Aleanca Kuqezi ka zhvilluar sot një takim me mbështetësit e saj në Korçë. Gjatë takimit, aktivistët kuqezi thanë se pas 23 qershorit do të konfiskohen pasuritë e Berishës dhe ministrave të tij, për t’u shndërruar në vepra infrastrukturore për arsimin publik në të gjithë Shqipërinë dhe kudo ku shqiptarët jetojnë nëpër botë.
“Jemi këtu për t’i premtuar Korçës dhe të gjithë qytetarëve që Aleanca Kuq e Zi më datë 24 qershor do të sekuestrojë të gjitha universitetet, të cilat janë pastrim i parave të ministrave më të korruptuar të qeverisë shqiptare dhe shtetasit Berisha. Ata nuk mund të gëzojnë paratë duke shitur diploma me shumicë dhe pakicë. Ne vijmë me një moto për të shuar kaosin dhe anarkinë në sistemin arsimor në këto 23 vite, ku biznesi bëhej me abetaren apo gjeografinë, me historinë. Sot ne vijmë me një premtim për të unifikuar abetaren, gjeografinë dhe historinë e kombit tonë”, u shpreh kryetari i AK, Kreshnik Spahiu.
Duke u ndalur në Festën e Mësuesit, Spahiu tha se sot arsimtarët janë të injoruar nga qeveria dhe të shtypur nga varfëria. “Shtetasi Sali Berisha rrënoi sistemin arsimor dhe për këtë Korça e ABC-së së parë do ta ndëshkojë atë me 23 qershor. Korça do të largojë përfundimisht koalicionin e tradhtarëve. Korça e Gramenos do të votojë kuqezi, sepse vota kuqezi është votë për Shqipërinë”, tha Spahiu.