Super Strakosha ruan të paprekur portën dhe siguron fitoren e skuadrës me pritjet e tij. Nuk është fjali e marrë nga arkivi për ndonjë ndeshje të dikurshme, por një fjali nga aktualiteti, për ndeshjen e djeshme midis Romës dhe Lacios, për kampionatin italian të të rinjve, ku protagonist ishte Thomas Strakosha, djali i legjendarit Foto. Në pritje të derbit të Serisë A, i cili do të luhet të hënën, ndeshja midis skuadrave Primavera ka shërbyer si antipastë dhe fitues ka dalë Lacio. Goli vetëm i takimit është shënuar nga Keita, senegalez me pasaportë spanjolle, i rritur në akademinë e Barcelonës. Mesfushori i ri cilësohet me të ardhme premtuese, ashtu si dhe portieri Strakosha, i cili ka ndalur sulmet e shumta të Romës në kërkim të golit të barazimit, por edhe para epërsisë së lacialëve. Epiteti “Super Strakosha” i është vënë nga “La Gazzetta dello Sport” që shkruan se portieri është i biri i Foto Strakoshës, shok skuadre dhe mik i drejtorit sportiv të Lacios, Igli Tare. “Ai hyri me majat e gishtave në Formelo dhe brenda pak muajve bë portieri i tretë skuadrës së parë”, shkruan “La Gazzetta”. Pas paraqitjeve të shkëlqyera të Lorik Canës, edhe paraqitja e Strakoshës së ri është një notë plus për Taren, i cili duket se ka bërë goditjet e duhura për këtë klub, duke iu bashkangjitur edhe dy protagonistët kryesorë, trajnerin Vladimir Petkoviç dhe sulmuesin Miroslav Klose.