Teksas
Shpërthimi që ndodhi mbrëmjen e së mërkurës në Uest, kishte fuqinë e një tërmeti 2.2 ballë, që shkatërroi dhjetë ndërtesa dhe rrafshoi mbi 60 shtëpi. Bilanci më i hidhur është ai i viktimave, numri i të cilëve mund të jetë rritur në 30-40 të vdekur. Është shtuar alarmi i erërave të forta që mund ta çojnë renë toksike shumë larg
Shpërthimi me përmasa të jashtëzakonshme që ndodhi të mërkurën rreth orës lokale 19:50, brenda një fabrike kimikatesh (pronë e kompanisë “West Fertilizer”) në Uest (rajon në jugperëndim të Teksasit) , shkaktoi vdekjen e shumë personave dhe gjymtimin fizik 160 të tjerëve. Mendohet se numri i të vdekurve mund të jetë rritur në 30-40 persona. Në spitalin e Vakos ndodhen në kushte kritike për jetën 40 prej të plagosurve. Dëmet materiale janë po ashtu të shumta: 10 ndërtesa u shkrumbuan nga flakët, ndërsa 60 shtëpi u shfarrosën plotësisht nga vala e goditjes, e cila arriti deri në 5 kilometra larg. Shtëpitë prej druri të ndodhura pranë zonës së aksidentit vazhduan të digjen edhe gjatë orëve të natës.
Reja toksike dhe shira të rrëmbyeshëm
Të panjohura mbeten shkaqet e shpërthimit, edhe pse në bazë të hetimeve të para u përjashtua zjarrvënia e qëllimshme. Specialistët e terrenit deklaruan se në sajë të djegies së lëndëve kimike u formua një re gjigande toksike, aq sa banorët e zonës afër vendit të ngjarjes tragjike u evakuuan të gjithë. Në këtë zonë ishte ndërtuar edhe një azil të moshuarish, 135 prej të cilëve u transportuan në një tjetër ndërtesë në Vako.
Reja toksike bllokoi zjarrfikësit për të ndërhyrë, por pas orëve të gjata të operacioneve, zjarri në fabrikë u vu nën kontroll. “Midis viktimave që humbën jetën janë edhe 5 zjarrfikës dhe një agjent policie”, deklaroi gjatë një konference për shtyp zëdhënësi i Sigurisë së shtetit të Teksasit.
Meteorologët parashikojnë turbullime të motit me erëra të forta që mund ta çojnë renë toksike shumë larg nga zona e Uestit. Pasojat e saj, nëse prekin njerëzit e zonave përreth mund të jenë vdekjeprurëse. Ndërkohë kanë nisur shira të rrëmbyeshëm në rajonin e Vakos, të cilat pengojnë operacionet e shpëtimit t’i afrohen vendit të tragjedisë.
Si një tërmet
Shpërthimi e goditi qendrën e banuar me forcën e një tërmeti 2.2 gradë të shkallës Rihter. Vala e goditjes u regjistrua nga Instituti Sizmologjik amerikan. Policët mbyllën furnizuesin e përgjithshëm të gazit, ndërsa zjarrëfikësit kontrolluan shtëpi më shtëpi në kërkim të personave të lënduar, duke rrezikuar kështu jetën e tyre.
Rrëfimi i dëshmitarëve është i ethshëm: “Ishte si një bombë atomike. Pas goditjes së fortë që pësuam, pamë të lartësohej në qiell një top gjigant zjarri dhe më pas tymi i dendur i tij që u ngjit edhe më lart, ndoshta në dhjetëra metra lartësi”, thotë kryebashkiaku i qytetit, Tomi Muska. I tronditur edhe sherifi i zonës: “Nuk kam parë asgjë si kjo në jetën time, është si një zonë lufte”. Siç tregohet në një video amatoriale, në fabrikë ishte zhvilluar fillimisht një zjarr i vogël dhe vetëm një ose dy minuta më vonë ndodhi shpërthimi fatal.
Në serbatorët e Uzinës së Uestit ishin depozituar 25 tonelata amoniak dhe substanca të tjera kimike. Amoniaku anhidros është një nga substancat toksike që shkakton më shpesh aksidente industriale tepër e dëmshme për lëkurën, sytë dhe mushkëritë.
Përgatiti: Dorina Gjuzi