Po të luftohej korrupsioni nga rrënjët, ashtu siç kërkoi ditë më parë ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, atëherë qeveritarët e rinj, që zgjidhen të hënën, do të duhej ta luftonin vetveten.
Ndonëse Hashim Thaçi me shumë gjasë nuk do të jetë kryeministër i ri, por që partia e tij do të ketë pushtet të madh në ekzekutiv, Policia e Prokuroria do të duhej të ishin të pavarura që të nisnin hetime edhe ndaj tij për çdo dyshim apo spekulim të ngritur rreth pasurisë marramendëse të fituar gjatë dy mandateve në krye të Qeverisë, e jo pengesë për këto hetime të bëhen ministri i ri i Drejtësisë, apo i Brendshëm, të cilët po ashtu mund të propozohen nga PDK-ja e Thaçit.
Hetime do të duhej të zhvilloheshin, gjë që nuk ndodhi asnjëherë deri më tani, edhe ndaj familjarëve të Thaçit, për t’i hequr të gjitha dyshimet nëse këta të fundit e kanë pasur monopolin në importin e produkteve të shumta në Kosovë, apo nëse janë aksionarë në ndërtimin e objekteve banesore gjithandej vendit.
Kjo nuk do të paragjykonte se kryeministri, familjarët dhe bashkëpunëtorët e tij janë fajtorë, por vetëm se do ta zbardhte të vërtetën e pasurisë së tyre.
Prej hetimeve nuk do të duhej të amnistoheshin as Isa Mustafa dhe djemtë e tij, edhe nëse lideri i LDK-së sot do të zgjidhet kryeministër dhe do të bëhet edhe më i pushtetshëm politikisht. Mustafa dhe bashkëpunëtorët e tij, sa udhëhoqën me Komunën e Prishtinës, i kanë 70 lëndë në Prokurori, për shkak të dyshimeve për keqpërdorime të ndryshme.
Madje, këto lëndë në Prokurori Mustafës ia përmendi vetë ambasadorja Jacobson, para se ky i fundit të lidhte koalicion me Thaçin, duke shtuar më tej se të gjitha subjektet politike në vend janë të korruptuara.
Pasi të hetohen liderët e partive në pushtet, apo siç thotë ambasadorja luftimi i korrupsionit të bëhet nga rrënjët, hetimet do të duhej të zhvilloheshin edhe ndaj ministrave që do të vazhdojnë të udhëheqin me dikasteret qeveritare edhe ndaj atyre që udhëhoqën deri më tani, për të kaluar më pas edhe tek liderët opozitarë.
Fundja nëse pretendojmë të integrohemi në familjen e madhe evropiane, atëherë askush nuk duhet të jetë mbi ligjin, qoftë ai kryeministër, apo president i vendit, e jo fuqia politike të shfrytëzohet që dikush të jetë i padukshëm, edhe nëse e shkel ligjin me dy këmbët.
Faktet janë të pamohueshme se politikanët kosovarë në katër vjetët e fundit e kanë shtuar pasurinë përreth 2500 për qind, një mospërputhje shumë e madhe mes pagave të tyre dhe pasurisë së krijuar për një mandat. Po të ishte ndryshe, raporti i këtij viti i Transparency International do ta paraqiste Kosovën si vend me një shkallë të ulët të korrupsionit, e jo siç e paraqiti si “kampione” të korrupsionit, bashkë me Shqipërinë.
Kosova ka zënë vendin e 110-të në këtë raport, duke u radhitur në “zonën e kuqe” të korrupsionit, në të njëjtin grup bashkë me Ekuadorin, Etiopinë dhe Malavin.
Kosovës deri më tani nuk i ka munguar infrastruktura ligjore për ta luftuar korrupsionin, por i ka munguar vullneti politik për ta bërë një gjë të tillë.
Fundja, siç kishte thënë Tacitus, senatori dhe historiani i Perandorisë Romake, shtetet më të korruptuara kanë ligje të shumta.
Mjaft hartuam ligje e bëmë trupa institucionale për ta luftuar korrupsionin. Është koha e fundit për veprime konkrete që korrupsioni të luftohet nga rrënjët. Pra, nga liderët, ashtu siç po kërkon ambasadorja e SHBA-ve, Jacobson.
Kjo edhe mund të jetë një dëshirë e sinqertë nga ndërkombëtarët, të cilët dëshirojnë ta shohin Kosovën si një shtet me perspektivë, ku edhe investuan miliarda euro nga paratë e taksapaguesve të tyre, e jo si një shtet që po e shkatërron korrupsioni. Megjithatë, unë nuk mendoj se kjo gjë do të ndodhë, derisa politikanët e njëjtë vazhdojnë të udhëheqin me institucionet, sepse ata nuk do ta luftojnë vetveten.