Sëmundjet tumorale dhe ato që shkaktojnë invaliditet të lartë cilësohen si prioritet në ndryshimet që do të pësojë lista e barnave të rimbursimit për 2014. Aktualisht kanë nisur diskutimet në lidhje me barnat e reja që do të përfshihen në listën e këtij viti. Burime pranë dikasterit të shëndetësisë bëjnë me dije se çdo gjë ndodhet në fazën e propozimeve, çka do të thotë se shoqatat e farmacistëve, mjekëve të QSUT-së, dhe ata specialistë në poliklinika kanë depozituar pranë komisionit propozimet konkrete në lidhje me barnat që duhet të shtohen në listë. Ndonëse nuk ka ende një variant zyrtar se cilat do jenë medikamentet që do të zëvendësohen thuhet se sëmundjet tumorale, ato kardiovaskulare, diabeti e sëmundje të tjera me shkallë të lartë invaliditeti përbëjnë edhe kriteret e shtimit dhe zëvendësimit të barnave që ka lista aktuale. Sipas të dhënave të raportuara nga autoritetet shëndetësore kanceri është sot shkaku i dytë madhor i vdekjeve në vend 16.6 për qind,(pas sëmundjeve kardiovaskulare 50.2 për qind), me 4,000-4,500 raste të reja të raportuara çdo vit, sipas të dhënave nga sistemi statistikor shqiptar. Ndërsa një vlerësim tjetër i incidencës së sëmundjeve tumorale në Shqipëri, ai i Globoscan, flet për rreth 7,000-8,000 raste në vit. Pjesa më e madhe e sëmundjeve tumorale kur zbulohen, janë në një fazë të vonë për t’u shëruar. Diabeti është një tjetër sëmundje që do të marrë vëmendjen kryesore, pasi numri i pacientëve që përfitojnë nga rimbursimi ka mbërritur në rreth 62 mijë. “Ndryshimet në listën e rimbursimit për 2014 kanë të bëjnë me prioritete të tilla si : barna që përdoren për sëmundje të rënda, në sëmundjet që paraqesin rrezikshmëri të larte për jetën, në sëmundje që shkaktojnë invaliditet, në sëmundje që kanë rrezikshmëri për përhapjen në shoqëri, në sëmundje që shkaktojnë shumë vuajtje, në sëmundje kronike që kërkojnë trajtim të zgjatur”, thuhet zyrtarisht nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore. Masa e rimbursimit do të jetë e plotë ose në nivelin 50 për qind në varësi të kategorisë ku bën pjesë individi. Pak kohë më parë kreu i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore Astrit Beci, ka konfirmuar se disa ndërhyrje që pritet të bëhen në lidhje me barnat e domosdoshme për tu realizuar është edhe premtimi për heqjen e TVSH (10 për qind) të barnave dhe materialeve e materialeve të tjera mjekësore. Kjo ndërhyrje do të sjellë si pasojë uljen me 10 për qind të çmimit të barnave në vend dhe domosdoshmërish uljen me 10 për qind të çmimit të barnave në listën e rimbursimit. Ndryshimet në listë vijnë edhe për shkak të procesit të negociatave për çmimet e ofruara e të deklaruara nga kompanitë farmaceutike. Deri më tani sipas Becit nuk ka pasur një proces negocimi me kompanitë dhe ndërhyrja në këtë pikë do të sjellë ulje të çmimeve të barnave të rimbursuara, çka do të shtojë mundësitë për përfshirjen e barnave të reja br4enda të njëjtit buxhet. Masa e kontributit të sigurimit të detyruar shëndetësor është 3,4 për qind të bazës për llogaritjen e kontributeve për të gjitha kategoritë e mbuluar nga skema. Për të punësuarit, kontributet paguhen në masën 50 për qind nga punëdhënësi dhe në masën 50 për qind nga i punësuari. Ligji nuk sjell ndryshime në masën e kontributit, teksa synon unifikimin e bazës mbi te cilin llogariten sigurimet për kategoritë e personave ekonomikisht joaktive, për të vetëpunesuarit dhe për sigurimin vullnetar. Baza për llogaritjen e kontributit për këto kategori është mesatarja mes pagës minimale dhe maksimale për efekt të llogaritjes së kontributeve.
Masa e rimbursimit
Barnat e listës së rimbursuar është falas për fëmijët 0-12 muajsh, invalidët e plotë, pensionistët, të verbrit dhe jetimet. Të gjitha barnat falas për veteranët me sëmundje kronike dhe invalidët e luftës. Barnat falas shkojnë edhe për të sëmurët me tumore, transplant të veshkës, Sklerozë multiple, talasemia major. Ndërkohë që barna me rimbursim të pjesshëm shkojnë për të gjitha kategoritë e tjera të popullsisë në përqindje të ndryshme, por jo më pak se 50 për qind. Barnat e listës do të ofrohen kundrejt recetës me rimbursim, të lëshuar nga mjeku i përgjithshëm në të gjitha farmacitë që kanë kontratë me Fondin e Sigurimeve.
Pajisja me librezë, dokumentet që duhet të dorëzojnë secila kategori
- Libreza e pensionit për pensionistët.
- Vërtetim i lëshuar nga zyra e punës dhe përkrahjes sociale për të papunët dhe personat që trajtohen me ndihmë ekonomike.
- Vërtetim KMCAP për personat me aftësi të kufizuar.
- Vërtetim i konsultorit Nëna dhe Fëmija për nënat me leje lindje.
- Vërtetim i repartit ushtarak për ushtarët.
- Certifikatë lindjeje, vërtetim i shkollës për fëmijët, nxënësit dhe studentet me shkëputje nga puna.
- Vërtetim i invaliditetit për invalidët e plotë, jo të plotë, të luftës.
- Statusi përkatës për veteranët, jetimët, të verbrit.
- Në të gjitha rastet e mësipërme është i nevojshëm edhe mjeti i identifikimit (pasaportë ose certifikatë) si dhe rekomandimi i mjekut për pajisjen me librezë shëndeti.