Trajneri i Bylisit, Naxhi Shensoji, ka akuzuar hapur FSHF-në për humbjen në finalen e Kupës. Skuadra e tij mbeti me dhjetë lojtarë që në minutën e njëzetë, kur Besmir Arifaj u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë. I pari ishte për një faull pranë zonës ballshiote, ndërsa i dyti për simulim në zonën e Laçit. Vetë Arifaj është shprehur se nuk shkaktoi faull, por kartoni i dytë i Bardhyl Pashajt erdhi pas pretendimit për penallti nga ana e lojtarit. Për Shensojin, i gjithi ky ka qenë një skenar i drejtuar nga federata, për t’i dhënë Kupën Laçit. “Luajtëm për 100 minuta me një lojtar më pak”, thotë trajneri në faqen e tij në Facebook. “Për këtë finale duheshin gjyqtarë të huaj, por federata nuk dëshironte t’i sillte”. Pavarësisht humbjes, Shensoj është shprehur krenar për daljen në finale dhe lojën për 120 minuta.