Ne shqiptarët kemi gjetur një rrugë komode dhe aspak efikase për të luftuar të keqen. Ne mallkojmë vazhdimisht dhe ja lëmë Zotit punët e tokës. Në të gjitha sistemet pas Krishtit, d.m.th pas besimit pagan, Zoti ishte referenca e vetme për zbatimin e ligjeve humane e sociale. Më vonë, kur ai u kthye në figurë onorifike, siç është sot Mbreti, e zëvendësoi në tokë duke vendosur ligje tokësore, natyrisht sipas gjykimeve të tij. I treti që fitoi rolin e sundimtarit në tokë ishte ligji që fitoi besimin e banorëve të saj. Duke besuar në ligj, njerëzit krijuan një siguri për jetën e tyre. Dilema ime është se meqë ne nuk besojmë në ligjet që në shumicën e rasteve nuk zbatohen, kë duhet të besojmë? Mendoj se ky koncept të kthen në besimin pagan ku çdo kafshë a shpend që kishte ngjyra që të pëlqenin kthehesh në zot. Nuk dua të përmend me emra kafshët që ne sot besojmë e që na udhëheqin, sepse janë shumë. Mendoj që shqiptarët duhet t’i kthehen sa më shpejt zotit LIGJ, pasi është e vetmja mundësi që ne mos të kthehemi 2.000 vjet prapa. Në rast se ne e presim këtë nga ai që nuk është më, ose nga protestat e L. Bashës, do të duhet shumë kohë për të mbërritur në destinacion. Qeveria aktuale në rast nuk vendos ligjin mbi veten, shumë shpejt mund të kthehet në diçka pagane që do të ishte humbja e radhës për shqiptarët. Uroj që kjo mos të ndodhë kurrë.
Email në adresën
[email protected]