Inter dhe Milan do të ndahen për herë të dytë në historinë e tyre. Dikur, në fillimet e shekullit të kaluar, një grup lojtarësh u larguan nga skuadra e Milanit për të themeluar klubin Internacionale, ndërsa tani ndarja do të jetë për sa i përket stadiumit legjendar “Giuseppe Meazza”, i pagëzuar me emrin njërit prej lojtarëve më të famshëm që ka luajtur me të dyja skuadrat. Pas gati 70 vitesh, dy milanezet nuk do të luajnë më në të njëjtin stadium, i njohur në zhargonin e përditshëm si “San Siro”, me emrin e rajonit ku është ndërtuar. “Sport Mediaset” ka bërë të ditur se më 13 mars do të merret vendimi përfundimtar nga drejtuesit e të dy klubeve. Me shumë mundësi Interi dhe Milani do të reshtin së përdoruri së bashku stadiumin në vitin 2016 ose 2017, pasi Milani ka në plan ndërtimin e një impianti të ri, ndërsa Interi do të rimodelojë “Meazza-n”. Nëse gjërat shkojnë sipas planeve, Milani do të kenë stadiumin e ri në verën e vitit 2016 ose atë pasardhës. Idenë e parë për ndërtimin e stadiumit të ri e kishin fillimsht drejtuesit e Interit, por mesa duket tashmë kjo ide bazë e presidentit të ri zikaltër Erik Thohir ka rënë poshtë. Fillimisht u mendua se Interi do t’i hapte luftë Milanit për ndërtimin e një stadiumi të ri në zonën e Formell, por në javët e fundit ky lajm është hedhur poshtë dhe tashmë është e sigurt që zikaltrit do të rinovojnë “San Siron”.