Bakú i Azerbajxhanit, Astana e Kazakistanit, Odesa e Ukrainës. Skënderbeu po i bie kryq e tërthor territorit të ish-Bashkimit Sovjetik. Pas vizitës në Bakú, ku u ndesh me Neftchi, dhe në Astana, ku luajti me Shahtjorin e Karagandit, kampioni i Shqipërisë do të shkojë në Odesa, qytet-port tepër i rëndësishëm, i treti për nga popullsia në Ukraninë. Shorti e ka vendosur përballë me Çernomorets në play-off në Europa League.
Është skuadra e dy kuqezinjve, Bakaj e Vangjeli, madje për këtë të fundit përballja do të jetë edhe më emocionale, sepse ndeshet me skuadrën e qytetit të lindjes. Çernomorets siguroi kualifikimin në Europa League sezonin e shkuar falë daljes në finalen e Kupës së Ukrainës, përballë Shahtjorit, ndërsa në kampionat zuri vendin e gjashtë, i ndihmuar së tepërmi edhe nga mrekullitë e Elis Bakajt, shënues i golave tripikësh në një numër ndeshjesh. Megjithatë, nuk bëhet fjalë për një skuadër të elitës në Ukrainë, një status që e kanë të mëdhenjtë Shahtjor Donjeck e Dinamo Kiev, si dhe Metalist Harkov. Trofetë e Çernomoretsit janë të paktë, vetëm dy Kupa, të fituar pas shkëputjes nga BS, më 1992 dhe 1994.
Dy herë ka dalë në vendin e dytë në kampion, gjithmonë në vitet ’90. Është një skuadër pa emër në arenën ndërkombëtare, megjithatë në raundin e kaluar ka eliminuar Crvena Zvezdën e Beogradit, pas fitores 3-1 në Odesa dhe barazimit pa gola në Serbi. Skuadra me uniformë blu e zi luan në stadiumin “Çernomorets”, me kapacitet 34 mijë vende.