Nuk janë më vetëm të moshuarit ata që përballen me probleme sa i takon humbjes së kujtesës, crregullimeve të sjelljes, të cilat shfaqen si shkak i sëmundjes së Alzheimerit. Në një intervistë për lexuesit e “Dita”, mjekja Ilda Xhelili tregon se nga kjo sëmundje po preken edhe moshat më të reja. Sipas saj, Alzhaimeri, është një nga patologjitë më të shpeshta që po prek gjithnjë e më tepër moshat mbi 65 vjeç, por kohët e fundit, kjo sëmundje po shfaqet edhe tek moshat më të reja. I pari që e përshkroi këtë sëmundje ka qenë neoropsikiatri gjerman Alois Alzheimer në vitin 1906, prej të cilit kjo sëmundje ka marrë edhe emrin. Sipas të dhënave studimore në vitin 2006 rezultojnë të prekur nga kjo sëmundje rreth 26.600.000 njerëz në të gjithë botën. Deri në vitin 2050, në nivel global parashikohet që kjo sëmundje të prekë 1 në 85 persona (incidenca).
Por çfarë është sëmundja e Alzheimerit ?
Alzheimer është një nga llojet e demencës (degjenerimi i trurit) që shkakton probleme me kujtesën, të menduarit dhe mënyrën e sjelljes. Zakonisht simptomat zhvillohen ngadalë, përkeqësohen me kalimin e kohës derisa arrijnë në pamjaftueshmëri për të kryer detyrat e përditshme. Kjo ecuri e ngadaltë mund të zgjasë për shumë vite. Ndryshimet më të hershme mund të jenë kaq të lehta, saqë shpesh është e pamundur të përcaktohet koha e saktë e fillimit të tyre.
Mosidentifikimi i sëmundjes që në stadet më të hershme, çfarë problemesh sjell për sistemin nervor?
Karakteristike kësaj sëmundjeje është humbja e ngadalshme e aftësive intelektuale pra ajo që quhet demenca. Në fakt me kalimin e moshës truri i njeriut pëson rrudhosje të masës së tij dhe humbje në peshë (atrofia). Ky është një shoqërues i paevitueshëm i moshës së shkuar. Megjithatë, në shumë raste kjo nuk ka ndonjë rëndësi të madhe klinike, sepse ka shumë njerëz të moshuar të cilët mbeten aktivë, me perceptim të mirë dhe me intelekt të mprehtë deri në fund të jetës së tyre. Pra, në rastet kur demencat shfaqen në moshat e thyera mund të flitet thjesht për demenca senile (pra që vjen si rezultat i pleqërisë së thellë). Në rastin e sëmundjes së Azheimerit kemi të bëjmë me mosha më të reja. Ekziston një prirje në qarqet mjekësore që i konsideron ndryshimet patologjike në sëmundjen Alzheimer, si pasoja të pashmangshme të moshës.
Cilat janë shenjat më të shpeshta klinike që shoqërojnë këtë sëmundje ?
Simptomat e hershme, shpesh mendohet gabimisht të jenë të lidhura me moshën, ose si manifestime të stresit. Në fazat e hershme, simptoma më e zakonshme është vështirësia për të kujtuar ngjarjet e fundit, e njohur kjo si humbje e kujtesës afatshkurtër. Ndërsa sëmundja përparon, simptomat mund të përfshijnë konfuzion, nervozizëm, agresivitet, problem me të folurën, me humbjen e kujtesës afatgjatë. Shpesh ata preferojnë të rrinë të tërhequr, si nga shoqëria, ashtu edhe nga familjarët e tyre. Gradualisht vijnë duke u ulur edhe funksionet e përkujdesjes së përditshme. Gjithsesi ecuria klinike për çdo individ është e ndryshme dhe është i vështirë përcaktimi i ecurisë për çdo individ. Shkaku dhe përparimi i sëmundjes së Alzheimerit ende nuk janë të qarta. Trajtimet aktuale ndihmojnë vetëm në lehtësimin e shenjave (simptomave) të sëmundjes. Ende nuk ka trajtime specifike që të parandalojnë zhvillimin progresiv të sëmundjes.
Cilat janë masat parandaluese ?
Nuk është se ka të dhëna të sakta për prevenimin e sëmundjes. Megjithatë këshillohet përkujdesje për sëmundjet e zemrës dhe të tensionit, për uljen e nivelit të yndyrave në gjak. Me rrezik më të ulët për zhvillimin e kësaj sëmundjeje rezultojnë njerëzit që merren me aktivitete intelektule si leximi, shkrimi i kujtimeve, lojëra me pazlla, fjalëkryqe, përdorimi i instrumenteve muzikore, marrëdhëniet e mira shoqërore, mësimi i gjuhëve të huaja. Kujdes duhet treguar edhe me ushqyerjen. Rreziku është më i lartë kur përdorim yndyra, sheqerna, proteina shtazore. Më shumë dobi janë edhe aktivitetet sportive apo ecjet dhe shëtitjet në ajër të pastër.
Pasojat që shfaqen në shëndet
- Sot, sëmundja e Alzheimerit është një nga sëmundjet më të kushtueshme për shoqërinë. Pasojat e saj janë fizike, psikologjike, ekonomike dhe sociale.
- Meqenëse sëmundja është degjenerative, pa kthim prapa, këta të sëmurë kanë nevojë për një kujdestar gjatë jetës së tyre (që zakonisht është njëri prej familjarëve të pacientit.
- Por, kjo sëmundje nuk i prek të gjitha kapacitetet e kujtesës në mënyrë të barabartë. Kujtimet e vjetra të jetës së personit (kujtesa episodike), si edhe kujtesa e jetës së përditshme (si për shembull mbajtja e lugës dhe e pirunit gjatë ngrënies) preken në një masë më të vogël se sa faktet apo kujtimet e reja.
- Problemet e gjuhës karakterizohen zakonisht nga pakësimi i fjalorit dhe ulja e rrjedhshmërisë së të folurit të cilat çojnë në një varfërim të përgjithshëm të gjuhës së folur dhe të shkruar. Në këtë fazë të sëmundjes zakonisht personi është në gjendje t’i komunikojë idetë e tij në mënyrë të saktë. Ndërsa sëmundja përparon, të sëmurët shpesh mund të vazhdojnë të kryejnë detyra, por në këtë periudhë mund të kenë nevojë për ndihmë ose mbikëqyrje.
- Ndërkohë që sëmundja avancon, pacientët humbasin pavarësinë në kryerjen e veprimtarisë së përditshme, shtohet vështirësia në të folur deri në paaftësi për të kujtuar fjalorin gjë e cila shpesh çon në zëvendësime të pasakta të fjalëve.
- Leximi dhe shkrimi humbasin gjithashtu në mënyrë progresive. Gjatë kësaj periudhe problemet e kujtesës rëndohen duke arritur deri në mosnjohje të familjarëve të ngushtë. Kemi tani prekje të kujtesës afatgjatë, e cila në fillim ishte e paprekur.
- Në këtë fazë ndryshimet neuropsikiatrike bëhen më të theksuara. Shtohet nervozizmi, shpërthimet e të qarave, agresiviteti, rezistenca ndaj përkujdesjes, por mund të ndodhë edhe e kundërta, tërheqja në vetvete dhe përhumbja.
- Mund të shfaqen edhe halucinacione, iluzione, urinimi i pavullnetshëm. Dhe në fazat e fundit fjala pothuaj reduktohet fare, i sëmuri ka nevojë për ndihmë në çdo veprim të tijin, pra për përkujdesje pasi reduktohet edhe forca muskulare.
- Në fazat terminale shkaku i vdekjes është zakonisht një faktor i jashtëm, si për shembull infeksione të ndryshme, pneumonitë, dekubituse (hapja e mishit nga qëndrimi shtrirë) dhe jo nga vetë sëmundja.
Pershendetje! U be shkas nje skaner truri qe zhvillova tre dite me pare, qe po ju shkruaj..Neurologu im verejti nje atrofi te anes se majte. Jam e shqetesuar per ecurine…si duhet te kujdesem qe mos te avancoje .ju faleminderit