E përditshmja suedeze “The Local” ka denoncuar rastin e disa agjentëve të modeleve të paskrupuj që iu ofronin pasarelat vajzave të cilat kurohen në një klinikë të specializuar për anoreksi e bulimi dhe që janë aq të dobëta sa lëvizin në karrige me rrota
Akuza të rënda janë ngritur kundër disa agjentëve anonimë modelesh nga Ana Maria Sandeberg, drejtoreshë e një klinike në Stokolm, që merret me kurimin e vajzave të sëmura nga anoreksia dhe bulimia. “Disa prej tyre qëndronin jashtë ndërtesës në pritje të vajzave që dilnin për shëtitje, të cilave më pas u afroheshin dhe iu bënin propozime meskine pa marrë në konsideratë gjendjen e tyre”, tregon ajo për të përditshmen “The Local”.
Një paciente që trajtohet për anoreksi ka një tregues të masës trupore të barabartë me 14, ndërsa për një grua me shëndet normal ky tregues shkon midis 18.5 deri në 24.9. Këta “çakallë”, siç i quan shtypi vendas, bëjnë sikur nuk e kuptojnë që vajzat janë të sëmura rëndë dhe synojnë të mbushin pasarelat me skelete të gjalla. Qendra për Çrregullimet e të Ushqyerit në Stokolm ishte pika e tyre e referimit. Pas zhurmës mediatike, duket se “agjentët” janë larguar nga rrethinat e saj, por askush nuk siguron që nuk do të kthehen.
“Të mendosh që ka njerëz të tillë, të cilët presin me orë të tëra jashtë klinikës duke iu ‘vardisur’ pacienteve tona me qëllimin e vetëm për t’i shfrytëzuar. Janë meskinë dhe të pamoralshëm”, thotë Sanderberg. Midis episodeve më shqetësuese është ai i një pacienteje aq të dobët, sa nuk mund të lëvizte dot pa karrigen me rrota. Me të patën biseduar për ta ngjitur në pasarelë. Por ka më keq: një 14-vjeçare që vuante nga dobësia ekstreme, teksa shëtiste në parkun përballë klinikës, i lanë një kartëvizitë duke i premtuar se do ta shndërronin në një supermodele. Vajza më pas i tregoi së ëmës, punonjëse e qendrës së kurimit, e cila kontaktoi me agjentin.
“Iu telefonova dhe iu shpjegova se vajza ime ishte e sëmurë”, tregon Kristina Lilman Ringborg. “M’u përgjigjën se ata punësonin njerëz normalisht të dobët dhe se nuk detyronin askënd që të humbte në peshë”. Me fjalë të tjera, “nuk është faji ynë nëse vajza juaj është aq e dobët sa nuk qëndron në këmbë, ama për ne mund të sfilojë”.
Askush nuk di asgjë. Të gjitha agjencitë suedeze të modeleve deklarojnë se nuk e njohin dhe nuk kanë dëgjuar ndonjëherë për një formë kaq ekstreme të zgjedhjes së modeleve. Drejtuesi “Elite Model Managament” në Stokholm, Fredo Kazemi, e ka cilësuar ndodhinë si “të pështirë dhe kundër çdo etike”. Me sa duket, “çakallët” janë sipërmarrës të vetvetes.
Anxhelika Karlson, e shtruar në qendrën në fjalë, në një intervistë për gazetën “Metro” deklaron: “Vuaj nga një formë e rëndë e mosushqyerjes. Nuk shkoja në shkollë dhe doktorët më thanë se rrezikoja jetën. Pastaj agjencia më kontaktoi dhe unë ndihesha e lumtur nga vlerësimi i tyre. Mendoja se më në fund kisha arritur qëllimin për të cilin kisha sakrifikuar aq shumë, shëndetin tim. Në të vërtetë, kjo gjë më bëri shumë keq dhe shkatërroi punën e mjekëve, vura në dyshim fjalët e tyre dhe e vonova shërmin tim”.
Për të shmangur episode të tjera të kësaj natyre, klinika ka vendosur të ndryshojë procedurat e shëtitjeve të përditshme, me shpresën që të tregohet një respekt më i madh për këto vajza.
Përgatiti: Dorina Gjuzi