I dënuari nga drejtësia italiane në gjyqin ndaj organizatës të njohur si “Kanun”, Rudin Çalliku, është arrestuar ditën e djeshme në qytetin e Shijakut. I kërkuar ndërkombëtarisht është akuzuar për një sërë veprash të rënda penale në vendin fqinj. Rudin Çalliku, 40 vjeç dhe banues në Shijak, është shpallur në kërkim nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, më datë 26 qershor 2012, pasi homologët e Interpol Roma kërkonin që të ekzekutohej vendimi i autoriteteve gjyqësore të Xhenovës, që kishin lëshuar ndaj tij urdhër arresti më 18 mars 2002. I riu akuzohej për veprat penale “trafik droge”, “tentativë vrasjeje” dhe “pjesëmarrje në organizata kriminale mafioze”. Maksimumi i dënimit për veprimtarinë kriminale në fjalë arrin në 24 vjet burgim. Ndërkohë bëhet e ditur se vijojnë procedurat nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Durrësit për ndalimin me qëllim ekstradimi të Rudin Çallikut drejt Italisë.