Skënderbeu vijon përgatitjet për sfidën më të rëndësishme, përballjen me Dinamon e Zagrebit që do të fusë korçarët në historinë e futbollit shqiptar. Dështimi në Superkupë ndaj Lacit duket si diçka e largët për kampionët, që të mërkurën në “Elbasan Arena” do të tentojnë të shkruajnë me gërma të arta historinë e futbollit shqiptar për klube. Mesfushori Sabien Lilaj hedh tutje zhgënjimin për humbjen me kurbinasit duke shpresuar që në shtëpinë e Kombëtares Shqiptare ekipi kampion të gjejë ngrohtësinë që merr edhe formacioni i De Biasit.
“Jemi të mërzitur nga Superkupa, por kjo është ndeshja e jetës. Shpresojmë që stadiumi të jetë plotë dhe tifozët të na mbështesin sa më shumë”, raporton Supersport. Lilaj është një njohës i mirë i futbollit kroat, duke qenë se është aktivizuar në skuadrën satelit të Dinamos, Lokomotivën e Zagrebit. Një pjesë e mirë e skuadrës aktuale tek kampionët e Kroacisë kanë qenë në ekip me 26-vjeçarin korçar. Lilaj nuk e sheh të pamundur ëndrrën për t’u kualifikuar pavarësisht se kundërshtari mbetet i një niveli të lartë. “Është e vërtetë që kam luajtur me Lokomotivën e Zagrebit dhe një pjesë e mirë e skuadrës aktuale të Dinamos kanë qenë me mua në atë skuadër. Dinamo nuk është më ai ekipi i dikurshëm por gjithsesi mbetet një ekip i mirë. Ne kemi shanset tona për t’u kualifikuar. Mundësitë e Skënderbeut janë reale, pasi nëse do të luanim ndaj Baselit do të ishim të dorëzuar. Duhet të jemi me këmbë në tokë pasi jemi inferiorë ndaj kundërshtarëve europianë”. Sabien Lilaj e merr me humor tentativën për të dhënë një parashikim edhe pse duket i bindur që Skënderbeu nuk do të humbasë në sfidën e parë. “Nuk kam ndonjë parandjenjë, por mund të them që sfida do të dalë 0 me 0 ose 1 me 0″.