Prej të paktën tri vitesh, Shtetet e Bashkuara kishin njohuri mbi lëvizjet e një prej liderëve më të egër të karteleve të drogës, Trevino Morales, i njohur ndryshe si “Z-40”, por zgjodhën të mos i raportonin ato në Meksikë deri pak javë më parë, kur ai u arrestua në Nuova Laredo
Miguel Angel Trevino Morales u arrestua mëngjesin e 16 korrikut nga forcat e sigurisë meksikane në Nuova Laredo, qytet në kufi me Shtetet e Bashkuara. Ky është një ndër arrestimet më të rëndësishme të viteve të fundit pasi 40-vjeçari është kreu i kartelit “Los Zetas”, një nga organizatat kriminale më gjakatare në vend, e cila kontrollon trafikun e drogës dhe të qenieve njerëzore.
Por, në bazë të të dhënave që kanë grumbulluar zyrtarë meksikanë pas kapjes së tij, del në dritë një fakt kundërthënës: “Që nga viti 2011, DEA (agjencia federale amerikane e antidrogës ) kontrollonte operacionet dhe lëvizjet e Z-40-s dhe anëtarëve të tjerë të grupit të tij, madje kishte dërguar agjentët e saj që të blinin informata edhe mbi armiqtë e tij në kartelet rivale. Këto të dhëna nuk iu dorëzuan autoriteteve meksikane”, pohojnë zyrtarë të shtetit amerikanoqendror.
Oficerët e lartë të konsultuar nga “24 Horas”, pranuan se ishin të zhgënjyer pasi agjencia amerikane e ruajti të fshehtë agjendën e opercioneve të fundit ku ishin mbledhur informacione të shumta gjatë viteve, e që u ndanë me Meksikën vetëm pak javë më parë. Rezultati: Z-40 vijonte aktivitetin e tij në tregtinë e drogës, menaxhimin e emigracionit të paligjshëm, vjedhjen e naftës dhe prostitucionin në liri të plotë, “pasi ai i duhej DEA-s”.
“Ky raport me Shtetet e Bashkuara duhet të ndryshojë, informacionet këtej e tutje duhet të ndahen dhe jo të administrohen nga ato. Kjo është ajo mbi të cilën ne po punojmë”, shprehet një nga oficerët.
Pasi analizuan të dhënat mbi “Los Zetas” të siguruara nga DEA nëpërmjet policisë federale, ushtrisë dhe flotës ushtarake, zyrtarët meksikanë zbuluan detaje të cilat tregonin se DEA ka informatorë brenda strukturës së kartelit.
Por ato që tërhoqën më shumë vëmendjen e oficerëve ishin treguesit që sygjeronin se agjentët amerikanë të antidrogës kishin dijeni për lëvizjet e Z-40-s në disa nga strehat e tij më të sigurta: në Tamaulipas, Veracruz dhe Coahuila. Po ashtu, ata dispononin informacione mbi kontaktet e tij në Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara, si dhe mbi disa vrasje në Tamaulipas për të cilat Trevino ishte përgjegjës.
Në 2012-n brenda hierarkisë së “Los Zetas” filluan akuzat kundër liderit të grupit Heriberto Lazcano (El Lazca) si dhe Trevino Moralesit, mbi të cilët u ngritën dyshimet se ishin informatorë të policisë. Pas vdekjes së Lazcano të gjitha akuzat ranë mbi Z-40-n.
Prej mëse një viti e gjysmë Trevino ishte bërë drejtuesi i kartelit, pas vrasjes së El Lazca. Ai është konsideruar gjithmonë si një “shfarosës”, një burrë pak i prirur ndaj kompromiseve dhe i vendosur në zhdukjen me plane ushtarke të kundërshtarëve jo të paktë. Z-40 ka urdhëruar ekzekutime të papërshkrueshme me sëpata e armë të tjera, ku një ndër të shumtat e që tmerroi botën ishte kasaphana e vitit 2011, kur në një fermë në San Fernando, në Tamaulipas, u gjetën 193 trupa të pajetë, të vrarë me urdhër të tij.
“Nga faktet e mbledhura e dimë se Z-40 siguroi të dhëna mbi disa prej rivalëve brenda organizatës së tij, në mënyrë që ata të arrestoheshin dhe ishte pikërisht DEA që e grumbulloi këtë material”, thotë një prej oficerëve. Gjë që u verifikua qartësisht në rastet e shokëve të tij, Raúl Lucio Hernández dhe Enrique Rejón Aguilar, të cilët u arrestuan gjatë 2011-s, në qytetin e Meksikos. Raste të tjera, ku autoritetet meksikane dyshojnë se Z-40 tradhtoi partnerët e grupit të tij janë ato të Luis Reyes Enriquez, Jamie González Durán dhe Daniel Pérez, të arrestuar midis viteve 2008-2009.
Gjatë vitit të fundit, Trevino Morales iu desh të tërhiqej. Pushteti i tij brenda kartelit u mpak, kjo pasi akuzat mbi tradhtitë e kryera ishin bërë të papërballueshme, aq sa nisën ta etiketonin me nofkën “Juda”. Ai konsiderohej edhe si një nga përgjegjësit kryesorë të vrasjes së “El Lazca” nga flota meksikane.
Megjithatë Trevino Morales nuk u largua nga territori i Tamaulipas dhe Coahuilas. Aty ndihej më i mbrojtur dhe kishte kontroll në disa nga operacionet e drogës, vjedhjes së naftës dhe trafikimit të emigrantëve. Këto aktivitete i siguruan para ‘cash’ të cilat i përdorte për t’u zhvendosur. Në të njëjtën kohë ai po përpiqej të krijonte kontakte të reja me bandat në Shtetet e Bashkuara.
Por, me sa duket, të dhënat e fundit mbi lidhjet dhe veprimtarinë e tij nuk ishin më dhe aq të dobishme për antidrogën amerikane. “Ndoshta, ai nuk i nevojitej më DEA-s dhe prandaj, pak javë më parë agjencia amerikane ua kaloi koordinatat për vendndodhjen e tij autoriteteve meksikane”, shprehet oficeri.
Dyshimet se Trevino kishte një fëmijë rezultuan të vërteta. Ai është babai i një djali të vogël që jeton në Nuevo Laredo. Ka të ngjarë që Z-40 po drejtohej atje në një nga vizitat e tij të shpeshta, në momentin e arrestimit. Në hartë ndodhen tre lokalitete të qarkuara: në të djathtë zona ku banonte Trevino, në mes vendi ku u arrestua dhe në të majtë qyteti ku jeton djali i tij. I gjithë operacioni zgjati rreth 7 minuta. Kamionçina e Trevinos, një “Ford F250” (model i 2013-s) nuk po udhëtonte në rrugën kryesore, por në një rruginë anësore të pashtruar, ndërkohë që në ndjekje të saj ishte vënë një helikopter i zi, dhuratë e SHBA-së për forcat speciale meksikane. Ai ndryshoi të paktën një herë drejtimin e automjetit me të cilin po udhëtonte, në përpjekje për të çorientuar autoritetet.
Fillimisht u identifikua nga dy tatuazhet e tij: një kobra në pjesën e brendshme të parakrahut, dhe një tatu në kurriz ku shkruhet: “Hecho en Mexico” (Made in Mexico). Para autoriteteve e identifikoi veten menjëherë si Miguel Trevino, alias Z-40. Pasi iu mor ADN-ja, u shoqërua në burgun federal të sigurisë së lartë “Altiplano No1” në periferinë e shtetit të Meksikos. Është i njëjti burg ku ndodhet Jose Balderas, alias “el JJ”, i dënuar me 3 vjet për bashkëpunim në një tentativë vrasjeje ndaj futbollistit meksikan Salvador Cabañas, i cili arriti t’i mbijetojë plumbit që mori në kokë. Arrestimi i Trevinos mund të nxjerrë në pah përçarjet midis “Los Zetas”./ D.Gjuzi