Për 38 minuta shqiptarët besuan se mrekullitë ekzistojnë, teksa Skënderbeu i Korçës shpartallonte 3-0 Shahtjorin e Kazakistanit, duke barazuar rezultatin e përgjithshëm të dy ndeshjeve. Ëndrra vazhdoi edhe pas minutës së 38-të, kur kazakët shënuan golin e parë, por gjithçka u shemb përfundimisht nëntë minuta pas pushimit, kur Pero Pejiç del nga loja me karton të kuq.
E mundur me tre gola diferencë javën e kaluar në Astana, skuadra e Mirel Josës kishte paralajmëruar se nuk do të dorëzohej, duke u lutur për një gol të shpejtë për të hapur rrugën e fitores së madhe. Perënditë e futbollit u treguan bujare, teksa iu përgjigjën lutjeve, madje me shumë më tepër nga sa kishin kërkuar korçarët. Që në minutën e nëntë shënoi Tomiç, duke hapur rezultatin. Në të njëzetën, Pejiç fiton penalltinë që e kthen bukur në gol Shkëmbi. Dukej si një ëndërr, por nuk mbaroi aty, pasi në minutën e 29-të vjen edhe goli i tretë, përsëri pas një penalltie të fituar nga sulmuesi kroat e të kthyer në gol nga kapiteni.
Të gjithë janë në delir, tani gjithçka është ekuilibruar dhe përmbysja nuk duket më si mrekulli, por thjesht një rezultat i logjikshëm. Për fat të keq, ishte shumë e bukur për të qenë e vërtetë, pasi kazakët shënojnë. Për t’u kualifikuar duhen edhe dy gola, e vështirë, por jo e pamundur. Koha e nevojshme është, entuziazmi po ashtu. Të kuqtë e nisin me vrull edhe pjesën e dytë, por minuta e 54-t është vendimtarja. Pejiç merr karton të kuq për goditje të kundërshtarit. Skënderbeu mbetet me dhjetë lojtarë, në një kohë që i duhen edhe dy gola.
Korçarët e ndiejnë se misioni tani është vërtet i pamundur dhe lëshojnë në lojë, frenat e së cilës i marrin kazakët. Në minutën e 67-të vjen edhe goli i dytë i miqve, i mjaftueshëm për t’u siguruar kundër çdo surprize të pakëndshme që mund të ofronte fusha. Rezultati nuk ndryshon deri në fund dhe Skënderbeu del nga Champions League, këtë herë me kokën lart, pasi iu afrua aq shumë mrekullisë. Si “shpërblim” merr pjesëmarrjen në Europa League, ku mund t’i bashkohet edhe Kukësi, nëse kalon provën ukrainase kundër Metalurgut.