Britania e Madhe tronditet nga një skandal seksual që sheh të përfshirë politikanë të rëndësishëm në vend. Ky skandal rrezikon të kthehet në një tërmet politik. I quajtur ‘Sexminster’, një çështje që ka të bëjë me skandalet seksuale shpesh deri në kufijtë e abuzimit, dhe që shesh si protagonistë deputetët e parlamentit britanik. Mediat britanike akuzojnë deputetët dhe bashkëpunëtorët e tyre se kanë organizuar festa ekstreme për të rimbursuar paratë publike. Autoritetet britanike kanë nisur hetimet për një festë erotike në një hotel luksoz në Manchester, gjatë konferencës vjetore të konservatorëve. Festë e cila është publikuar dhe në disa biseda në faqen e internetit për takime për homoseksualë të njohur si ‘Grindr’. Dyshimet kanë të bëjnë me faktin se llogaria e hotelit ku është zhvilluar festa dhe ku një dhomë kushton 2500 stërlina nata, është paguar nga buxheti i partisë. Mes personazheve të partisë konservatore të përfshirë në këtë histori është edhe Jan Korbi, i cili ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i njësisë së burimeve parlamentare, grupit që mbledh nëpunësit e parlamentit që punojnë për deputetët konservatorë. Ka qenë vetë kryeministri David Cameron që ka urdhëruar dorëheqjen e tij dhe një hetim të brendshëm për cështjen në fjalë.
Ditët e fundit Najgel Evans, ish zëdhënës i konservatorëve ishte shpallur i pafajshëm nga akuzat për abuzime seksuale dhe përdhunim ndaj 7 nënpunësve dhe stazhierëve të parlamentit. Pas kësaj cështjeje që nuk a qenë e vetmja, partia konservatore ka vendosur të hartojë një kod sjelljeje. Sipas hetimeve të fundit të rrjetit televiziv britanik Channel 4, një e treta e stafit të parlamentit britanik pranon se ka qenë viktimë e ngacmimeve seksuale në ato ambiente shpesh herë nga depuetët të dehur që kanë abuzuar me pushtetin.
Edhe gazetarja britanike Amanda Platell, që ka qenë zëdhënëse e Uilliam Hague, aktualisht ministër i jashtëm, në periudhën 1999 – 2001, është shprehur se shumë deputetë jetojnë në një boshllëk moraliteti. Ajo pranon se shumë herë ka qenë objekt ngacmimesh seksuale nga ana e parlamentarëve që janë përpjekur në shumë raste ta prekin apo ta puthin në kohën kur ajo punonte në parlament.