E nderuar DITA. Duke lexuar gjyqin e Kadriut, më bën të meditojë mbi arsyet pse nuk hapen dosjet në dhe arkivat Shqipëri (ato që kanë mbetur pa u zhdukur). Sepse në fund të viteve tetëdhjetë Sigurimi i Shtetit ishte një nga shumë të paktat forca të organizuara mirë, me struktura përgjithësisht të mbrojtura nga ekspozimi publik. Njëkohësisht ishte në interesin e agjentëve të Sigurimit të të gjitha llojeve që tranzicioni të mos shoqërohej me demaskim të krimeve që shumë nga këta kishin kryer gjatë diktaturës.
Është prandaj e logjikshme që Sigurimi të përpiqej ta kontrollonte tranzicionin duke marrë pjesë aktive në të. Në ngjarjet e Dhjetorit, në formimin e PD-së, në shembjen e statujës së Enverit dhe në shumë ngjarje të tjera, Sigurimi ka pasur njerëzit e vet, të ngarkuar me detyra specifike. Këta rivalizoheshin vetëm nga agjenturat e huaja; që edhe ato kishin lidhje paralele të panumërta me Sigurimin “tonë”. Zor të merret vesh ndonjëherë cilët kanë qenë këta njerëz.
Në një roman të anglezit G.K.Chesterton – “The Man Ëho Ëas Thursday” – komiteti drejtues i një organizate anarkistësh rezulton i përbërë krejtësisht nga agjentë provokatorë të infiltruar të policisë sekrete. Ky ndoshta do të ishte një skenar apokaliptik: lufta politike në Shqipërinë post-totalitare si luftë midis fraksioneve të ndryshme të Sigurimit: drejtorive, sektorëve, nëndrejtorive, zbulimit, kundërzbulimit, ndjekjes…Duket e pamundshme? Logjikisht është zgjidhja më e mundshme. Jo se nuk ka pasur dhe nuk ka politikanë vërtet ta pamolepsur në lidhje sekrete, spiunllëqe, provokacione, nënshkrime deklaratash komprometuese dhe denoncimesh për t’u harruar. Por pikërisht sepse të vënë përballë organizimit sistematik të një arme sekrete si ajo e Sigurimit, këta pak shanse kanë pasur dhe kanë për të dalë mbi ujë.
Email nga adresa: [email protected]