Një rrufë e patrajtuar çon në komplikacione të shumta. Në raste të tilla kemi të bëjmë me një inflamacion që duhet mjekuar detyrimisht. Sistemi respirator është i tëri një që nga pjesa e sipërme e hundëve dhe deri në mushkëri. Mostrajtimi i problemeve alergjike që në fillesë çon në shfaqjen e formave të rënduara të astmës. Konkretisht neglizhenca për trajtimin e rrufës alergjike sjell rëndimin e gjendjes shëndetësore të pacientëve. Duke qenë se është i njëjti sistem i frymëmarrjes, që fillon nga hunda dhe kalon më pas në mushkëri, një rrufë e pamjekuar mirë me kalimin e kohës mund të na japë edhe simptoma të astmës, madje edhe të formave të rënda.
Shfaqja e krizave dhe atakut astmatik
Një astmë e pamjekuar mirë bën gjendje të rënda te pacienti. Në këtë rast flitet për dy forma, siç janë kriza astmatike dhe ataku astmatik, për të mos shkuar pastaj në status, e cila është dhe forma më e rënduar. Në rastet e krizës dhe atakut astmatik, pacienti shfaq bllokim të rrugëve të frymëmarrjes dhe nuk arrin dot të mbushet me frymë. Te ky pacient, nëse nuk merr mjekimin menjëherë, atëherë ky bllokim i rrugës së frymëmarrjes vjen duke u rënduar edhe më shumë, e cila çon në shfaqjen e krizave të vazhdueshme të astmës. Këto forma kërkojnë mjekim të specializuar, duke u shtruar në spital. Trajtimi në këtë rast konsiston në gjetjen e formave për të dalë nga kjo gjendje. Më pas kalohet në mjekimin me pompat, të cilat janë ose me mjekimin kortizonik, që është pompa kryesore, si dhe me përdorimin e pompave që janë me veprim afatshkurtër ose afatgjatë.
Astma kërkon mjekim gjatë gjithë jetës
Astma është sëmundje kronike. Ajo është sëmundje që nuk shërohet, por mjekohet. Duke marrë mjekimin ndodh që pacienti të bëhet mirë dhe të bëjë një jetë më se normale. Në momentin që pacienti bëhet mirë, trajtimi konsiston në rregullimin dozave të mjekimit. Kështu, për rastet kur pacienti shfaq gjendje të qëndrueshme dhe përmirësim të shenjave të astmës, ne veprojmë me uljen e dozës së mjekimit. Ndërsa për rastet kur pacienti shfaq rëndim të gjendjes, veprohet me shtimin e dozës së trajtimit. Kjo dozë përcaktohet në varësi të gjendjes shëndetësore që paraqet pacienti, çka do të thotë se është e ndryshme tek individë të caktuar.
Shkaktarët që nxisin komplikacionet alergjike
Shkaktarët alergjikë në ajër më të shpeshtë janë mikroorganizmat që ndodhen te pluhurat e shtëpisë dhe polenet e ndryshme. Por ajo mund të shkaktohet dhe nga substanca të ndryshme të prejardhura nga kafshët shtëpiake, mykrat e ambienteve të brendshme, por dhe të jashtme, alergjenët e tjerë që gjenden tek ilaçet dhe ushqimet, viruset e ndryshme që kapin rrugët e frymëmarrjes, siç janë të ftohurat e zakonshme. E mira është që në këtë periudhë kohe të kufizohen shumë daljet në pikun e orarit kur alergentët janë në ajër, siç është ora 10:00 me 14.00. E mira është që të rrihet sa më larg ambienteve ku ndotja është shumë e madhe. Çka do të thotë se ndotjet dhe prania e alergenteve bën që të rëndohet gjendja e pacientëve me astmë apo atyre me rinit alergjik.
Kura e papërfunduar rikthen problemet alergjike
Riaktivizimi nga ekspozimi ndaj këtyre shkaktarëve në ajër bën që të gjitha këto simptoma të aktivizohen edhe më shumë. Prandaj duhet bërë shumë kujdes në mjekim. Ka shumë pacientë që nuk e marrin mjekimin në rregull dhe sipas recetës së përcaktuar nga mjeku. Nuk janë të pakta rastet në të cilat ndodh edhe shkëputja e trajtimit mjekësor.
Mjekja tregon se ka ndodhur shumë herë që pacientët, pasi kanë nisur kurën trajtuese kanë konstatuar se gjendja e tyre shëndetësore ka ardhur duke u përmirësuar, e për pasojë ata kanë vepruar me ndërprerjen e trajtimit mjekësor, duke mos e çuar atë deri në fund. Në këtë pikë duhet treguar edhe kujdesi më i madh, pasi ky pacient jo vetëm që nuk përmirësohet, por është i ekspozuar ndaj rëndimit të gjendjes shëndetësore duke kaluar në forma më të rënduara, të cilat bëhen evidente pas pak kohësh sërish. Këtë radhë edhe më të rënda se ato të shfaqura në nisje të trajtimit mjekësor.