Situata e rënduar e shfaqur gjatë viteve të fundit në strukturat spitalore ka rindezur debatin ndërmjet përfaqësuesve të opozitës dhe mazhorancës në komision. Janë bërë investime nga Qeveria e kaluar për aparatura, tha Beqaj, por duke shtuar se shkalla e përdorimit të tyre ka qenë vërtet e ulët. Sipas tij, nuk kanë qenë të pakta rastet ku fondet kanë siguruar blerjen e aparaturave që nuk janë vënë ndonjëherë në punë, ose në raste më të shëmtuara këto aparatura janë prishur pa u vënë asnjëherë në gjendje pune. Rreth 3.2 milion dollarë ëshë fondi i shpenzuar për blerjen e aparaturave që prej kohësh rrinë stok.
Sa i takon gjendjes si e gjeti Qeveria e re shërbimin shëndetësor, ministri Beqaj i’u përgjigj deklaratave të deputetëve duke u shprehur se: “Asnjë prej skanerave nuk punonte, situata me furnizimin me barna ishte në gjendje skandaloze dhe ne, vetëm brenda 100 ditëve të para, siguruam rivënien në punë të të gjithë skanerave si në Spitalin e Traumës, QSUT-së dhe në rrethe, si dhe vetëm për Spitalin e Traumës, u kompletua dhe u vu në punë laboratori, u bë i mundur furnizimi me barna, si dhe në buxhetin e këtij viti, kemi parashikuar blerjen e një skaneri të ri për këtë spital, për shkak të ngarkesës së madhe që ai ka”. Gjithashtu ministri shtoi se do të aktivizohet kredia italiane për këtë spital prej 5 milion euro-e cila, e cila flinte në sirtarë që prej vitit 2006.
“Ne do të realizojmë gjithashtu, rinovimin e seteve dhe instrumentave kirurgjikale, dhe kushdo nga ju që është mjek kirurg e di shumë mirë në çfarë gjendje janë duke kërkuar garanci sterilizimi, në mënyrë që të ulim ndjeshëm infeksionet spitalore”, deklaroi më tej Beqaj. Ministri i Shëndetësisë e mbylli fjalën e tij, duke deklaruar se, kjo është një kredi, që sigurisht paguhet nga taksapaguesit shqiptarë, por ne nuk do të lejojmë më që të ndodhë si deri më sot, ku janë të paktën 3.2 milion dollarë pajisje që rrinë stok në QSUT dhe spitalin “Shefqet Ndroqi”, por ne do t’i vëmë ato në punë, në funksion të një shërbimi më të mirë për popullatën”