi tregoi se gjyqësori shqiptar është një gjyqësor stalinist.
“Shpalljen të pafajshëm të vrasësve të katër protestuesve në protestën e 21 janarit prej Gardës Kombëtare e përjetova si vrasje të tyre të dytë, po aq kriminale sa vrasja e tyre e parë. Ky vendim i Gjykatës së Tiranës tregon qartë se gjyqësori shqiptar është gjyqësor stalinist, i cili mendon, gjykon dhe burgos siç mendohej, gjykohej e burgosej në gjyqet staliniste”, thotë Qosja për GSH.
I pyetur në lidhje me qëndrimin e prerë të Berishës për të mos komentuar vendimin, Qosja shprehet: “Kryeministri i Shqipërisë nuk e ka adet t’i komentojë krimet e tij: Nuk i ka komentuar dhe nuk i komenton në asnjë fushë të jetës kombëtare”.
Qosja bën krahasimin mes ngjarjeve të 21 janarit 2011 dhe një rasti të ngjashëm në Prishtinë, kur policia nuk i rrezikoi protestuesit, as kur hynë në oborrin e qeverisë.
“ E dëgjuat ç’tha njëri nga gjykatësit, ndoshta kryetari? Garda Kombëtare, tha ai, ka mbrojtur qeverinë! Qeverinë që s’e rrezikonte kush? E dëgjuat çka tha një gjykatës a avokat? Gjykata jonë, tha ai, mori vendim në nivelin e vendimeve për çështje të njëjta të gjykatave evropiane! Kjo mendje katërkëmbëshe gënjen poshtër. Gardistët evropianë nuk i vrasin protestuesit as kur hyjnë në ndërtesën e qeverisë, e lëre më kur protestojnë rreth saj. Shembuj të tillë po shohim përditë në Evropë, por para një kohe edhe në Prishtinë. Policia kosovare nuk i rrezikoi protestuesit as kur hynë në oborrin e qeverisë”, thotë akademiku i njohur.
* * *
Qosja: Sloganet e Berishës, togfjalësha mashtrues
“Sloganet e Berishës janë togfjalësha mashtrues. Nuk kam besim se qeveria aktuale në Shqipëri mund të mbajë zgjedhje të lira e të ndershme”. Kështu shprehet akademiku kosovar, Rexhep Qosja, në intervistën për Gazetën Shqiptare. Duke komentuar sloganin e PD-së në zgjedhjet e fundit, Qosja thotë se togfjalëshi Shqipëria po ndryshon është edhe një mashtrim në përmbledhjen e madhe mijëra faqesh të rrenave dhe mashtrimeve që bën Sali Berisha në jetën politike shqiptare tani e njëzet e dy vjet.
“Togfjalëshi Shqipëria po ndryshon, që është bërë slogan i fushatave zgjedhore dhe në përgjithësi politike të kryeministrit të sotëm të Shqipërisë, Sali Berisha, është një togfjalësh tautologjik. E kjo tautologjik në rastin konkret do të thotë thjesht mashtrues. Togfjalëshi Shqipëria po ndryshon është edhe një mashtrim në përmbledhjen e madhe mijëra faqesh të rrenave dhe mashtrimeve që bën Sali Berisha në jetën politike shqiptare tani e njëzet e dy vjet! Por po ta pranojmë këtë slogan si të vërtetë do të shtrojmë pyetjen: si po e ndryshon Shqipërinë qeveria e Sali Berishës? Përgjigjen në këtë pyetje e japin emisionet e jashtëzakonshme “Shqipëria tjetër”. Dhe, emisioni për fshatin afrikanisht të varfër Peza afër Tiranës. Dhe, emisioni për lagjen skëterrore të romëve në Gjirokastër; dhe emisionet për një varg lagjesh, fshatrash, shkollash, rrugësh, familjesh në Shqipëri. Viti në të cilin kemi hyrë do të duhej të jetë vit i rilindjes shqiptare e kur them i rilindjes mendoj edhe i pastrimit të njëmendësisë politike e shoqërore dhe historisë shqiptare prej pasojave të despotizmit të Sali Berishës.
Po, me këtë rast nuk mund të mos e përgëzoj Partinë Socialiste dhe Aleancën Kuqezi për gjithë ato përpjekje të faktuara që po bëjnë për t’i bërë plotësisht të dukshme, sado me vonesë, pasojat e politikës së tij”, shprehet Qosja për Gazetën Shqiptare.
Ndërsa në lidhje me zgjedhjet e ardhshme, akademiku i njohur kosovar shprehet skeptik.
“Jo, jo, nuk kam besim, asnjë çast nuk kam besim se qeveria e sotme mund të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Zgjedhje të ndershme sikur nuk bën të mundshme as Kodi ekzistues zgjedhor. Në Shqipëri, deri në këtë ditë kur po i përgjigjem kësaj pyetjeje tuaj, nuk kemi pasur zgjedhje të lira e të ndershme, prandaj duhet të jesh naiv e të besosh se do të kemi më 23 qershor të këtij viti. Qeveria e sotme, e kryesuar prej një njeriu që aq agresivisht po e përdor dhe shpërdor politikën, që aq hapur dhe aq agresivisht po e përdor dhe po e keqpërdor demokracinë, që aq agresivisht ka ditur t’i keqpërdorë edhe zgjedhjet herët e kaluara, nuk mund të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Si mund të organizojë zgjedhje të lira e të ndershme një qeveri që e kryeministron, siç e quajnë në Shqipëri, stalinisti i fundit në Evropë? Unë kam drojë që Sali Berisha, në qoftë se sheh se po i humb zgjedhjet – e të gjitha të dhënat që pranon mendja e shëndoshë tregojnë se do t’i humbë – mund t’i sjellë farë tragjedie të re Shqipërisë! Agresiviteti që tashmë po e shpreh tregon për rrezikun që ai përfaqëson në zgjedhjet e 23 qershorit”, thotë Qosja.
Rexhep Qosja: Linda Rama e fisme, fundosi politikën e rrenave të Berishës
Kryeministri Sali Berisha vendosi të vriste shpirtërisht e moralisht Linda Ramën! Dhe vendosi ta vriste thjesht pse është gruaja e atij, që në pozitën e Kryeministrit të Shqipërisë frikësohet se do të vijë menjëherë mbasi të dëbohet ai prej pushtetit shqiptar”. Me këto fjali i komenton akademiku Rexhep Qosja, akuzat që Partia Demokratike dhe vetë Kryeministri shqiptar hodhën ndaj bashkëshortes së shefit të opozitës, Edi Rama. Ndërsa kritikon përfshirjen në debatin politik të Tiranës emrin e zonjës Rama, profesori shprehet se nuk mund t’u përgjigjesh në këtë mënyrë kritikave për korrupsionin kolosal, për grabitjet, për plaçkitjet që po i bëhen Shqipërisë nën despotizmin mesjetar oriental të kryeministrit.
Në pjesën e dytë të intervistës për “Gazeta Shqiptare”, akademiku flet për lëvizjet më të fundit në politikën shqiptare, pritshmëritë mbi kufijtë detarë me Greqinë, mundësia e një lige e përbashkët futbolli, si do zgjidhet problemi i Preshevës, Kosovës Lindore e Maqedonisë, pa harruar detyrat që i dalin para sot kryeprokurorit Adriatik Llalla.
LINDA RAMA
Dhe si të mos e konsideroj interes kombëtar largimin e Berishës prej politikës shqiptare? E dëgjuat ç’tha Organizata Ndërkombëtare “Fridom Haus”? Ajo tha: Shqipëria (Kosova dhe Maqedonia) janë të vetmet tri vende në Ballkan dhe, natyrisht, në Evropë gjysmë të lira. Të lira, edhe Mali i Zi, edhe Bosnja e Hercegovina, edhe Serbia, por Shqipëria gjysmë e lirë, gjysmë e lirë, sepse e sundon stalinisti i fundit në Evropë! E dëgjuat ç’tha Banka Botërore? Ajo tha: Rritja ekonomike e Shqipërisë në vitin 2012 është 0.5 për qind. E dëgjoni si gënjen Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, kur flet për zhvillimin e ekonomik të Shqipërisë? Ai thotë: Shqipëria ka shënuar rritje ekonomike më të madhe se Gjermania, Franca, Britania e Madhe. Dhe këtë rritje ekonomike e ka shënuar falë modelit ekonomik që ka shpikur ai! A po dëgjoni çka thonë ekonomistët në Shqipëri? Ata po thonë se Sali Berisha do t’i lërë fëmijët tanë në borxhe, të cilat për shumë dhjetëvjetësha nuk do të arrijnë t’i paguajnë! A po dëgjoni si përgjigjet Kryeministri i Shqipërisë? Ai përgjigjet: Gjithë Shqipëria është digjitalizuar prej Vermoshit e në Konispol! A po dëgjoni se ç’thonë emisionet e disa televizioneve shqiptare? Ato thonë se gjysma e shqiptarëve jetojnë ashtu siç jetojnë fshatarët e fshatit Pezë afër Tiranës, që tronditi të gjithë ata që e shikuan? A po shihni se si u përgjigjet kryeministri Sali Berisha këtyre pamjeve rrënqethëse? U përgjigjet duke thënë se i pëlqejnë pjeshkat! A e shikuat dhe a e dëgjuat ç’bëri e ç’tha kur i dëgjoi kritikat për korrupsionin kolosal, për grabitjet, për plaçkitjet, që po i bëhen Shqipërisë nën despotizmin e tij mesjetar oriental? A e vërejtët dhe a e dëgjuat kë vendosi të vriste shpirtërisht e moralisht me përgjigjet e tij? Vendosi të vriste kënd se: Linda Ramën! Dhe vendosi ta vriste thjesht pse është gruaja e atij që në pozitën e Kryeministrit të Shqipërisë frikësohet se, do të vijë menjëherë mbasi të dëbohet ai prej pushtetit shqiptar. A e shikuat dhe a e dëgjuat sa e si gënjeu? A e dëgjuat çka krejt shpifi për atë zonjë të fisme, të lindur dhe rritur në familje tiranase të fisme? Nuk u mjaftua që me të dhe me të shoqin e saj, Edi Ramën, të qëronte hesape vetëm ai me familjarët e vet, por angazhoi edhe nënbishtërinjtë e tij të të dy gjinive. I dëgjuat shtatë shpifjet dhe shtatë gënjeshtrat fundbotshëm të poshtra, që në emrin e Partisë Demokratike i shqiptuan para mediave shqiptare këta nënbishtërinjë të tij të të dy gjinive? A e shikuat dhe a e dëgjuat zonjën Linda Rama se si ngadalë, qetë, qëndrueshëm, mençur, zemërgjerë, pa pezmin dhe pa mendjeerrësirën e rroktarëve e rroktareshave të kryeministrit, me argumente dhe vetëm me argumente, e fundosi politikën e shpifjeve, politikën e rrenave, politikën e ndotjeve me të cilën Kryeministri shqiptar po rrënon vlerat e përtashësisë dhe të historisë shqiptare! Historia s’e ka shënuar emrin e ndonjë shqiptari që ashtu, me aq shpifje, gënjeshtra, urrejtje, ndotje e ka ndotur jetën dhe historinë e shoqërisë shqiptare deri sot.
A është e mundshme që populli shqiptar, kodeksi etik i të cilit me shekuj çmohej e adhurohej prej të gjithë popujve që e njihnin, tani e njëzet e dy vjet po lejon që një njeri si ky, si kryeministri i sotëm Sali Berisha, si ky gënjeshtar i pa skrupuj moralë, i pakarakter, i papërgjegjësi, të hallakatet ashtu egër siç po hallakatet duke përbaltur e rrënuar vlera e merita në shtetin shqiptar – në Shqipërinë shtetërore! A janë duke menduar qytetarët shqiptarë se atdheu i tyre, Shqipëria, do të mund të bëhet shtet normal, evropianisht normal, shtet sadopak etik, sadopak i përgjegjshëm ndaj vetes dhe ndaj vlerave kombëtare e njerëzore, vetëm mbasi kryeministrin e sotëm ta dëbojnë prej politikës shqiptare: ta dëbojnë me zgjedhjet e sivjetme.
KUFIJTË DETARË
Greqia do të bëjë deklarim të njëanshëm në OKB për kufijtë detarë. Si duhet të veprojë Shqipëria në këtë rast?
Kërcënimi i shtetit grek se do të bëjë deklarim të njëanshëm në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për kufijtë detarë është një çështje serioze. Greqia tani e di se në ujërat detarë, që nuk janë nën sovranitetin e saj, ka pasuri të mëdha të naftës e të gazit, prandaj prej asaj pasurie të madhe nxitet të bëjë deklarime të tilla, në thelbin e vet shqetësuese për shtetet që kanë dalje në ato ujëra. Të shpresojmë se ai deklarim i njëanshëm i Greqisë për kufijtë detarë do të frenohet në OKB-n. Shqipëria me diplomacinë dhe me politikën e saj do të duhej t’i jepte argumente Organizatës së Kombeve të Bashkuara që ta frenojë deklarimin e njëanshëm të shtetit grek për kufijtë. E në qoftë se, megjithatë, Greqia e bën atë deklarim të njëanshëm, Shqipërisë do t’i dalin disa punë të paparapara politike, diplomatike dhe ekonomike!
BASHKIMI
Ç’mendim keni sa i takon krijimit të një Lige të përbashkët të futbollit?
Kryeministri tani para zgjedhjeve po vjedh dhe po rrëmben idetë dhe propozimet që përpara tij kanë paraqitur qoftë Partia Socialiste, qoftë Aleanca Kuqezi. Nuk kam ç’them për këtë çështje: ato që duhej të thuheshin i thanë veprimtarët e futbollit në Tiranë dhe në Prishtinë. Hapësira e njësuar kombëtare sportive, mediale, kulturore, shkencore, arsimore është diçka e vetëkuptueshme që është dashur të ndodhë shumë më herët. Dhe krijimi i kësaj hapësire s’është penguar prej askujt por prej nesh: prej moskujdesit, prej mospunës, prej mënjanërisë sonë.
Është përfolur disa herë ndarja e Kosovës (çështja e veriut) dhe ndarja e Maqedonisë, sidomos pas incidenteve ndëretnike. A është e mundur dhe e duhur shpërbërja?
Çështja e Veriut të Kosovës dhe çështja e Maqedonisë Perëndimore nuk janë çështje të njëjta. Ka ndryshim në përbërjen e tyre dhe në historinë e tyre si çështje. Në rastin e Veriut të Kosovës, domethënë të Mitrovicës Veriore, flitet për shkëmbim teritori me Luginën e Preshevës e në rastin e Maqedonisë Perëndimore flitet për bashkimin e saj me Shqipërinë a me Kosovën. Për mundësitë e këtilla nuk flasin vetëm shqiptarë, por flasin edhe analistë dhe gjeostrategë perëndimorë, kryesisht amerikanë. Për mundësitë e këtilla, domethënë për ndryshime kufijsh shtetërorë, që mund të bëhen në Evropë herdokurdo, folën këto ditë edhe disa nga mediat tona, por folën gabimisht: duke ua dhuruar mendimet e tilla disa mediave ruse a serbe e jo atyre që që i kanë paraqitur jonjëherë të parët: analistëve dhe gjeostrategëve perëndimorë. Këto ndryshime kufijsh mund të ndodhin sado jo shumë shpejt dhe me to – me bashkimin e Maqedonisë me Shqipërinë a me Kosovën dhe të Luginës së Preshevës me Kosovën e, mandej të Kosovës me Shqipërinë, do të ndreqej padrejtësia e madhe historike që i është bërë popullit Shqiptar.
PRESHEVA
Tensionet etnike në Preshevë kanë qenë të pranishme gjatë këtyre ditëve, sa i takon përmendores së UÇPMB. A po interesohet sa duhet shteti amë për të bijtë dhe si duhet vepruar sipas jush?
Për shqiptarët e Luginës së Preshevës, të Maqedonisë, e të Malit të Zi tani ekzistojnë dy shtete amë: Shqipëria shtetërore dhe Kosova. Mjerisht është e vërtetë se këto dy shtete nuk po interesohen sa duhet e si duhet për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Pjesërisht i kuptoj: u duhet të sillen ndaj tyre ashtu siç i këshillojnë, të mos them siç kërkojnë prej tyre, faktorët ndërkombëtarë, që nuk janë pa një sovranitet në Shqipëri dhe në Kosovë sot. Shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë të drejtë të kërkojnë që të interesohen më shumë për ta si Kosova ashtu edhe Shqipëria, por punët më të mëdha për veten duhet t’i bëjnë vetë. Dhe, ata po i bëjnë këto punë. Tani për lapidarin e UÇPMB, të cilin Serbia vandalisht e zhvendosi prej vendit ku ishte vënë dhe e çoi në depot e lëndëve të saj të ndryshme, Shqipëria dhe Kosova mund të bënin më shumë se ç’bënë. Por, për atë lapidar dhe mbajtjen e tij aty ku ishte vënë, nuk bënë çka do të duhej të bënin as vetë shqiptarët e Luginës së Preshevës. Mbas kërcënimeve të Serbisë se do ta heqë lapidarin ata do të duhej ta prisnin policinë serbe duke qenë rreth lapidarit, duke qenë rreth lapidarit edhe burra edhe gra, të vetëdijshëm se Serbia nuk do të guxonte ta përgjakte atë lapidar e as tokën ku ishte vënë ai. Dhe në atë mënyrë, duke mbrojtur lapidarin ata do të mbronin edhe disa vlera e disa qëllime të rëndësishme, shumë të rëndësishme për ardhmërinë e tyre.
KOKA E ALI PASHËS
Sjellja e kokës së Ali Pashë Tepelenës ka qenë kërkesë e radhës së kryeministrit. Intelektualë të njohur shqiptarë e kanë kritikuar sepse nuk mund të varroset sërish i ndarë, e të tjerë e kanë parë si lëvizje diplomatike për t’i thënë Greqisë se Janina ku ai prehet është shqiptare. Cili është opinioni juaj?
Në krejt këtë punë rreth kokës së Ali Pashë Tepelenës – kësaj figure të madhe të historisë shqiptare, dhe rivarrosjes së tij sërish i ndarë, koka shkoqur prej trupit, përpos djallëzive që bën kryeministri me qëllim që të korruptojë qoftë edhe tre votues më shumë për partinë e tij në zgjedhjet e 23 qershorit 2013, ka edhe perversitet. Prej tij, deri në 23 qershor, mund të presim që prej Ankarasë a prej Athinës të kërkojë që të lejojnë të sillen në Shqipëri pjesët e lëkurës së pashallarëve shqiptarë të bërë synet kur ishin fëmijë në Stamboll a në Janinë! Do të ketë çka të kërkojë kryeministri ynë se, siç dihet, prindërit e disa pashallarëve tanë të ardhshëm në Perandorinë Otomane, kur i bënin synet ata, natyrisht si fëmijë, kërkonin që lëkura e pjesës së synetuar të mos hudhej kudoqoftë po të “varrosej”! Në këtë mënyrë atdhetarizmi i posazgjuar i kryeministrit shqiptar do të mund të dëshmohet edhe me ato pjesë të synetuara të pashallarëve shqiptarë të sjellura në Atdhe në prag të zgjedhjeve! Mos ngurroni: duartrokitje për turbo atdhetarin!
KRYEPROKURORI
Shqipëria ka tashmë një kryeprokuror të ri. Adriatik Llalla është kreu i ri i organit të akuzës, ardhur në detyrë vetëm me votat e mazhorancës. Cilat duhet të jenë prioritetet e tij? A mendoni se do t’i përgjigjet pozicionit që mban jashtë ndikimit të kaheve politike?
Ç’është e vërteta, kryeprokurori i ri, Adriatik llalla, erdhi në detyrë në mënyrë që, mjerisht, nuk mund të quhet plotësisht e pastër. E para, ai erdh në detyrën e kryeprokurorit vetëm me votat e mazhorancës, domethënë pa marrë edhe votat e opozitës. Në qoftë se nuk gabohem, opozita nuk e kontestoi si kandidat, si profesionsit, por e kontestoi procedurën e zgjedhjes së tij; dhe, e dyta, ai erdhi në detyrën e kryeprokurorit, pa i kaluar mandati i rregullt, pa e bërë gjithë kohën në detyrën për të cilën ishte zgjedhur, paraardhësja e tij, kryeprokurorja, Ina Rama. Qeveria dhe kryetari, Bujar Nishani, deshën ta ndëshkojnë zonjën Ina Rama për integritetin moral dhe profesional që tregoi gjatë mandatit të saj, për çka u çmua e u nderua shumë prej opinionit demokratik kombëtar dhe prej institucioneve ndërkombëtare. Po ta vlerësojmë, tani, kryeprokurorin e ri, Adriatik Llalla, me kritere intelektuale, do të duhej të thuhej: ai do të tregonte burrëri dhe identitet intelektual po të refuzonte të merrte atë detyrë pa e mbushur ish-kryeprokurorja, Ina Rama, me mandatin e saj gjithë kohën në të cilën i shtrihej mandati. Po, mirë, u zgjodh si u zgjodh dhe, tani, mbetet të shohim çka do të bëjë? Të shpresojmë se për ushtrimin e detyrës së kryeprokurorit do ta ketë më të lehtë se Zonja Ina Rama dhe do ta ketë më të lehtë sepse Shqipëria do të lirohet prej sundimit despotik të Sali Berishës më 23 qershor. Dhe, të shpresojmë se në punën e tij do të jetë siç e kërkon detyra që ka të jetë: plotësisht i pavarur. Dhe, të shpresojmë se do të bëjë krejt çka varet prej tij si kryeprokuror që të çohen deri në fund, por deri në fund, me drejtësi, proceset gjyqësore që interesat partiake dhe interesat qeveritare i kanë bërë lëmsh e nuk po kryhen tani e sa kohë, apo janë “kryer” pa drejtësi, siç janë procesi i Gërdecit, procesi i vrasjeve të 21 janarit 2011 e procese të tjera.
Të shpresojmë se do ta përthellojë e do ta përshtrijë luftën kundër korrupsionit duke arritur që të çohen atje ku e kanë vendin ata njerëz të politikës të cilët vitet e tranzicionit të stërzgjatur dhe karrierën e tyre të stërzgjatur politike i kanë shfrytëzuar për të vjedhur, për të grabitur, për të plaçkitur pasurinë kombëtare shqiptare. Të shpresojmë se do të arrijë të bëjë reformën e domosdoshme të sistemit juridik shqiptar, i cili në gjendjen në të cilën është sot i ka lejuar dhe vazhdon t’i lejojë gjithë ato shfytyrime kriminale që kanë ndodhur e po vazhdojnë të ndodhin në jetën politike, shoqërore, ekonomike shqiptare. Do të jam i lumtur në qoftë se kryeprokurori i ri, Adriatik llalla, me punën e tij do të më japë mundësi që një ditë në qoftë se do të jam gjallë të shkruajë për të me përkushtimin dhe me nderimin me të cilin kam shkruar për punën prej kryeprokuroreje të Zonjës Ina Rama.
ÇËSHTJA ÇAME
Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, që përfaqëson komunitetin çam, ka paraqitur në kuvend një rezolutë përmes së cilës i parashtron shtetit shqiptar nevojën që ai të kërkojë të drejtat e çamëve në Greqi. A ka ardhur koha që shteti të marrë përsipër këtë detyrë?
– Kërkesa e Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, që përfaqëson Bashkësinë e çamëve në Shqipërinë shtetërore, e paraqitur në trajtën e Rezolutës në Kuvendin e Shqipërisë, është plotësisht e arsyeshme. Kur i lexon njeriu kërkesat e paraqitura në këtë Rezolutë do t’i bëjë vetes pyetjen: pse një rezolutë e tillë nuk është bërë më parë? Dhe, kur i lexon njeriu kërkesat e paraqitura në këtë Rezolutë do t’i bëjë vetes pyetjen: pse Shqipëria, si shtet ku jetojnë çamët e dëbuar me dhunë prej tokave dhe shtëpive të tyre, nuk kërkon prej Greqisë që t’ua kthejë atyre të drejtat e mohuara, të cenuara, të shkelura në mënyrat që dënohen sot në gjithë botën? Ka ardhur koha që të drejtat e mohuara të çamëve, të mbrohen prej shtetit ku ata sot jetojnë – prej Shqipërisë. Ka ardhur koha që çështja çame të jetë çështje kombëtare e shteteve shqiptare – Shqipërisë dhe Kosovës, domethënë të jetë çështje me të cilën do të merren të dy shtetet shqiptare.
GSH
shqiptar i madh zoteri Rexhep Qosja
Si gjithnje une e vleresoj shume akadenikun REXHEP QOSE.Per mua por mendoj edhe per shum te tjer ai eshte nje simbol kombetar,si gjithnje shume i lexueshem,i mencur, i qart dhe mbi te gjitha shume patriot.Shume respekte dhe jete sa me te gjat per te miren e Kombit ton.Ai tashme me shume se kur ka nevoje per keshillat tuaja.Edhe njeher mirnjohje.
Rexhep Qosja e do kombin shqiptar! Shume te tjere e kane shitur Shqiperine,Emra :Berisha ,Basha dhe e tere skorta kriminale e Berishes!
Njerezit e vegjel merren me gjera te vogla , ushtu sic e kemi ne kryeministrin tone….njerezit e medhenj merren me gjera te medha . Dhe ky eshte i madhi REXHEP QOSJA , nje nga mendjet me te ndritura qe ka kombi shqiptare ne te gjitha trojet e veta etnike shqiptare dhe hapesiren mbareshqiptare .
Une banoj ne Tirane dhe si te papune qe jemi keto muhabete bejme gjithe diten. Shqiperia dhe Kosova jane te tradhetuara nga qeverite e tyre. Por i madhi Rexhep Qosja i thote dhe i argumenton. Nje gje duhet te dini profesor, njerzit (ne Tirane e shof vete) ju adhurojne dhe ju duan se jeni patriot, ndersa SRB e urrejne dhe e shajne ne cdo tavoline lokalesh, kjo eshte e verteta. Kontriboni profesor se populli ju vlereson dhe nuk ja u harron. Zoti ju dhente jete te gjate, shumica e shqiptarve te falenderon.
A vertete mendoni se Qosen e merr kush per baze ne Shqiperi? Dhe me fjalet e tije si avukat i fustanelles te Rames do fotoje Ps? Po a e dini sa i respektuar dhe i votuar eshte Qose ne Kosove? Eshte ne me te braktisurit per mos te thene te urryerit.
Ju Kelmendasi perpara se te hysh ne faqe(Dita,,Tema etj)meso te shkruash qe te pakten ta dime se cfare thua dhe pastaj te te degjojme.Sa per Profesor Qosen nuk ka rendesi se cthote nje bythelepires i Sali Mashtruesit.Ai ka qene,eshte dhe do te mbetet nje nga figurat me te respektuara ne Shiperi.Jete te gjate Profesor Rexhep Qosja.