Një biznesmen i kërkuar për mashtrim me skemën e rimbursimit të TVSH-së te Tatimet është arrestuar mbrëmjen e djeshme në kryeqytet. Burime zyrtare të policisë thanë se i ndaluari është Besim Hoxha, një nga emrat e shumtë të listës të të kërkuarve nga Tatimet dhe Doganat. Mësohet se Hoxha është pjesë e një dosje hetimore të kallëzuar vitin e kaluar për një mashtrim aktiviteti me fatura fiktive, duke përfituar bashkë me të tjerë të dyshuar vlerën e 3 milionë dollarëve në mënyrë të paligjshme. “Është vënë në pranga nën akuzën për mashtrim me skemën e TVSH-së, biznesmeni Besim Hoxha. Hetimet për akuzën e “mashtrimit” janë bërë nga Doganat dhe Prokuroria e Tiranës”, thanë burime zyrtare të policisë. Njoftohet gjithashtu se Gjykata e Tiranës kishte lëshuar urdhër arresti për të dyshuarin, pasi dëmi i shkaktuar ishte 3 mln dollarë. Materialet i kanë kaluar Prokurorisë së rrethit për hetime të mëtejshme.