Pjesa e dytë e një profili interesant të Fetullah Gylenit, lëvizjes dhe veprimtarisë së saj në Shtetet e Bashkuara. Ç’thotë mbështetësit dhe kritikët e tij. Tek e fundit, çfarë synon ai? A është një frymëzues i islamit liberal, apo një kult i errët dhe afatgjatë që synon “kalifatin” me mjete të reja?
Por për të kuptuar çështjen më të fortë të ngritur kundër perandorisë mediatike të Gylenit, duhet të analizojmë pak historinë turke të kohëve të fundit. Në qershor të vitit 2007 policia zbuloi një kuti me granata në rrethinat e Stambollit. Hetuesit pretenduan se ato i përkisnin një grupazhi të errët konspiratorësh të quajtur Ergenekon (Kudhra). Mendohej se kjo organizatë ishte një zgjatim i të ashtuquajturit “shtet hije” , një koalicion sekret i figurave të niveleve të larta të ushtrisë, shërbimeve sekrete, gjyqësorit dhe krimit të organizuar, që me siguri ka ekzistuar në një moment të caktuar dhe vazhdon të ekzistojë. Supozohej se Ergenekon kishte planifikuar një sërë aktesh terroriste në të gjithë Turqinë dhe do të përdorte kaosin e krijuar si pretekst për një grusht shteti ushtarak.
Sapo doli një lajm i tillë, mijëra turq u arrestuan nga qeveria e drejtuar nga AKP e Erdoganit, duke përfshirë oficerë, akademikë, teologë dhe gazetarë. Në vitin 2009 filloi një raund i dytë arrestimesh në masë, që kishin në shënjestër kurdët dhe të majtët ashtu si dhe mbështetësit e tyre.
Gazetarët që ishin dëshmitarë në këto gjyqe dolën prej tyre të shokuar, duke mos e besuar dot absurditetin e atij spektakli. Unë kam parë një gjykatës të pyeste të pandehurin përse ai nuk kishte kapur falsifikatorin, nëse provat kundër tij ishin të falsifikuara, siç pretendonte i pandehuri.
Përtej absurditetit të pyetjes (sepse kjo nuk është punë e të akuzuarit) kemi të bëjmë me faktin që i akuzuari ndodhej në një qeli që prej arrestimit dhe nuk kishte aspak mundësinë të bënte punën e policit. Është e pamundur të mos mendosh se diçka nuk shkon në mënyrën sesi funksionon gjyqësori, i cili deri vonë ishte nën kontrollin e të ashtuquajturave Gjykata të Autoritetit të Veçantë.
Këto gjykata shiteshin para publikut se gjendeshin mbi gjykatat famëkeqe ushtarake turke, por unë mendoj se ato nuk bënë ndonjë përmirësim të sistemit gjyqësor. Nuk është e nevojshme që të jesh specialist i çështjeve juridike për ta kuptuar. Mjafton të shikoni për 15 minuta cilësinë e provës mbi të cilën ato mbështeten. Shembulli më i famshëm ka të bëjë me pranimin si provë, ekzistencën e planeve të grusht-shtetit, disa plane që u referoheshin institucioneve që nuk ekzistonin ende në kohën kur mendohej se ishte hartuar plani, por ka edhe shembuj të tjerë.
Megjithatë, mediat gyleniste i kanë duartrokitur këto arrestime dhe proceset gjyqësore, duke i paraqitur ato si spastrim i “shtetit hije”, e duke i përshkruar si një veprim kundër “rrjeteve terroriste”. Ato i quanin darbexhinj (apo simpatizantë të grushtit të shtetit), ata që ngrinin pikëpyetje mbi standardet ligjore të çështjes, dhe duke mos pranuar të tërhiqnin, apo korrigjonin pretendimet çorientuese në raportimin e tyre. Nga ana tjetër, gazetarët e punësuar nga mediat e frymëzuara nga Gylen janë shpesh gazetarë më të mirë se ata që punojnë në mediat më të vjetra të Turqisë, kështu që nuk është bindëse të thuash se ata janë thjesht të paaftë. Ata janë të kujdesshëm dhe profesionalë, kur duan të jenë të tillë. Për këto gjyqe, me sa duket kanë zgjedhur që të mos jenë.
Tani kthehemi në Amerikë. Gyleni jeton në Shtetet e Bashkuara ku është lëvduar dhe mbështetur nga figura të nivelit të lartë të qeverisë amerikane. Për shembull Bill Clinton dhe James Baker i kanë bërë elozhe kontributit të tij për paqen në botë. Presidenti Obama ka bërë një vizitë admiruese në shkollën e frymëzuar nga Gylen, “Pinnacle school” në Uashington. Ish oficeri i CIA-s Graham Fuller, njëkohësisht ish nënkryetar i Këshillit të Inteligjencës Kombëtare dhe autor i “E ardhmja e Islamit politik”, doli personalisht garant për Gylenin që ky të merrte “green card”, ashtu si edhe ish-oficeri i CIA-s, George Fidas dhe ish-ambasadori në Turqi, Morton Abramowitz.
E gjithë kjo mbështetje nxit teoritë e konspiracionit në Turqi dhe ushqen ndjenjën e thellë anti-amerikane mes atyre që kanë frikë nga Gyleni. Ata nuk e kuptojnë se pse këta ish agjentë dhe diplomatë e kanë ndihmuar. Të them të drejtën, as unë nuk e di. Por ama as nuk mund të tallem me frikën e tyre, e ta quaj një zhgënjim absurd oriental. E parë cektazi, duket se ka kuptim për Shtetet e Bashkuara që të mbështesin Gylenin. Ai është një pro-amerikan pragmatik; është cituar të ketë thënë se nuk do të bëjë asgjë për të minuar interesat e Amerikës në rajon. Ai dyshon tek rusët dhe iranianët, ashtu si dhe ne. Ai ka mjaftueshëm ndikim në Turqi, sa për të supozuar se Amerika do ta mbajë nën kontroll, ose do ta përdorë atë. E kuptoj pse shumë turq besojnë se Gylen është rehatuar në selinë e tij amerikane në Pokonos, sepse për ndonjë synim të errët imperialist, ne e mbrojmë atë.
Për fat të keq, unë e njoh mjaftueshëm politikën e jashtme amerikane për të besuar se nuk jemi aq të zgjuar. Qeveria jonë shpesh ka një paaftësi të habitshme, me sektorë që zakonisht dështojnë të shkëmbejnë informacione të rëndësishme dhe madje edhe zyrtarët e lartë janë të painteresuar të ndjekin detajet e ngjarjeve komplekse në Turqi. Unë gjithashtu e di se amerikanët në tërësi janë shumë të sjellshëm dhe të ndershëm dhe duan shumë që të jenë miq me myslimanë që thonë se e denoncojnë terrorizmin. Por nuk e kuptojnë se duke u miqësuar me Gylenin, ata xhindosin myslimanët në Turqi, të cilët gjithashtu dënojnë terrorizmin, por që e neverisin Gylenin si një oportunist të etur për pushtet.
Gylen ka përdorur kohën e qëndrimit në Amerikë për t’u bërë operatori më i madh, ose të paktën frymëzuesi i sistemit charter school, shkollat e pavarura publike në Shtetet e Bashkuara. Sharon Higgins, që themeloi organizatën “Prindërit në Amerikë”, beson se tani janë 135 shkolla të tilla të frymëzuara nga Gylen me 45 mijë studentë të regjistruar. Kjo e bën rrjetin e Gylenit, më të madh se KIPP me 109 shkolla. Shkollat, në 25 shtete, kanë emra që nuk shkaktojnë kundërshtime: Akademia e Shkencave Horizont, Shkolla Pioniere e Shkencës, Karta e Shkencës, Akademia e Shkencave dhe Teknologjisw “Kosherja” (Beehive), dhe Akademia e Teknologjisë. Mijëra shtetas turq, pothuajse të gjithë meshkuj, kanë ardhur në Amerikë me viza H-1B apostafat për të dhënë mësim në to. Shkollat përqendrohen tek matematika dhe shkenca, dhe nxënësit e tyre shpesh dalin me rezultate të mira në testet e standardizuara. Administratorët thonë se nuk kanë lidhje zyrtare me Gylenin, dhe ky mohon çdo lidhje me shkollat. Por formularët federalë që duhen plotësuar për organizata jofitimprurëse, tregojnë se pothuajse të gjitha shkollat janë hapur, ose veprojnë me ndihmën e grupeve vendore “jofitimprurëse” të frymëzuara nga Gyleni, që promovojnë kulturën turke. Për shembull, “Akademia e Shkencave Horizont” e Springfildit me qendër në Ohajo, ka firmosur marrjen me qira të një ndërtese për një periudhë pesë-vjeçare me Fondacionin “Niagara e Çikagos”, e cila në mënyrë eksplicite promovon filozofinë e Gylenit, atë të “tolerancës, dialogut dhe paqes”.
FBI dhe Departamentet e Punës dhe Arsimit kanë hetuar praktikat e punësimit të disa prej këtyre shkollave, sipas New York Times dhe Philadelphia Inquirer, veçanërisht zëvendësimin e mësuesve të amerikanë të certifikuar me ata turq të pacertifikuar, të cilët kanë paga më të larta se amerikanët, përdorin viza të cilat përgjithësisht u rezervohen punonjësve shumë të aftë të cilët, duhet të mbushnin nevojat e paplotësuara nga fuqia punëtore amerikane. Shkollat, sipas një artikulli të shkruar nga Higgins në Washington Post, pohojnë se nuk janë në gjendje që të gjejnë mësues të kualifikuar në Amerikë, gjë që duket e pabesueshme, duke pasur parasysh se jemi në krizën më të rëndë ekonomike që nga periudha e pasluftës dhe duke pasur parasysh se disa nga këta të ardhur duhet të japin mësim gjuhën angleze, të cilën vetë ata e flasin keq, dhe duhet ende ta mësojnë. Ata gjithashtu janë të punësuar si mësues fizkulture, kontabilistë, pastrues, kuzhinierë, piktorë, punëtorë ndërtimi, menaxherë të burimeve njerëzore, specialistë në marrëdhënie me publikun dhe mbi të gjitha avokatë.
Dy nga shkollat, e vendosura në Teksas, janë akuzuar për dërgimin e fondeve shkollore, të cilat janë financuar nga qeveria (e natyrshme përderisa janë charter schools), te disa organizata të tjera të frymëzuara nga Gyleni. Vitin e kaluar, New York Times raportoi se shkollat i kishin dhënë rreth 50 milion dollarë nga fonde publike një rrjeti turk të kompanive të ndërtimit, në mesin e tyre kompania e lidhur me Gylenin “Atlas Texas Construction and Trading”.
Shkollat kishin punësuar Atlas-in për të bërë ndërtimin, thuhej në gazetë, edhe pse biznese të tjera pretenduan se kishin paraqitur ofertat më ekonomike. Ndërkohë, Atlas mund të ketë luajtur një rol në mbrojtjen e shkollave të Gylenit. Folwell Dunbar, një zyrtar në Departamentin e Arsimit në Luiziana ka akuzuar zëvendëspresidentin e Atlasit, Inci Akpinar, se i ofroi ryshfet 25 mijë dollarë për të heshtur në lidhje me situatën shqetësuese në Shkollën e Teknologjisë dhe Shkencave Abramson në Nju Orlins. Dunbar u dërgoi një memo kolegëve të departamentit, sicc raporton gazeta lokale Times Picayune, ku nënvizonte se Akpinar e mbushi me komplimente para se të hynte në temë: “Kam 25 mijë dollarë për të zgjidhur këtë problem; 20 mijë për ju dhe 5 për mua”. Abramson menaxhohet nga Fondacioni Pelikan, i cili është i lidhur me Fondacionin Cosmos në Teksas i frymëzuar nga Gyleni dhe që drejton dy shkollat e Teksasit.
Utah’s Beehive Science and Technology Academy, një tjetër shkollë e frymëzuar nga Gylen, kishte 337 mijë dollarë borxhe, sipas një hetimi financiar nga Bordi i Shkollave të Jutas. “Deseret News” u përpoq të zbulonte se ku shkuan të gjithë këto para të tatimpaguesve. “Në një kohë shkurtimesh të mësuesve, Beehive ka rekrutuar një përqindje të lartë mësuesish nga jashtë, kryesisht nga Turqia”, njoftoi gazeta. “Shumë prej këtyre mësuesve kishin pak, ose aspak përvojë në mësimdhënie para se të vinin në Shtetet e Bashkuara. Disa prej tyre ende nuk janë certifikuar për të dhënë mësim në Juta. Shkolla shpenzoi më shumë se 53 mijë dollarë në dokumentacionin e emigrimit për të huajt në pesë vjet. Në të njëjtën periudhë administratorët shpenzuan më pak se 100 mijë dollarë në tekstet shkollore, sipas të dhënave zyrtare. Raporti pretendon gjithashtu se bordi i shkollës ishte pothuajse i tëri turk”.
Një gazetar për revistën e majtë “In These Times” vuri në dukje në vitin 2010 se “Chicago Math and Science Academy” i fshehu marrëdhëniet e saj me Gylenin. Dhe bordi i shkollës ishte çuditërisht i ngjashëm me atë të Beehive: “Kur shkova në mbledhjen e bordit të shkollës më 8 korrik, u befasova teksa pashë vetëm burra në bordin e drejtuesve. Dukeshin të gjithë me origjinë turke, boshnjake apo kroate. Edhe pse nuk kam asgjë kundër turqve, boshnjakëve, apo kroatëve, ky nuk dukej një bord mësuesish që duhet t’u shërbejë studentëve që janë 58% latinë, 25% afro- amerikanë, 12% aziatikë dhe 5% të bardhë, të cilët fare mirë mund të mësohen nga mësuese femra dhe mësuese me prejardhje etnike nga grupet që mësojnë në shkollë”.
Autoritetet federale po hetojnë edhe disa nga shkollat e lëvizjes, të cilat i detyrojnë punonjësit e tyre që të dërgojnë një pjesë të pagesës së tyre në Turqi, raporton “Inquirer”. Gjithashtu shqetësuese është se disa nga këto shkolla, pasi u jepet e drejta për të lëshuar aksione publike tw përjashtuara nga taksat, tani luajnë falimentin mbi to.
“The New York Times” kohët e fundit ka raportuar se shkollat e frymëzuara nga Gylen në shetin e Xhorxhias kishin përfituar 19 milionë dollarë nga bonot publike, dhe kishin shpenzuar qindra mijëra dollarë në kontrata me biznese të lidhura me ndjekësit e Gylenit.
Nuk ka asnjë dëshmi se në shkollat amerikane të Gylenit zhvillohet proselitizmi islam, por ka shumë dëshmi që nxënësit dhe prindërit i pëlqejnë ato. Pjesa më e madhe e tyre duken si institucione arsimore të ndershme, sipas standardeve amerikane. Të diplomuarit kanë rezultate mjaft të mira ose të shkëlqyera.
Por për çfarë shërbejnë shkollat? Ndër të tjera, ato duket sikur janë prodhuese parash për xhematin. Ato financohen me fonde private, shtetërore dhe federale, dhe janë jashtëzakonisht efektive në thithjen e donacioneve private. Shkollat janë gjithashtu fabrika për viza H-1B dhe ndoshta rruga kryesore për ndërtimin e komunitetit Gylen në Shtetet e Bashkuara. Në vitin 2011, 292 nga 1500 të punësuar në shkollën e frymëzuar nga Gylen, “Harmonia e Inovacionit”, një charter school në Teksas, kishin viza H-1B, tha për New York Times administratori i shkollës. Policia ka hetuar rrjetin e shkollave “Concept schools”, të cilat operojnë në 16 “Horizon Science Academies” në gjithë Ohajon, të dyshuara se përdornin në mënyrë të paligjshme paratë e taksapaguesve për të paguar tarifat ligjore dhe ato të emigracionit për personat që realisht nuk i kanë punësuar kurrë, zbuloi një degë e ABC në Ohajo. Dyshimi i federalëve u konfirmua nga kontrolli i shtetit. Concept Schools ripagoi tarifat për shkollat e tyre në Klivlend dhe Toledo pak para se të publikohej historia në ABC, por nuk është e qartë nëse ato ripaguan këto tarifa për shkollat e tjera.
Ndoshta për të shmangur hetimin në shkolla, njerëzit e “frymëzuar” nga Gylen vazhdimisht ftojnë udhëheqës të rangut të lartë të flasin nëpër darka dhe i vlerësojnë ata me çmime. Ju kujtohen udhëtimet në Turqi që shoqëria arsimore dhe kulturore turko-irlandeze organizonte? E njëjta gjë ndodh në Shtetet e Bashkuara. Dhjetra teksanë, duke filluar nga ligjvënësit e shtetit te anëtarët e stafit të kongresit e deri tek profesorët e universiteteve, kanë bërë udhëtime në Turqi të financuara nga fondacionet e Gylenit. Për shembull Fondacioni Raindrop, pagoi udhëtimin e senatores Leticia van de Putte në Stamboll, sipas një raporti të fundit. Janarin e kaluar, ajo u bë bashkë-nismëtare e një rezolute në senat që përgëzonte Gylenin për “kontributin e tij të vazhdueshëm dhe frymëzues për promovimin e paqes dhe mirëkuptimit global”.
Steve Terrell, një gazetar i “New mexican”, bëri disa hetime dhe zbuloi se një numër i shquar ligjvënësish lokalë kishte udhëtuar së fundmi në Turqi, falë sponsorizimeve nga një grup privat, “Turquoise Council of Americans and Eurasians”, që është i lidhur me Gylenin. Në Ajdaho vitin e kaluar, dhjetë ligjvënës shtetëror shkuan në turne në Turqi, falë sponsorizimit të Institutit Pacifica, edhe ky i frymëzuar nga Gylen. Komisioni shtetëror për etikën në Hauai u ka dërguar një memo ligjvënësve për t’u kujtuar atyre që të konsultoheshin me komisionin para pranimit të udhëtimit me të gjitha shpenzimet e paguar në Turqi, të ftuar nga Pacifica. “Komisioni Shtetëror i Etikës”, thuhet në mero, “nuk ka informacion të mjaftueshëm rreth Institutit Pacifica, qëllimin e udhëtimit, apo përfitimet e shtetit nga ky udhëtim”.
Nuk do të ishte cinike të pyesnin nëse të gjitha këto udhëtime janë të lidhura me sasinë marramendëse të parave publike që shkojnë në charter schools të frymëzuara nga Gylen. Në të vërtetë, Amerika është i vetmi vend në botë ku lëvizja Gylen ka qenë në gjendje të krijojë shkollat e financuara në masë të madhe nga taksapaguesit e vendit pritës.
Por a dëshiron xhemati diçka më shumë se para?
Mbështetësit e tij e quajnë një “lëvizje të shoqërisë civile bazuar në besim”. Mehmet Kalyoncu, një këshilltar i ambasadorit të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik në Kombet e Bashkuara, ka konstatuar drejt se armiqtë turq të Xhematit e konsiderojnë atë një krijesë të CIA-s ose Mossadit, një shërbëtor sekret të Papës, apo një kalë troje që përpiqet të kristianizojë myslimanët, apo t’i dobësojë ata. Për disa kritikë perëndimorë, si Michael Rubin, xhemati është “një kult i errët islamik”, anti-semit, anti-perëndimor, që përpiqet të islamizojë amerikanët. Gylen është një Khomeini i dytë, ka paralajmëruar Rubin, që po përpiqet të krijojë një kalifat të ri.
Por asgjë nga këto nuk është plotësisht e drejtë. Sipas studiuesit Ajdin Ozipek, i cili ka ndjekur një shkollë të Gylenit, “objektivi kryesor i Lëvizjes Gylen është të rrisë pushtetin e saj”. Kjo sipas meje është përshkrimi më i saktë. Xhemati është një problem, jo sepse anëtarët e tij janë myslimanë të devotshëm (që është ndoshta gjëja më e admirueshme për ta), por për shkak se është një biznes i etur për pushtet që shpesh sillet në mënyrë të neveritshme, si një mafie e thënë ndryshe. Gylen nuk ka drejtuar “medresetë” në Amerikë, siç kanë thënë disa, ai drejton rrjetet e shkollave. Ai nuk ka “praktikuar taqiya”, ai thjesht shtiret, si çdo politikan i zakonshëm.
Unë dyshoj që Gylen të jetë një kërcënim domethënës për interesat amerikane në Lindjen e Mesme. Për arsye pragmatike, lëvizja është miqësore ndaj çdo vendi ku mund të ndërtojë bizneset e saj. Në qoftë se jemi miqësorë me biznesin, ai do të jetë miqësor me ne. Xhemati nuk duhet të jetë një problem në Amerikë, për aq kohë sa jemi të vëmendshëm dhe anëtarët e saj i binden ligjit. Por syçeltësia është çelësi. Ja një tjetër fragment nga ky predikim famëkeq që u shfaq në vitin 1999: “Filozofia e shërbimit tonë është se, ne hapim një shtëpi diku, dhe me durimin e një merimange thurim rrjetën tonë duke pritur që njerëzit të bien në të, dhe ne i mësojmë që ata të bien. Nuk e thurim rrjetën për t’i ngrënë apo konsumuar ata, por për t’u treguar rrugën e ringjalljes, për të hedhur jetën në trupat dhe shpirtrat e tyre të vdekur, për t’u dhënë atyre një jetë”. Këto janë fjalët që sugjerojnë që aktivitetet e Gylenit në Shtetet e Bashkuara meritojnë mbikëqyrje, për shkak se biznesi i tij është i organizuar dhe ai mendon për të ardhmen.
Në përgjithësi, fuqia asimiluese e Amerikës ka një histori shumë më mbresëlënëse se ajo e Gylenit. Qëndrimi ynë ndaj lëvizjes së Gylenit në Amerikë ka qenë ai i duhuri: Dëno ata që duhen dënuar kur kryejnë krime konkrete sipas ligjit, – si mashtrim me vizat dhe ndoshta me fondet – dhe prit që brezi tjetër të bëhet amerikan.
Njerëzit e frymëzuar nga Gyleni i binden shtetit të së drejtës, të njëjtave ligje që ndjek çdo amerikan. Nëse ende nuk e kanë vënë re, atëherë me kohën do të kuptojnë se këto ligje janë të shkëlqyera dhe të lidhura me mundësitë ekonomike që ata gëzojnë. Madje, ata edhe mund t’i bëjnë mirë Amerikës, porsa kohë kanë hyrë në betejë me sindikatat e mësuesve; nëse ndjekësit e Gylenit mund t’i thyejnë këto sindikata, aq më mirë. Ndoshta një ditë, ne do të kemi një roman të madh të xhematit amerikan të nxjerrë nga përvoja e tyre.
Por ndërkaq, qëndrimi ynë ndaj lëvizjes si një aktor i politikës së jashtme, për aq sa mund të kuptoj unë ka qenë qesharak. Është gabim të mendohet se Gyleni mund të jetë një lloj aseti për ne ndërkombëtarisht, ose ta pranojmë dhe promovojmë atë si të tillë. Ai nuk është i zgjedhur në Turqi – aleatja jonë në NATO – apo kudo tjetër. Është në interesin tonë të shohim Turqinë që të ketë një demokraci të plotë liberale. Kjo do të thotë të mbështetësh idealet e shpallura nga Gylen, jo vetë atë.
*Gazetare e njohur amerikane që ka shkruar për mediat kryesore të SHBA-së. Ka jetuar për shumë vite në Stamboll, deri në prag të protestave të parkut Gezi. Kjo analizë është botuar para tre vitesh në city-journal.org
LEVIZJA SYNON.
1. RRITJEN E RIVALITETIT NE TURQI DHE KJO CON UJE TEK MULLIRI I IRANIT.
2. SHBA-TE DUKE MBESHTETUR KETE TIPIN I “NGATERROJNE” AKOMA ME
SHUME TURQINE ME IRANIN QE ASNJERA TE MOS MUND TE NGREJE
KOKEN.
PROBLEMI TANI ESHTE SE I KA NGECUR SHARRA NE GOZHDE, PASI NJEREZIT JANE “ZGJUAR NGA GJUMI”
PERPARA ERDOAN.
Me kete fjalen e fundit e ndrite fare. Para sulltan thuaj,,,hyxhymmmm
ik re turkofil
…ore cfare me duhen keto studime…shkoni ne shkollat e Gylenit ne Shqiperi e tu thone qe Skenderbeu eshte tradhetar…skandal…Gyleni eshte Bin Ladeni turk…pike…mbaroi historia….
Ke kater dite qe shkruan te njejtat gjera. Nuk u lodhe mer burr? Nga shkruan, nga selia e TIKA-s? Nga halete e Mehdi Gurres me Alsarin? Paske rroge te majme zoteri qe ben kete punen e trolleri.
Gazeta “DITA” apo gazeta “NATA”.
Te mburresh se ke bere gazetarllek me shkrimin e dikujt tjeter i thon te mburresh me ato muhabetet e dajes.
Diçka nga vetja ke per te shkruar? Diçka per te cilen vete ti DITA ke investiguar a ke? Jo? Atehere vazhdo e gri sallate shiko se mos ka shkruar dikush tjeter ndonje gje tjeter….