Sot mbahen zgjedhjet politike në Itali, dhe me këtë rast Eugenio Scalfari, një nga “dekanët” e gazetarisë italiane, ka dalë me një kryeartikull në La Repubblica, ku analizon disa çështje kyçe të votës italiane, në një moment sërish kyç për jetën e vendit dhe vetë Europën.
Më tërhoqi veçanërisht vëmendje pasazhi i mëposhtëm, ku Scalfari pyet se kush e ka fajin, që personazhe të tilla groteske, si Berlusconi ose Beppe Grillo, rrezikojnë të vijnë në pushtet dhe ta shkatërrojnë shtetin, dhe përgjigjet vetë se fajin e kanë italianët që i votojnë; dhe pastaj, pyetjes tjetër se pse ua besojnë italianët votën personazheve të tilla, i përgjigjet kështu:
Deri 150 vjet më parë, italianët s’kanë pasur kurrë shtet. Para se ta shpallnin e për shumë shekuj, u sunduan prej gotëve, longobardëve, frankëve, perandorëve gjermanë, papëve dhe pastaj edhe normanëve, svevëve, Spanjës, Francës dhe Austrisë. Më në fund, kur punët dukej sikur ishin vënë në vijë, Piemonti dërgoi ushtrinë dhe e pushtoi Jugun, që e kish çliruar Garibaldi; ose të paktën kështu e përjetoi Jugu vetë gjatë luftës së tmerrshme të kaçakëve […].
Përfundimi: italianët nuk e kanë dashur kurrë shtetin, e konsiderojnë si trup të huaj, në mos fare si armik. Prandaj nuk duan rregulla. Janë dinakë ose leshko [gonzi], aq sa edhe gjithkush tjetër, por më dinakë dhe më leshko se të tjerët. Leshkot mbeten gojëhapur me gomarin që fluturon, edhe pse nuk e kanë parë kurrë me sytë e tyre. Për dinakët, vlen para së gjithash vota me këmbim [voto di scambio], të cilën e zbatojnë në shkallë jashtëzakonisht të gjerë, dhe jo aq për pará, sesa për favore. Mafia dhe kamorra kanë jetuar dhe jetojnë duke u mbështetur në këtë votë me këmbim, por edhe klientelat, vëllazëritë, korporatat lulëzojnë e rriten mbi të. Prandaj duhet një ndryshim. Vetëm zemërimi çon pashmangshëm në diktaturë; pas sankylotëve vjen gjithnjë një Robespierre, dhe pas këtij një Napoleon.
Të them se e ka shkruar për Shqipërinë, fyej inteligjencën e lexuesit.