Pas barazimit 0-0 të javës së kaluar kundër BATE Borisov, skuadra shqiptare shpreson në një paraqitje të ngjashme me atë të një sezoni më parë dhe të arrijë në turin e tretë paraeliminator të UEFA Champions League. Një vit më parë, KS Skënderbeu barazoi 0-0 në takimin e luajtur jashtë gjatë turit të dytë paraeliminator të UEFA Champions League dhe fitoi në ndeshjen e kthimit në Shqipëri. Pas barazimit me rrjeta të paprekura të javës së kaluar kundër FC BATE Borisov, skuadra e Mirel Josës kryqëzon gishtat përsëri. Kapiteni Blendi Shkëmbi shpreson në një përfundim të njëjtë me atë të sezonit të kaluar ndaj Neftçi PFK. “Jemi në të njëjtën situatë, është njësoj si vitin e kaluar, shpresojmë të kalojmë në turin e tretë”, shprehet mesfushori për UEFA.com. Skënderbeu, që në sezonin 2013/14 ju dorëzua FC Shakhter Karagandy, është në kompeticionin më të madh evropian për të katërtën herë radhazi. Shkëmbi, që është pjesë e skuadrës nga 2008, ka parë të ikin dhe të vijnë lojtarë të ndryshëm prej të cilëve dhe Pero Pejić, që u largua nga skuadra para pak kohësh pasi fitoi titullin si golashënuesi më i mirë i kampionatit me 20 gola. “Është shumë e rëndësishme të kesh lojtarë të mirë, por më e rëndësishme është të kesh shpirtin e skuadrës – shprehet lojtari, i inkurajuar nga blerjet e reja si Tefik Osmani, Kristi Vangjeli, Fatjon Sefa, Gerhard Progni e Bernard Berisha. – Nuk mbështetemi vetëm te një lojtar. Objektivi jonë është të arrijmë në turin tjetër, sepse ne kemi njëfarë eksperience dhe dimë se çfarë të bëjmë”.
Shkëmbi filloi të luajë në skuadrën e qytetit të tij kur ishte 16 vjeç në 1995, duke kaluar aty pesë sezone deri në mbërritjen e një oferte nga KS Teuta. “Ishte e vështirë. Njihja vetëm Skënderbeun dhe nuk isha gati për të bërë ndryshime – tregon ai. – Ishte një sfidë, por isha i lumtur që po shkoja te një skuadër konkurruese e cila luante në Europë dhe ishte pretendente për titullin e Shqipërisë”.
Pa Shkëmbin Skënderbeu pësoi një rënie dhe arriti të kthehej në kategorinë më të lartë vetëm në sezonin 2005/06 duke kaluar disa sezone mes dy kampionateve. Në sezonin 2008/09, ish-lojtari i kombëtares shqiptare u rikthye dhe skuadra arriti të ringjitej në Kategorinë Superiore falë një vendi të dytë. “Doja që skuadra të ngjitej në kategorinë më të lartë një herë e përgjithmonë – kujton Shkëmbi, që pas një sezoni si huazim te KS Besa në sezonin 2009/10 fitoi katër kampionate me Skënderbeun. – Ka qenë një eksperiencë e bukur dhe kemi arritur të ndërtojmë diçka speciale. Shpresojmë të vazhdojmë kështu dhe të fitojmë trofe të tjerë”.