AK ka mbledhur sot asamblenë e Tiranës, ku u diskutua rreth organizmit të protestës “7 prilli pa Berishën”. Kreu i AK, Kreshnik Spahiu, tha se në sheshin “Skënderbej” do të mblidhen të gjithë shqiptarët që ndihen të tradhtuar nga perandori i fundit i shqiptarëve.
“Ne do t’i bëjmë thirrje shtetasit Berisha, dorëzohu vetëm dorëzohu. Ai është njeriu që do i dorëzojmë drejtësisë. AK shpresa e vetme e shqiptarëve. Në sheshin ‘Skënderbej’ mijëra e mijëra qytetarë, do jenë familjarët e viktimave të Gërdecit të 21 janarit, familjarët e viktimave në të gjithë Shqipërinë. Shqiptarët që u përndoqën, atje në protestë do jenë të gjithë shqiptarët që ndihen të tradhtuar nga perandori i fundit i shqiptarëve”, tha Spahiu.
Kreu i AK theksoi se protesta e 7 prillit do të jetë paqësore. “Kjo qeveri nuk largohet me marrëveshjen e 1 prillit, por me protestën e 7 prillit. Ne nuk do jemi për t’u përleshur, toskët me gegët, të majtët me të djathtët do jemi me flamuj kuq e zi e pacifistë, për të treguar që jemi një komb që nuk fle”, vijoi Spahiu.