Rritja e kreditimit këtë vit do të jetë objekt i një plani kombëtar të Bankës së Shqipërisë dhe qeverisë, në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare. Duket se ky do të jetë një prioritet i Bankës Qëndrore për ti dhënë një shtysë ekonomisë së vendit. Kështu u deklarua dje Guvernatori i Bankës, Ardian Fullani pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës. Ai deklaroi se viti që kaluam ishte mjaft i vështirë për ekonominë shqiptare, ndërsa lajmëroi një frymëmarrje të lehtë për vitin 2014, por që duhet të mbështetet nga një sërë masash, duke përfshirë këtu edhe me korrektimin e borxhit. Duke bërë një analizë të përgjithshme të situatës ekonomike të vendit, tha se injektimi i vazhdueshëm i likuiditetit do të krijojë kushte për ruajtjen e inflacionit në periudhën afatmesme. Në pasqyrën e çështjeve ekonomike, guvernatori tha se “viti 2013 ishte një vit i vështirë për ekonomikë, ku kërkesa agregare ishte e ulët, inflacioni u mbaj të nivel të ulët, ndërsa deficiti dhe borxhi publik ishte në nivel të lartë”.
Ekonomia 2013, në një mjedis të pafavorshëm
Kreu i Bankës së Shqipërisë u shpreh dje se mjedisi ekonomik ishte i pafavorshëm, ndërsa periudha zgjedhore reflektoi momente pasiguri. Kjo u reflektua në konsum të ulët dhe me kushte shtrënguese për kreditim, ndërsa niveli i borxhit public qëndroi i lartë edhe për shkak të mungesës së stimujve. Guvernatori Fullani tha se gjatë vitit 2013 pati edhe zhvillime pozitive, pati likuiditet të ndihmuara edhe nga strumentet e reja financiare. Pozitiv ishte fakti se sistemi bankar ishte solid dhe i mirëkapitalizuar, pati qëndrueshmëri të kursit të këmbimit dhe u ruajt stabiliteti makroekonomik. Në 6-mujorin e 2-të Banka e Shqipërisë vlerësoi se pati ngadalësim të zhvillimit ekonomik, ndërsa u forcua tendenca rënëse e inflacionit. Inflacioni mesatar mujor ishte 1.5% duke qëndruar i pandryshuar, ndërsa u rrit në 1.9% në muajin dhjetor për shkak të rritjes së çmimeve të artikujve ushqimorë. Situata makroekonomike gjithashtu në përiudhën paszgjedhore pati ngadalësim si mungesë e stimujve fiskalë gjë që ndikoi në uljen e konsumit dhe të turizmit. Vetëm sektori i bujqësisë njohu zhvillime pozitive. Konsumi, sipas guvernatorit Fullani ishte nivele të ulëta kjo edhe për shkak të rënies së të ardhurave. Banka vërejti se familjet shqiptare kanë ruajtur sjellje të kujdesshme ndaj konsumit. Sipas guvernatorit edhe investimet në 6- mujorin e dytë patën tendencë rënese kjo është reflektuar edhe në kërkesen finale dhe kushtet e shtrënguara të kreditimit.
Eksportet, kreditimi dhe korrektimi i borxhit, përmirësojnë ekonominë
Eksportet janë një pikë e fortë ku duhet të mbahet ekonomia në terma afatgjatë, duke nxitur prodhimin vendas dhe konkurrueshmërinë. Sipas Guvernatorit dinamika monetare ka ndikuar në nivelin e ulët të inflacionit, rritjes së lehtë të pagave dhe mbajtjen e papunësisë në nivel të pandryshuar. Në të njëjtën kohë inflacioni i importuar ka qenë në rënie kjo edhe falë kursit të qëndrueshëm. Skenari bazë i BSH flet për përmirësim të lehtë të ekonomisë gjatë vitit të ardhshëm, eksporte më të larta dhe konsum më i rritur, ruajtje e stabilitetit ekonomik, ndërsa borxhet e biznesit që do të shlyhen do të ndihmojnë në përmirësimin e aftësisë së bizneseve për të tërhequr kredi në banka. Sipas Fullanit korrektimi i borxhit është një domosdoshmëri. Këshilli vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në 3 për qind.