Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneralmajor Jeronim Bazo, është duke marrë pjesë në Konferencën e shefave të Shtabit të Përgjithshëm të vendeve të Ballkanit.
Konferenca e 9-të shefave të Shtabit të Përgjithshëm të vendeve të Ballkani është duke u zhvilluar në Budva, Mali i Zi nga data 26 – 28 maj 2015. Në këtë konferencë marrin pjesë shefat e Shtabit të Përgjithshëm të vendeve anëtare të kësaj iniciative, Shqipëria, Mali i Zi, Bosnje dhe Hercegovina, Maqedonia, Serbia, Bullgaria, Rumania, Turqia, Greqia, ndërsa të ftuar janë edhe titullarë të Forcave të Armatosura të Sllovenisë, Kroacisë, EUCOM, Komandës së Forcës së Bashkuar të NATO në Napoli si dhe zëvendëskryetari i Komitetit Ushtarak të NATO.
Gjatë konferencës do të diskutohen raportet vjetore të Grupit Koordinator, të Stërvitjes, të Zbulimit si dhe Komunikimit e Ndërlidhjes. Gjithashtu, një hapësirë të veçantë do të ketë promovimi i kapaciteteve kombëtare si dhe bashkëpunimit ushtarak në këtë kuadër. Vlen për t’u theksuar, se përveç grupeve të punës, vendet e ndryshme anëtarë të kësaj iniciative organizojnë stërvitje të përbashkëta dhe kurse të ndryshme të cilat kanë ndikuar në rritjen e ndërveprueshmërisë së forcave si dhe kanë qenë një platformë për promovimin e paqes, sigurisë dhe integrimit në strukturat euroatlantike.