Miliarderi australian, Klaiv Palmer, po investon në ndërtimin e një kopjeje të transatlantikut të famshëm që u mbyt në ujërat oqeanike një shekull më parë. Anija madhështore po ndërtohet në kantierët e Nankinosë në Kinë dhe pritet të përfundojë në vitin 2016. Biletat e udhëtimit përurues janë shitur që tani
Me një shekull me vonesë, “Titaniku” do të ankorohet në portin e Nju Jorkut, duke përmbyllur udhëtimin e shndërruar në mit, kur 100 vjet më parë u kthye në tragjedinë që i mori jetën 1518 personave. Misioni i ndërprerë natën e 14 prillit të 1912-s, për shkak të përplasjes së anijes me një ajsberg në afërsi të gadishullit Terranova, është marrë përsipër nga miliarderi australian, Klaiv Palmer. I njohur si “mbreti i minierave”, ai gjithashtu është aksioner i rëndësishëm në kantierët “CSC Jinling”, pronë e Kinës që nga viti 1952.
Evropa dhe Shtetet e Bashkuara ia kanë lënë stafetën Lindjes në realizimin e xhevahirit transatlantik. “Titanik II” do të jetë pasqyra e krenarisë së fuqive ekonomike si Australia dhe Kina. Kjo e fundit tani komandon botën dhe falë rievokimit të anijes legjendare me avull në një udhëtim rekord, dëshiron të krijojë pasazhin Lindje-Perëndim për të kontrolluar kështu planetin. Do të jenë pikërisht ‘komunistët’ e Pekinit që do të rimarrin ‘sfidën e mbytur’ të kapitalistëve të Londrës e të Nju Jorkut, duke ofruar lundrimin e ëndrrave në Atlantik, në të njëjtën kohë kur në Paqësor tensionet e Luftës së Ftohtë po dalin sërish në sipërfaqe.
Ideja lindi pikërisht 1 vit më parë në 100-vjetorin e mbytjes, kur historianë nga e gjithë bota i veshën “Titanikut” rolin profetik si paraprijës i fundit të një hegjemonie dhe fillimit të konflikteve botërore të viteve 1900. Klaiv Palmer, i apasionuar pas luksit në stil klasik, ashtu si Xhon Pierpont Morgan në vitin 1909, vendosi të ndërtonte “anijen më të madhe dhe më moderne në botë”.
Tani kantierët irlandezë të “Harland and Wolff” janë zëvendësuar nga ata të “CSC Jinling”, të kontrolluar nga partia e liderit të ri të Kinës, Ksi Jinping. Lajmi u bë publik së pari në Hong Kong, ku nënvizohej se në “Titanik II” çdo gjë do të jetë identike me “Titanik”-un e 1912-s.
Transatlantiku do të niset kështu nga Southampton me destinacion Manhatanin, për të ndjekur besnikërisht drejtimin e Veriut, nga Çerburg në Kuinstaun, në të njëjtën rrugë që kaloi një shekull më parë edhe origjinali.
Do të imitohet çdo detaj teknik dhe arkitektonik: që nga tonazhi prej 46.328 tonelatash, te gjatësia e 269 metrave, e deri në katër oxhaqet e zeza të Luigjit të XVI. Emri i kompanisë së udhëtimeve: nga “White Star Line” (Linja e Yllit të Bardhë) do të bëhet “Blue Star Line” (Linja e Yllit Blu). “Do të ndryshojë vetëm teknologjia, që ashtu si në fillimin e shekullit të XX, do të jetë ndër më të avancuarat e kohës”, pohon Ge Biao, drejtuesi i kantierit të Nankinosë.
Kinezët janë të sigurt se lundrimi me “Titanik II” nuk do të ketë të krahasuar me asnjë anije në mbarë historinë e lundrimeve. Edhe pse duhen 3 vjet në përfundimin e konstruksionit gjigant, 2400 biletat e vëna në dispozicion për udhëtimin inaugurues janë ezauruar të gjitha. Për të shmangur fundin që pësoi “Titaniku” i parë, kinezët kanë ftuar që të jenë vëzhgues dhe pjesëmarrës, përfaqësues të kantiereve më të kuotuara në botë, që nga Finlanda e deri te Koreja e Jugut.
Përgatiti: Dorina Gjuzi