Socialdemokratët gjermanë akuzohen për vjedhjen e sloganit që do të përdorin për zgjedhjet e shtatorit. Për më tepër, ironia qëndron në faktin se sloganin e kanë përdorur themeluesit e një agjencie që merret me punësimin e përkohshëm, kur në themel të programit të Partisë Socialdemokrate qëndron pikërisht lufta ndaj papunësisë.
“Das Ëir entscheidet” (Ne vendosim), e cila duhet kuptuar në sensin “ne jemi ata që kemi rëndësi, duhet të mendojmë më shumë për shoqërinë si e tërë dhe më pak për veten”, do të duhej të bëhej fjala kyçe e një partie që e vë theksin te kohezioni social. Por rezulton se slogani përdoret që prej vitit 2007 nga shoqëria gjermane e punësimit të përkohshëm, “Propartner”.
Kompania tashmë po shqyrton mundësitë që i jep ligji për të ndaluar Partinë Socialdemokrate gjermane ta përdorë sloganin. Por kandidati për kancelar, Per Shtainbruk, thotë se nuk ka ndërmend të tërhiqet. “Slogani nuk është juridikisht i mbrojtur, ne do ta përdorim”, ka thënë ai, por në media ka filluar të vihet në dyshim profesionalizmi i skuadrës që po përpiqet t’i marrë kancelares Anxhela Merkel drejtimin e vendit.
“Aq budallenj sa nuk bëjnë dot një kërkim në Google”, shkruante në faqen e parë e përditshmja e së majtës. Ndërsa zgjedhjet janë parashikuar të mbahen në 22 shtator, sondazhet nuk i favorizojnë aspak socialdemokratët. Sipas një sondazhi të kryer nga instituti Forsa, Partia Kristiandemokrate ka 41% të votuesve, ndërsa Partia Socialdemokrate 23%. Por jo vetëm kaq, nëse do të votohej direkt për kandidatët, Merkel do të merrte 57% të votave të gjermanëve, ndërsa Shtainbruk 19%.
Ky i fundit është vënë shpesh nën akuzën e mediave dhe opinionit për gafat e tij. Në dhjetor, Shtainbruk deklaroi se “nuk do të blija kurrë një shishe verë që kushton më pak se pesë euro”. Ndërsa në një intervistë disa javë më vonë, kandidati për kancelar tha se rroga e shefit të qeverisë gjermane ishte shumë e ulët. Kjo shkaktoi një lumë kritikash në media dhe në opinion.
Por asgjë nuk mbaroi këtu. Në shkurt, pas zgjedhjeve të zhvilluara në Itali, Shtainbruk i cilësoi ish-kryeministrin italian Silvio Berluskoni dhe drejtuesin e Lëvizjes Pesë Yjet Bepe Grilon si dy kllounë, çka bëri që presidenti italian, Xhorxho Napolitano, ta fshinte emrin e tij nga lista e të ftuarve në një darkë në Berlin, gjatë vizitës zyrtare atje.