Nëse politika është ajo sferë ku shoqëria konceptohet si një trup i gjallë, detyrat dhe përgjegjësitë e politikanit duhen konceptuar si të njëjta me detyrat dhe përgjegjësitë e mjekut. Ironia këtu është se nuk mjafton që një politikan të ketë qenë mjek në një jetë të mëparshme, por edhe të sillet si mjek, e jo si kasap.
Në këtë mënyrë, edhe mund të kuptohet konceptimi mbi shtetin i demokracive të ashtuquajtura të zhvilluara, nga një krah, dhe i demokracive të ashtuquajtura në zhvillim, nga krahu tjetër. Ashtu si një trup i shëndetshëm nuk ka nevojë për mjekun, ashtu edhe demokracitë e zhvilluara tentojnë të marrin një kthesë libertariane, ku roli i shtetit minimizohet.
Problemi është që kjo recetë rekomandohet edhe për demokracitë në zhvillim si Shqipëria, ku roli i Berishës dhe berishëve të tjerë ka qenë aq determinanat sa tani nuk kuptojmë dot më se ku do ishte ky vend, nëse historia do ti kishte sjellë në krye jo një kasap të tillë, por një libertin qysh në fillimet e kësaj histore të pas-90-s.
Për vende si Shqipëria pak a shumë, ajo që thuhet prej perëndimorëve është, “mos shkoni tek mjeku.”. Kjo është gabim. Ngatërrohet shkaku me pasojën, hipokrizisht, apo sinqerisht, pak rëndësi ka. Perëndimi është i shëndetshëm jo sepse nuk shkon tek mjeku, por nuk shkon tek mjeku sepse është i shëndetshëm.
Shoqëria gëzon mirëqenie jo sepse shteti është i vogël, por shteti është i vogël sepse shoqëria gëzon mirëqenie. Kështu që lloji i shtetit e i qeverisjes është një propozim a një hipotezë që niset nga nevojat kontingjente të shoqërisë, e jo një ideal që propozohet pavarësisht këtyre nevojave.
Email nga adresa: [email protected]