Laçi fitoi raundin e parë përballë Skënderbeut. Sfida që hapi gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë, përfundoi 1-0 në favor të kurbinasve, që ndoshta mund të meritonin edhe më tepër.
Pavarësisht se Salihi ishte i dëmtuar, te Skënderbeu në stol qëndroi edhe Xhejms, që nuk është harruar nga tifozët bardhezi, të cilët e përshëndetën përpara ndeshjes.
Në prag të sfidës tejet të rëndësishme me Kukësin në kampionat, trajneri Josa mbajti pushim shumë titullarë, mes tyre edhe Latifin, një avantazh që Laçi e shfrytëzoi prej minutave të para.
Në fushë u aktivizuan emra që kanë pasur pak hapësira si Lulaj, Dema, Nafiun apo edhe paraguaianin Orue, në debutimin me korçarët.
Laçi kërkoi të shfrytëzonte faktorin fushë, ndërsa Skënderbeu provoi t’i përgjigjej me goditje standarde. Pas një pozicioni të diskutueshëm jashtë loje të Gocaj-t, të sinjalizuar nga asistenti i gjyqtarit Pashaji, pa një pikë referimi në sulm miqtë vijuan të provonin pa sukses me ekzekutimet e Prognit nga goditje standarde.
Rasti i parë i vërtetë për kampionët e Shqipërisë ishte ai i minutës së 21-të, me Esquerdinha-n, që gaboi gjithçka në finalizim. Kaq mjaftoi që Laçi ta kuptonte rrezikun e golit të pësuar në fushën e tij, duke u hedhur me forca të shumta në sulm.
Porta e Shehit u kthye në tabelë qitjeje me radhë nga Veliaj, Sefgjini dhe Çela, që në harkun e pak sekondave rrezikuan tre herë.
Flagrant rasti i shpërdoruar nga Çela, që krijoi iluzionin e golit te laçianët. Bardhezinjtë arritën ta gjenin rrjetën me Gocaj, por goli ishte i pavlefshëm pasi gjyqtari Pashaji fërshëlleu për pozicion jashtë loje, ndërsa pak çaste më pas Mitraj kishte një tjetër mundësi të shkëlqyer, por edhe pse bëri gjithçka mirë, goditja e tij përfundoi në rrjetën e jashtme.
Vështirësitë e mbrojtjes korçare u kthyen në shqetësim për teknikun Mirel Josa, por pjesa e parë e lojës u mbyll me një tjetër tentativë për Laçin, ku goditja e Mustafës u frenua me fat nga një mbrojtës.
As pushimi nuk i shërbeu Skënderbeut për të freskuar idetë, me muzikën që nuk ndryshoi. Laçi kaloi në avantazh në minutën e 48-të, gol që shërben si një garanci e vogël drejt finales.
Goditja e Cetkovic u devijua në mënyrë të pafat nga Arapi, që nxori jashtë loje portierin Shehi. Goli nuk mjaftoi, me kurbinasit që provuan pas vertikalizimit të Cetkovic për Mitraj-n, por topi përfundoi pak centimetra jashtë.
Supermacia e dukshme e laçianëve bëri të pashmangshme që Josa të ndërhynte në fushë, duke i dhuruar debutimin mesfushorit Rashica, ndërsa reagimi i Skënderbeut erdhi me tentativën nga distanca të Bekim Demës, të kontrolluar nga portieri Selmani. Për të ndihmuar korçarët në agoni dhe pa forcë për të reaguar, erdhi sulmuesi i bardhezinjve Dardan Vuthi.
I aktivizuar në të 68-ën, vetëm 2 minuta më pas, sulmuesi shqiptar i lindur në Greqi u largua nga fusha me karton të kuq, pas ndërhyrjes së ashpër ndaj Esquerdinha-s.
Inferioriteti numerik i Laçit ishte një problem për ekipin e trajnerit Zeka, që nuk vuajtën në mbrojtje, por humbën rrezikshmërinë në sulm.
Në anën tjetër, te korçarët u aktivizua Orelesi, me nigerianin që ishte një tjetër debutues në Kupë , ndërsa tekniku Josa aktivizoi në minutat e fundit edhe Xhejms, që u prit me ovacione nga ish-tifozët e tij dhe nuk arriti të shfaqej i rrezikshëm.
Me rezultat minimal dhe një gol me fat, pavarësisht dominimit në fushë, Laçi fitoi sfidën e parë. Një rezultat që nuk jep garanci drejt finales, por është një avantazh i rëndësishëm për sfidën e kthimit në Korçë.