Siria përballet gjithashtu me hipotezën e ndarjes së saj në tre provinca
Qeveria siriane ka dhënë autorizimin për të evakuuar të hënën gratë dhe fëmijët nga qendra e Homsit, në Siri. Lajmin e bëri të ditur ndërmjetësi i OKB-së mbi Sirinë, Lakhdar Brahimi, në përfundim të ditës së dytë të negociatave në Gjenevë “Të paktën gratë dhe fëmijët do të mund të largohen nga qyteti i Homsit”, u shpreh ai. Regjimi i qeverisë siriane i kërkoi gjithashtu opozitës që të ofrojë listën e të burgosurve nga grupe të ndryshme të armatosura anti-regjim, propozim i cili u pranua.
Negociatat u zhvilluan me të dyja palët kundërshtare në të njëjtën dhomë bisedimesh në mëngjes, ndërsa në mbrëmje Brahimi takoi secilën palë veç e veç. Brahimi tha se të hënën do të takojë të dyja delegacionet në të njëjtat modalitete: “Do të flasin (në të njëjtën tavolinë) përmes meje”, shpjegoi ai. “Shpresoj që të arrijmë në një zgjidhje për të gjithë civilët në Homs. Gratë dhe fëmijët janë të lirë që të nisen menjëherë. Edhe burrat mund ta bëjnë, por më parë qeveria kërkon një listë emrash”, shtoi Brahimi në fund të bisedimeve
Ndërmjetësi i OKB-së u shpreh që në fillim se dëshiron të përqendrohet në masa konkrete për të krijuar një besim reciprok midis palëve, por edhe kështu bisedimet po përballen me vështirësi të mëdha. Delegacioni qeveritar ka shprehur rezerva mbi kërkesën për të lejuar ndihmat humanitare drejt Homsit: “Nuk kemi ardhur këtu për t’i çuar ndihmë një rajoni të vetëm, por për të risjellë sigurinë në të gjithë vendin”, pohoi Buthaina Shaaban, këshilltare e presidentit Bashar al Asad.
Pas më shumë se tre vitesh luftë civile, Siria është një vend gjithnjë e më i ndarë. Ndërsa Asad fiton terren në zonat strategjike (në Damask në kufirin libanez dhe periferinë e Alepos (qyteti simbol i kasaphanës siriane), rebelët kanë shtuar kontrollin në veriperëndim. Por ata, gjithashtu duhet të përballen me ndasitë e brendshme: si p.sh. lufta midis të moderuarve dhe xhihadistëve të Al Nusras. Në tavolinën e Gjenevës po vlerësohet një hipotezë ndarjeje e vendit në tre zona: në provincën Alavite, e cila është në dorë të regjimit të Damaskut; në provincën Sunite e drejtuar nga rebelët dhe, një provincë e mundshme kurde në verilindje. Ja dhe harta që ofron një radiografi të skenarëve të mundshëm, fryt i informacioneve që ka mbledhur OKB./ D.Gjuzi