Për shkak të afateve kohore të kufizuara, kandidatët që konkurrojnë për studimet e specializimit afatgjatë në mjekësi nuk duhet t’i drejtohen Postës Shqiptare për të marrë Dëshminë e penalitetit. Për të mos penalizuar kandidatët në ndjekjen e procedurave të regjistrimit, autoritetet e arsimit kanë konfirmuar gjatë ditës së djeshme se personat e interesuar për këtë cikël studimesh duhet të paraqiten direkt në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, brenda datës 11 dhjetor për t’u pajisur me dëshminë përkatëse brenda ditës. Në të kundërt ndjekja e procedurave nëpërmjet postës do t’i penalizojë, pasi nxjerrja e dëshmisë vonon për më shumë se një javë, ndërkohë që aplikimet për studimet e specializimit pranë universitetit të Mjekësisë mbyllen në datën 12 dhjetor.
Kriteret që duhet të përmbushin kandidatët që konkurrojnë
Mesatarja mbi 7, si dhe njohja e gjuhëve të huaja janë ndër kriteret bazë që duhet të përmbushin të gjithë kandidatët që kërkojnë të fitojnë një të drejtë studimi në programet e specializimeve. Sipas rregullores, për të hyrë në garën e specializimeve kandidatët duhet të kenë notë mesatare të të gjitha viteve të studimit universitar, jo më të vogël se 7. Për studentët e diplomuar në të njëjtat programe studimi jashtë shtetit, në vendet perëndimore, të cilëve u njihet diploma për ushtrimin e profesionit përkatës në këto vende, nota mesatare më e vogël se 7 nuk përbën kriter përjashtues për pranimin në programet e specializimeve afatgjata në mjekësi. Gjithashtu, aplikuesit duhet të zotërojnë të paktën një nga gjuhet e huaja: “Anglisht, italisht, frëngjisht, gjermanisht, spanjisht, në nivele më të larta se B2 në anglisht, ose ekuivalentin përkatës, për gjuhët e tjera, për të cilat kanë dëshmitë përkatëse nga institucione të njohura në vendet përkatëse për testimin e këtyre gjuhëve. Ndërsa për të diplomuarit në vend, aplikuesit duhet të kenë kryer me sukses provimin e shtetit, konform ligjit: “Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë”, si dhe të kenë fituar të drejtën e ushtrimit të profesionit përkatës. Nuk mund të konkurrojnë kandidatë që janë duke kryer, ose që kanë kryer më parë një program specializimi afatgjatë.
Si ndahen 1000 pikët për garuesit e specializimeve
Vlerësimi i kandidatit do të bëhet me sistem pikësh, maksimumi 1000 pikë të konvertuara.
Rreth 20 për qind e pikëve, ose e thënë ndryshe 200 pikë i përkasin notës mesatare të rrumbullakosur me dy shifra pas presjes dhjetore. Rreth 70 për qind e pikëve (700 pikë) të rrumbullakosura me dy shifra pas presjes dhjetore janë përcaktuar për testimin me shkrim që secili kandidat do të zhvillojë në profilin e tij, pranë Agjencisë Kombëtare të Provimeve.
Testi do të jetë i informatizuar dhe do të ketë në përmbajtje 100 pyetje me alternativa. Ndërsa 100 pikët e mbetura i përkasin intervistës me gojë.
Si llogariten pikët e notës mesatare
Si notë mesatare do të konsiderohet nota mesatare e notave të ponderuara me kreditet e të gjitha viteve të studimeve universitare të kryera, duke përfshirë dhe diplomimin, përveç rasteve kur nota përfundimtare e diplomimit përfshin notën mesatare të gjitha viteve. Në këtë rast merret për bazë nota përfundimtare e diplomimit. Për kandidatët që kanë kryer studimet në universitetet private, nota mesatare shumëzohet me një koeficient 0,8. Për kandidatët që kanë kryer studimet në universitetet publike, të cilat lëshojnë diploma të përbashkëta me universitetet perëndimore, nota mesatare shumëzohet me koeficientin 1. Po kaq do të jetë edhe koeficienti për kandidatët që kanë kryer studimet në strukturat publike të arsimit brenda vendit. Për kandidatët që kanë kryer studimet jashtë vendit, nota mesatare shumëzohet me koeficientin 1,25.
Shembulli si konvertohen pikët e mesatares
Nota mesatare 10 konvertohet në 200 pikë
Nota e përllogaritur 9 konvertohet në 150 pikë
Nota mesatare 8 konvertohet 100
Nota mesatare 7 konvertohet në 50 pikë.
Çdo 0.10 e notës mesatare të përllogaritur është baraz me 5 pikë të konvertuara (për shembull nota mesatare 7,10 = 55 pikë të konvertuara, 8,20 = 110 pikë të konvertuara, 9.34 =167 pikë të konvertuara, etj).