Çelen aplikimet për studime universitare dhe pasuniversitare në Rusi përmes programit të bursave. Në kuadër të bashkëpunimit dypalësh Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Federatës Ruse i akordon kandidatëve shqiptarë 15 bursa shtetërore për studime universitare dhe pasuniversitare në strukturat e arsimit të lartë publik të këtij vendi.
Ministria jonë e Arsimit ka komunikuar nisjen zyrtare të procedurave të aplikimit, duke vënë në dukje faktin se dhjetë nga bursat janë për studime universitare në programet e studimit bachelor, specialist dhe magjistraturë, teksa 5 për studime pasuniversitare në programet e doktoraturës.
Të interesuarit për këto bursa studimi duhet të dorëzojnë brenda tre ditëve të ardhshme në Ministrinë e Arsimit dokumentet e kërkuara. Dokumentet e kandidatëve duhet të jenë të plota dhe të përkthyera në gjuhë ruse dhe të noterizuara. Aplikimet e paplota nuk do të konsiderohen në përzgjedhje. Kandidatëve fitues u paguhet bursë shtetërore mujore.
Akomodimi në konviktin e institucionit arsimor ofrohet me të njëjtat kushte si për shtetasit rus. Pala ruse nuk merr përsipër përballimin e shpenzimeve për udhëtimin e kandidatit deri në vendet e studimit. Sipas legjislacionit rus të emigracionit, vajtja e kandidatit fitues në Rusi duhet të realizohet jo më vonë se 20 ditë kalendarike para skadimit të vizës hyrëse për qëllime mësimi. Ndërkohë që kandidatët që nuk flasin gjuhën ruse duhet t’i nënshtrohen vitit përgatitor të gjuhës, i cili fillon në 1 shtator 2013.