Gjykata e Krimeve të Rënda ka shtyrë përsëri çështjen në ngarkim të Dritan Dajtit. Në seancën e djeshme, trupi gjykues bëri me dije se për çështjen do të verë në dijeni ministrin e Drejtësisë, Nasip Naço, kryeministrin Edi Rama, presidentin Bujar Nishani dhe Nënkryetarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Elvis Çefa. Shkak për këtë vendim u bënë zvarritjet pa fund të procesit dhe refuzimi nga avokatët për të marrë në mbrojtje të pandehurin që akuzohet për vrasjen e 4 agjentëve specialë të Antidrogës në gusht 2009 në Durrës. Dritan Dajti është i dyshuari kryesor për masakrën e Durrësit, ku mbetën të vrarë katër oficerët e policisë, ndërsa pretendon se një prej tyre, Kastriot Feskaj, është vrarë nga kolegët dhe kërkon zhvarrim, kurse vetë ai u plagos nga kreu i Antidrogës me një pistoletë pa inventar. Herë pas here Dajti ka akuzuar strukturat e larta të policisë për këtë operacion jo zyrtar dhe me shkelje të rënda. Ndërkohë që as Dhoma e Avokatëve nuk e ka zgjidhur problemin e mbrojtjes së tij, megjithë debatet e zhvilluara juridike.