Marrja e hekurit në farmaci, apo tentativat për të rregulluar dietën ushqimore shpesh herë nuk na ndihmojnë që të shpëtojmë nga ndërlikimet që lë në organizmin tonë një ndër çrregullimet më të shpeshta të gjakut siç është anemia. Lodhja e shkaktuar nga anemia, dhe vështirësia në të përqendruarit për kryerjen e aktiviteteve të përditshme janë simptomat më të shpeshta të shkaktuara nga anemia. Problem të cilin shumë njerëz, e neglizhojnë, si dhe në raste të tjera mundohen që ta trajtojnë duke iu drejtuar farmacistit dhe ideve se me rregullimin e dietës ushqimore mund të largojnë ndërlikimet. Në një intervistë për gazetën “Dita”, mjekja Ilda Xhelili tregon se anemia nuk duhet kuptuar vetëm si mungesë e hekurit, dhe se për trajtimin e saj duhet të vendosë vetëm mjeku specialist. Në vijim të shkrimit gjeni të detajuara shkaqet dhe format më të shpeshta të shfaqjes së anemisë, si dhe këshillat që nuk duhen neglizhuar në mënyrë që të shpëtoni nga ndërlikimet që sjell kjo sëmundje.
Çfarë është anemia, si dhe në çfarë formash shfaqet ?
Anemia është një gjendje që zhvillohet kur gjaku i organizmit nuk ka mjaftueshëm qeliza të kuqe të shëndetshme apo hemoglobinë. Hemoglobina është substance kryesore e qelizave të kuqe të gjakut që lidh oksigjenin. Është pikërisht gjaku, i cili nëpërmjet rruazave të kuqe dhe hemoglobinës shpërndan në të gjithë trupin tonë oksigjenin dhe lëndët ushqyese. Nëse numri i rruazave të kuqe dhe hemoglobina nuk janë në vlerat e tyre normale, atëherë i gjithë organizmi nuk do të furnizohet me sasinë e duhur të oksigjenit. Kjo shpjegon edhe simptomën më të shpeshtë të anemisë që është lodhja për shkak se gjithë organet nuk marrin atë që kanë nevojë për të funksionuar si duhet. Anemia është një ndër çrregullimet më të zakonshme të gjakut. Fjala anemi rrjedh nga greqishtja që do të thotë mungesë gjaku. Anemitë klasifikohen në anemi që rrjedhin nga humbja e gjakut (hemorragjitë akute ose kronike) anemitë që vijnë si rezultat i shkatërrimit të tepruar të qelizave të gjakut (hemoliza) dhe anemitë që rrjedhin nga prodhimi i mangët i qelizave të kuqe të gjakut ( çrregullime të hematopoezës ).
Cilat janë kategoritë më të rrezikuara për t’u prekur nga anemia?
Sot numërohen rreth 400 lloje të ndryshme anemish dhe shkaqet janë të shumëllojshme. Në SHBA rezultojnë të prekur rreth 3.5 milionë njerëz. Nga anemia rrezikohemi të gjithë. Megjithatë është konstatuar se gratë dhe personat që vuajnë nga sëmundje kronike janë me rrezik të rritur për anemi. Janë pikërisht këto kategoritë më të shpeshta që paraqiten për ndihmë tek mjeku, si pasojë e ndërlikimeve të shfaqura nga prania e anemisë.
Cilat janë shenjat më të shpeshta klinike që na vijnë në ndihmë për të kuptuar se jemi të prekur nga anemia?
Në shumë njerëz anemia shkon pa u vënë re ku simptomat mund të jenë të vogla ose të paqarta. Më shpesh njerëzit raportojnë dobësi të përgjithshme, lodhje, gjendje e keqe e përgjithshme, vështirësi në përqendrim, vështirësi në frymëmarrje. Kur gjendja është më e avancuar kanë dridhje trupi, rrahje të shpeshta të zemrës, dhimbje gjoksi, dhimbje kockash, vështirësi në gëlltitje, zbehje të lëkurës dhe të mukozave, thonj delikatë e të thyeshëm lehtë. Anemitë kronike mund të çojnë në çrregullime të sjelljes tek fëmijët si rezultat i çrregullimeve të sistemit nervor duke reduktuar edhe performancën shkollore, vështirësi në përqendrim. Ndërsa tek anemitë nga mangësia e hekurit është më e shpeshtë simptoma e dhimbjes dhe lodhjes së këmbëve.
Për të ndalur sa më shpejt ndërlikimet që shfaqen nga anemia, cila është terapia e rekomanduar?
Trajtimi i anemisë është një moment mjaft i rëndësishëm. Abuzohet shumë me këto raste. Njerëzit e sinjifikojnë rëndom aneminë me mungesën e hekurit dhe shkojnë direkt në farmaci dhe marrin atje mjekim. Anemia trajtohet sipas shkakut dhe me doza rigorozisht të përcaktuara mirë nga mjeku hematolog. Kohëzgjatja e mjekimit përcaktohet në bazë të ekzaminimeve periodike ciklike. Përsa i përket dietës ajo duhet të jetë e shumëllojshme dhe gjithëpërfshirëse sidomos në periudha të caktuara të jetës. Nëse kemi anemi, duhet të kërkojmë trajtim urgjent nga mjeku dhe nuk zgjidhet absolutisht vetëm me ushqyerjen, apo vajtjen në farmaci për të marrë hekur, apo preparate të tjera të cilat nuk janë të rekomanduara nga një mjek specialist pasi të jenë kryer vizitat dhe analizat përkatëse.
Shkaktarët dhe format e shfaqjes së anemisë
- Duke u nisur dhe nga klasifikimi i anemive, ndër shkaqet më të shpeshta të anemive që shkaktohen nga humbjet e gjakut përmendim gjak rrjedhjet që mund të ndodhin ngadalë për një periudhë të gjatë kohore dhe shpesh mund të shkojnë pa u vënë re.
- Këto ndodhin më shpesh në rastet e çrregullimeve të sistemit të tretjes si për shembull gastritet (inflamacione, infeksione të stomakut), ulcerat e ndryshme, hemorroidet (majasëlli), kanceri.
- Mund të ndodhë tek përdoruesit e drogave, nga përdorimi i pakontrolluar i medikamenteve të tilla si aspirina, ibuprofeni, kortizonikët që mund të shkaktojnë gastrit dhe ulcera.
- Menstruacionet te femrat mund të shkaktojnë anemi nëse gjakderdhja është e tepruar dhe zgjat shumë në kohë. Edhe gjatë shtatzanisë kemi anemi, por këto trajtohen mjaft mirë dhe kalojnë pa problem nëse situata mbahet nën kontroll nga mjekët.
- Po ashtu edhe gjatë lindjes sidomos pas shtatzanive të shumëfishta.
- Rasti tjetër është kur organizmi nuk prodhon sasinë e duhur të qelizave të kuqe ose ato prodhohen me defekte të cilat mund të jenë edhe të trashëguara. Në të dy rastet marrim rezultatin e anemisë.
- Qelizat e kuqe të gjakut mund të kenë mungesa të mineraleve ose të vitaminave të cilat janë të nevojshme që ato të funksionojnë normalisht. Këtu përmendim aneminë me qeliza në formë drapëri ( anemia drepanocitare ), anemia nga mangësia e hekurit, anemia nga mangësia e vitaminave.
- Anemia në formë drapëri (drepanocitare) vjen si rezultat i një defekti gjenetik që trashëgohet. Qelizat e kuqe në formë drapëri nuk mbartin sasinë e duhur të oksigjenit dhe shkatërrohen shpejt kështu që dhe organizmi nuk furnizohet si duhet me oksigjen duke shkaktuar dobësi dhe dhimbje trupore.
Anemia nga mungesa e hekurit
- Ndërsa anemia më e shpeshtë dhe më e njohur është ajo nga mangësia e mineralit të hekurit. Palca e kockave ka nevojë për hekur që të mund të prodhojë hemoglobinën, e cila bën transportimin e oksigjenit në gjithë organizmin. Pa hekur të mjaftueshëm nuk prodhohet hemoglobina e mjaftueshme për rruazat e kuqe. Mangësitë e hekurit mund të rrjedhin nga dietat e varfra me hekur (sidomos foshnjat), gjatë periudhës kur rriten nevojat e organizmit për hekur (adoleshenca, shtatzania, ushqyerja me gji), dhurimet e shpeshta të gjakut, menstruacionet, dietat vegjetariane, sëmundje të ndryshme të aparatit tretës, operacione të stomakut apo zorrës së hollë , pijet me kafeinë etj.
- Përveç hekurit mund të kemi mangësi të vitaminës B12 dhe acidit folik që janë të domosdoshme për prodhimin e vetë rruazave të kuqe të gjakut. Këto mangësi mund të vijnë gjatë infeksioneve parazitare, kirurgjive të stomakut apo të zorrëve, infeksionit të HIV-it, gjatë shtatzanisë, përdorimi i alkoolit, medikamente të ndryshme.
Mungesa e acidit folik gjatë shtatzanisë
- Mangësia e acidit folik është mjaft e rëndësishme në periudhën e parë të shtatzanisë sepse çon në defekte të lindura të tubit nervor (spina bifida). Prandaj është e këshillueshme që nënat që kanë planifikuar shtatzëni të bëjnë profilaksinë me acid folik tre muaj përpara e në vazhdim. Sigurisht që me këshillimin e mjekut për përcaktimin e saktë të dozës.
- Kushte të tjera kur kemi anemi mund të përmendim sëmundje kronike të veshkave, çrregullime të tiroides, kanceri, artriti rheumatoid, diabeti, mosha e vjetër, stresi, çrregullimet e presionit arterial, çrregullime të koagulimit të gjakut, zmadhimi i shpretkës, valvulat e zemrës (protezat valvulare).
Anemia, çrregullon sjelljen e fëmijëve
Anemitë kronike mund të çojnë në çrregullime të sjelljes tek fëmijët si rezultat i çrregullimeve të sistemit nervor duke reduktuar edhe performancën shkollore, vështirësi në përqendrim. Ndërsa tek anemitë nga mangësia e hekurit është më e shpeshtë simptoma e dhimbjes dhe lodhjes së këmbëve.