Ish-Regjimenti i Kimisë në Shish-Tufinë do të shndërrohet në një spital psikiatrik ligjor, dhe në një qendër të specializuar kurative për sëmundjet e kolonës vertebrale. Vendimi tashmë është marrë, dhe hapësira prej rreth 12600 metrash katrorë do të shërbejë për ngritjen e një qendre spitalore të specializuar në trajtimin e të dënuarve me probleme të rënda psikike. Për vite me radhë nga institucionet është kërkuar ngritja e një hapësire të veçantë trajtimi për këtë kategori, pasi kurimi i tyre në spitalet e burgjeve ka shfaqur mangësi të shumta. Gjatë ditës së djeshme, Ministria e Shëndetësisë ka komunikuar marrjen në dorëzim të këtyre ambienteve që kanë qenë në zotërim të Ministrisë së Mbrojtjes, duke pohuar edhe nisjen zyrtare të punës për hartimin e projektit të fizibilitetit, për ngritjen e këtij spitali, i cili do t’u vijë në ndihmë qindra pacientëve. Sipas parashikimeve të bëra spitali do të ketë një kapacitetet për 160 pacientë. Ndërkohë që për ngritjen e këtij spitali do të nevojiten rreth 5 milionë euro, 4 prej të cilave do të sigurohen nga Bashkimi evropian, si dhe 1 milionë euro do të investohen nga qeveria shqiptare. Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, shprehet se ndërtimi i spitalit psikiatrik ishte një detyrim për njerëzit që kanë nevojë për këtë shërbim. “Opinioni është njohur që javën e kaluar ku në mbledhjen e qeverisë me vendim të Këshillit të Ministrave, ky territor kaloi përgjegjësinë e administrimit nga Ministria e Mbrojtjes tek Ministria e Shëndetësisë. Ne kemi filluar punën konkrete për të ndërtuar spitalin e psikiatrisë ligjore. Është një detyrim i kahershëm prej shumë vitesh është kërkesë që vjen në radhë të parë për t’i dhënë kujdesin edhe dinjitetin edhe njerëzve që kanë nevojë për këtë shërbim, është në raportet e përvitshme të Avokatit të Popullit”, ka deklaruar ministri Ilir Beqaj. Sipas Avokatit të Popullit, Igli Totozani, shkon mbi 120numri i personave, të cilëve Gjykata u ka dhënë një masë për kurim shëndetësor të specializuar. “Nëse më pyesni cila ka qenë shkelja më e madhe e të drejtave të njeriut, do të thoja së është pikërisht kjo, strehimi në spitale të burgjeve të personave të cilëve gjykata ju ka dhënë një masë shëndetësore”. Projekti për ngritjen e kësaj qendre ku do të kurohen edhe të sëmurët me problem të kolonës vertebrale do të paraqitet në muajin korrik, ndërsa pritet që ndërtimi të fillojë vitin e ardhshëm. Aktualisht janë me qindra personat që gjenden në spitalet e burgjeve, e që kanë nevojë për këtë shërbim të specializuar. Për këtë kategori, gjykata ka dhënë masë shëndetësore dhe jo një dënim. Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian ka konfirmuar edhe ndihmën prej 4milion eurosh që do t’i jepen vendit tonë në ndërtimin e këtij spitali, si një institucion i domosdoshëm.