Jam pyetur një herë mbi këtë temë si pjesëtar i një ankete. Por kanë kaluar edhe nja shtatë vite të tjerë, që atëherë, pra ia vlen të ripërgjigjem: nuk jam me ata që nxijnë realitetin e këtyre 20 vjetëve, unë njoh vetëm shqiptarë të lumtur! Natyrisht realitetin që shoh unë nuk janë të detyruar ta shohin të gjithë. Sejcili është i lirë të shohë dhe të tregojë realitetin e tij.
Thashë që njoh vetëm shqiptarë të lumtur. Asnjë nga të njohurit e mi nuk ka vuajtur pasoja në këtë ndryshim tronditës që ka pësuar vendi. Asnjëri nga të njohurit e mi nuk e ka vrarë veten, nuk është helmuar, nuk është hedhur nga ballkoni dhe nuk është mbytur në përmbysjet e skafeve të stërmbushur që shpinin njerëz drejt Italisë. Asnjëri nga të njohurit e mi nuk është aksidentuar nëpër rrugët kryq e tërthor Shqipërisë dhe as nuk e ka humbur jetën nëpër minierat apo bizneset e fshehta që flitet se ekzistojnë.
Thonë që viktimat janë shumë, por unë nuk do të merrem me statistikat, as me të fryrat as me të shfryrat. Nuk kam as edhe një të njohur nëpër burgjet italiane, ku flitet se ka më shumë shqiptarë se në çdo vend me burgje, përfshi dhe mëmëdheun. Burgjet i shtoftë Perëndia po e pa me vend, por tërë ata që mund të kenë vrarë, vjedhur, tregtuar femra, apo kanë shitur drogë, nuk janë të njohurit e mi.
Më shumë njoh ish-të-burgosur, por janë nga ata të lumturit, nga ata që ia kanë hedhur paq: kanë qenë hetuesa, gjykatës, drejtorë burgjesh, deri dhe antarë të Byrosë Politike. Janë burgosur ca muaj mbase edhe ca vjet, por tani u qesh buza, se i kanë marrë tëra shpërblimet për atë pak burg dhe nuk janë si ata të burgosurit që flitet se u është premtuar dëmshpërblimi dhe nuk u është dhënë.
Do t’i kisha kursyer të gjitha këto shpjegime dhe hollësira po të thosha që në nisje, se shqiptarët që njoh unë janë që të gjithë milionerë. Shqiptarët që njoh janë bërë me prona të shumta. Nuk i kanë patur kurrë më parë, por janë treguar të shkathët dhe të talentuar. Kanë legalizuar terrene të majme në tokë dhe në det. Kanë blerë e shitur e kanë blerë prapë! Cfarë u sheh syri ua ze dora dhe ua shkel këmba! Ata që njoh unë janë të shëndetshëm dhe faqekuqa. Kur qëllon që sëmuren shqiptarët që njoh unë, shkojnë nëpër doktorët më të mirë europianë. Barnat nuk i marrin kurrë nëpër farmacitë e vendit. Jo më në ditët e sotme që, falë i qofshim qeverisë, lëviz nga të duash, por të njohurit e mi nuk kanë patur kurrë probleme vizash pasi kanë patur gjithmonë lidhje të fuqishme. Janë të tërë të paisur me pasaporta diplomatike dhe dalja matanë
kufijve, si për hall e si për qejf, ka qenë një hiç-problem! Shtëpitë e tyre më ka qëlluar shpesh t’i shoh si ishuj drite në mes të errësirës që krijon, fjala vjen, lagja për qark. Në shtëpitë e tyre ka gjeneratorë nga fjala e fundit e teknikës.
Flitet për një pakënaqësi të përgjithshme për dështime në kërkesat për të qënë njësh me Europën. Të njohurit e mi nuk e kanë fare atë problem. Ulurijnë dhe protestojnë edhe ata, tok me të tjerët, por janë akuza dhe kundërakuza që i pjell politika. Për vete ata janë në Europë. Bile një dorë syresh i janë bashkuar Europës pa u krijuar Europa e Bashkuar!
Shqiptarët që njoh unë e kanë me tepricë kohën e lirë e megjithatë nxitojnë. Trafiku nuk i bezdis, ngaqë dritat e kuqe të rrugëkryqeve, zere se nuk janë vendosur ende për ta. Të njohurit e mi rrijnë orë të tëra nëpër kafenera luksoze dhe mua më duket se në përgjithësi nuk bëjnë asnjë punë. Dhe, bile, as qahen për mungesën e punës! Është, si të thuash, një papunësi e lumtur, që ua kanë zili edhe njerëzit në vendet e G7s, ku pasanikët, për fatin e tyre të keq, edhe punojnë shumë…
Thonë që në Shqipëri ka halle, ka familje të mbytura në borxhe, ka uri, ka njerëz që lypin e pensionistë që rrëmojnë nëpër plehra për të gjetur diçka për të shuar urinë e tyre. Nuk e di, nuk i kam parë, por mua më duket se këto janë sajesa gazetash, tabllo të nxira nga syzet, dhe sprova letrarësh lloj-lloj.
Shqiptarët që njoh unë, në këto njëzet vjet kanë qenë absolutisht të lumtur! E vetmja gjë që çalon në tërë këtë parajsë është se unë nuk jam i njohuri i tyre.
Kjo esse është e katërta në një seri që autori e ka titulluar: “Aty ku sundon paraja” – Është një tufë essesh për të djelat dhe të mërkurat
Pene e forte Kulla perjudhat e fundit. Por ka ne memorje te tij dhe shume gjera te tjera per te treguar.O sot o kurre.
Urime zoti Kulla per angazhimin qytetar qe po beni kohet e fundit. Jane shume njerez si juve qe u djeg shpirti kur shohin shoqerie shipetare ne kete gjendje por shume pak si juve e kane aftesine te shkruajne kaq qarte. Meqenese jeni akoma intelektualisht aktiv do tu lutesha qe te krijonit edhe nje komedi per tragjikomedine diteve te sotme. Jam i sigurt qe brezave do tu sherbeje shume.