Hedhja e pakontrolluar e mbetjeve spitalore në kazanët e plehrave ndëshkon me gjobë 26 institucione mjekësore. Autoritetet e mjedisit bëjnë me dije se pjesa dërrmuese e strukturave mjekësore nuk i trajton më parë mbetjet, ndërkohë që hedhja e tyre pranë ambienteve të banimit rrezikon përhapjen e infeksioneve te banorët e zonës
Pranvera Kola
Pavarësisht misionit që kanë, shumë prej institucioneve spitalore në vend klasifikohen si burim rreziku për vatra infeksionesh. Shkak për këtë bëhet hedhja e pakontrolluar e mbetjeve spitalore në të njëjtin vend me plehrat e përditshme. Ndërkohë që kjo situatë merr përmasa më shqetësuese gjatë këtij sezoni ku temperaturat vijnë në rritje.
Pas ankesave të marra nga qytetarët kundrejt kësaj problematike, ekspertët e mjedisit kanë nisur një seri monitorimesh nëpërmjet të cilave janë zbuluar shkelje të shumta. Kryeinspektori i Mjedisit Alfred Deshati ka bërë me dije se nga kontrollet e ushtruara deri më tani rreth 26 institucione mjekësore, përfshirë këtë spitalet publike apo private, si dhe shumë qendra të tjera të kujdesit parësor janë ndëshkuar me gjobë pasi nuk i kanë trajtuar siç duhet mbetjet spitalore.
Nuk janë të pakta rastet në të cilat mbetjet spitalore pas përdorimit hidhen në kazanët e plehrave që ndodhen rreth e rrotull qendrës mjekësore. Veprim ky që përbën shkelje të rëndë dhe mbart rreziqe të shumta për shkak se materialet e hedhura rrezikojnë përhapjen e infeksioneve të natyrave të ndryshme.
Ligji i trajtimit të këtyre mbetjeve përcakton djegien e tyre në pajisje të posaçme siç janë autoklavat, por në të vërtetë janë të pakta qendrat mjekësore që kanë kontratë për trajtimin e mbetjeve. Sipas Deshatit, në pjesën dërrmuese të rasteve mbetjet spitalore përfundojnë në kazanët e plehrave e më pas në landfillin e Sharrës.
Deshati shton se janë të pakta institucionet që kanë një kontratë për trajtimin dhe asgjësimin e mbetjeve spitalore, por edhe në këto raste kapacitetet janë të pamjaftueshme. “Gjobat shkojnë në një vlerë tek 21 milionë e 100 mijë lekë të reja. Kemi konstatuar një sërë problemesh. Një nga problemet që mund të them është: mungesa e një kontrate. Ligji e thotë në mënyrë taksative, të paktën të gjitha ambalazhet që ne i përdorim për mbetjet spitalore duhet të jenë të specifikuar mirë, duhen kontenierë për mbetjet e lëngshme. Kemi shumë probleme prandaj kanë ardhur dhe ndëshkimet”, shprehet Deshati.
Ndërkohë që shton më tej se kontrollet do të vijojnë edhe gjatë ditëve në vijim, dhe për të gjitha rastet e shkeljeve do të veprohet me ndëshkime duke filluar nga gjobat e deri tek ndërprerja e licencave për ndërprerjen e aktivitetit në rastet e shkeljeve të rënda. “Në rast se subjekti nuk vlerëson problemin e mbetjeve spitalore, ne do të shkojmë deri në pezullimin e aktivitetit, sepse nuk mund të tolerohen këto raste”, përfundon Deshati.
Duke u ndalur tek shembujt konkret ai vë në dukje se një nga rastet që ka nevojë për një ndërhyrje urgjente është spitali psikiatrik në qytetin e bregdetar të Vlorës. Kjo pasi hedhja e tyre po uzurpon gjithë rrugën nacionale Vlorë – Fier, në mungesë të një vendi të përcaktuar, duke u bërë një burim i rrezikshëm për shpërthimet e vatrave të infeksioneve.
Vatrat e infeksionit
Mbeturinat spitalore favorizojnë terrenin për përhapjen e sëmundjeve infektive. Ekspertët e shëndetit publik vënë në dukje se hedhja e tyre në kazanët e plehrave është e rrezikshme, pasi mbartin në vetvete infeksionet e rënda të sëmundjes që kanë kuruar, ose të helmeve që mund të jenë larguar nga trupi i pacientit që është kuruar me to.
Ndaj të gjitha mbetjet që digjen apo hidhen në kazanët e plehrave apo akoma më keq nëpër rrugë, pa u bërë më parë djegia e tyre në incenerator, janë një rrezik i madh. Banorët e zonave përreth laboratorëve klinikë, spitaleve, poliklinikave dhe institucioneve të tjera mjekësore që nuk i trajtojnë mbetjet spitalore siç duhet, janë më të rrezikuarit për tu prekur nga sëmundjet infektive. Ndërkohë që sëmundjet që mund të përhapen nga mbetjet spitalore janë ato të hepatitit, veçanërisht tipit A, sëmundje gastro-interite, e të tjera.