Shqipëria do të marrë pjesë vetëm me një sport ekipor, pikërisht me futbollin, në Lojërat Mesdhetare Mersin 2013, që do të zhvillohen në Turqi nga data 20 deri 30 qershor. Pjesëmarrja është konfirmuar zyrtarisht edhe nga Federata Shqiptare e Futbollit, e cila ka zbuluar gjithashtu se përfaqësuesja kuqezi do të jetë me lojtarë të moshës nën 20 vjeç, çka do të thotë se në përbërje të saj do të ketë vetëm futbollistë të rinj, të cilët mund të luajnë me kombëtaren U-21. Trajner i skuadrës do të jetë Skënder Gega, që drejton edhe U-21. Në ndeshjet që do të zhvillohen në rivierën turke, Shqipëria do të përballet me skuadrën vendase, Markon dhe Bosnjën. Ky është Grupi A, ndërkohë që në Grupin B bëjnë pjesë Italia, Maqedonia, Libia dhe Tunizia. Në lojërat mesdhetare Mersin 2013 pritet të marrin pjesë 24 vende, ndër të cilat edhe Shqipëria me 14 disiplina sportive, kryesisht individuale, pasi sportet kolektive, përveç futbollit, janë tërhequr për mungesë fondesh. Sipas drejtuesve të Komitetit Olimpik Shqiptar, në këto lojëra nuk ka diferenca të mëdha në nivelin e pjesëmarrësve, ndaj janë të gjitha mundësitë që sportistët shqiptarë të pretendojnë medalje, si në sportet e qitjes, mundjes dhe peshëngritjes. Në pjesëmarrjet e mëparshme në lojërat mesdhetare, Shqipëria ka arritur të fitojë gjithsej 31 medalje, ndër të cilat 5 ari, 14 argjendi dhe 12 bronzi.