Ashtu siç ndodhë në çdo kohë kur nuk ka ngjarje, në stinën që po kalojmë, njerëzit sajojnë lloj-lloj historish e anekdotash, thjesht që të gjejnë një shkas për të folur, më saktë për të llomotitur, siç bëjnë të gjithë njerëzit e ngeshëm. Nisur nga ky fakt, ato që do të thuhen këtu, apo diku tjetër, nuk mund të merren detyrimisht si të vërteta.
Në një katund të vogël, shumë kohë më parë, kishin zgjedhë kryeplak, dikë në moshë të relativisht të re. Thonë se kur ishte i ri, kryeplakut i ngjiste llafi si me zamkë, apo të paktën kështu u dukej katundarëve, të cilën dëshironin ta besonin atë. Ai fliste dhe turma e madhe me katundarë të thjeshtë, pijanecë sarhosh, ish të burgosur, ish spiunë, analistë të rrjedhur, njerëz që dinin të përpunonin opinionet e katundarëve, kurva të dhjamosura, gazetarë të kastruar, ish aktore, e lloj-lloj tipash të tjerë, ndiheshin vërtet në delir sa herë fliste kryeplaku i ri.
Thonë se para tij, ky katund kishte pasur një kryeplak tjetër, të egër sa nuk thuhet, të cilit një jetë të tërë i kishin thirrur baba, madje më shumë se baba, sepse babai i vërtetë “të bën nënën”, por ky u kishte “bërë nënë e babë” katundarëve. Ai iku, nuk dihet si iku, sepse në këtë katund të largët ka shumë legjenda. Ndoshta e mori zoti, ndoshta ende nuk ka ikur, por fakt është se pas tij, katundi zgjodhi kryeplakun e ri. Thonë se ky kryeplak, para se të niste punën e tij fisnike, kishte shkuar tek varri i paraardhësit të tij. Nuk dihet se çfarë kanë biseduar, por dukej se ky kryeplak ishte krejt ndryshe.
Sa u ulë atje në sarajet e të parit të katundit, ndërsa rrezatonte i tëri, ai tha se bota nis me mua, (dhe pas kësaj përmendi një emër profeti, por nuk dihet se kë, sepse kurrë nuk u mësua nëse ai besonte në Zot apo jo). Madje nisi të vrapojë tutje nëpër pllaja të katundeve të tjerë, herë nëpër kisha e herë nëpër xhami, duke e bërë edhe më mister lidhjen e tij me Zotin. Fliste bukur, madje në çdo tre fjalë, njëra prej tyre ishte fjalë Oksidenti, ku thonë se kishte studiuar, ndërsa katundarët e thjeshtë, mblidheshin tek lëmi i katundit dhe e shikonin si të shushatur.
Për ta bërë katundin më të fortë, për të treguar se ky katund tani do të ecte në monopate të reja, por edhe për të bërë lidhjen me trashëgimin mbresëlënëse të katundit, kryeplaku i ri, thirri rreth vetes, nga të gjithë tipat e atij katundi, edhe pse kjo dukej punë mjaft e vështirë, pasi çdo banor dukej tip në vete. Pranë tij në saraje, u ulën prijës të kohërave të shkuara, të burgosur, ministra, deputet, spiunë, hetues, dënglaxhinjë, bijë komunistësh, bijë ballistësh, bejtexhinj të lodhur, filozofë tuhafë, lahutarë, e plotë ish të tjerë. Bashkë me ta, u ulën edhe njerëz fringo të rinj, ardhur nga Oksidenti, si gazetarë, modele, aktorë, llafazanë, arrivistë, idealistë, vajza të reja që sapo kishin hequr trikot e leshit, e tani mbanin aromë parfumi Oksidental, njerëz koti fare, mashtrues, drejtues emisionesh kokërruar, këshilltarë e dhënësh mendimesh me mjekër të djersitur. Katundi nisi të ecte ku i printe i pari i tij.
Askush nuk dinte të ligjëronte si kryeplaku dhe nuk ishte nevoja që turma rreth tij të thoshte se kryeplaku ynë flet kaq bukur. Fliste kudo nëpër sheshe, a tek lëmi i fshatit, në gazeta, a studio. Fliste për qiellin, tokën, zogjtë, martesat, ndarjet, misteret, librat e shenjtë, paudhësitë, stilistët, horrat, kanunin, kurvat, poezinë, motrat, gratë, ligësinë, fisnikërinë, e gjithçka që ndodhte jo thjesht në atë katund të vogël. Ky kryeplak ishte fati i katundit, por askush nuk dinte ta shpjegonte këtë shans që kishte ardhur pas kaq shumë kohësh. Duke parë bukurinë e fjalëve të tij, burrërinë e veprimeve të tij, ashpërsinë e admirueshme të gjithçkaje që bënte ai dhe mallin e pakufishëm të banorëve për të, pati edhe nga ata që mendonin se kur shkoi tek varri i paraardhësit të tij, ai i kishte thënë pak a shumë kështu: Tani që do jesh kryeplak, duhet ta dish se katundarët e respektojnë shumë atë që u ka “bërë” nënën, por ti je prijës, pra duhet të jesh dy herë baba për ta dhe kjo bëhet e mundur vetëm po t’u “bësh nënë e babë”. Nuk dihet sa e dëgjoi këtë këshillë kryeplaku, por fakti është se ai vërtet u bë për katundarët dy herë baba, pra një perëndi e vërtetë që dinte si e donin katundarët.
Ai dinte si sillej edhe kur i përkëdhelte, apo kur i rrihte. I telendisi, i ç’burrëroi, i hoqi zvarrë, madje edhe vrau, u ngjalli mallin e prijësit të mëparshëm e ua mbushi shpirtin plotë, sidomos kur fliste. Flori nxirrte nga goja. Por vitet ikën tutje pak nga pak, e kryeplaku u bë vërtet plak, një plak me huqe. Nuk ka rëndësi të thuhet se faqet iu bënë si bokërima, flokët iu çakërdisën, trupi iu bë si hark, për t’iu ofruar tokës, madje këto nuk duhet thënë fare, sepse janë thjesht njerëzore. Rëndësi ka të thuhet se edhe ashtu, të rrëgjuar nga mosha, njerëzit vazhdonin ta adhuronin. Si huq i mbetur nga rinia e tij, ai nuk lodhej së foluri, por (në djall pleqëria për kryeplakun!), me kalimin e viteve, qëllonte që plaku thoshte ndonjë fjalë për të qenë dhe jo për fajin të tij, qëllonte edhe t’i ikte pa dashje ndonjë p…rdhë.
Edhe pse ky fenomen u shtua ca si tepër, madje jo vetëm nëpër tribuna e studio, por edhe me forma të reja komunikimi të panjohura për atë katund, njerëzit që e donin aq shumë, me katundarë të thjeshtë dhe sojli, gazetarë dhe artistë, analistë dhe këngëtarë, zhgarravitës gazetash dhe pijetarë, inatçinj dhe gaztorë, servilë dhe kryeneçë, vazhdonin të thoshin se vërtet tani i pari ynë fletë më pak, madje edhe pj…rdhë, por të na rrojë sa malet, sepse plakut vetëm p…rdhët nuk duhet t’i dëgjosh. Madje ca tipa nga ata që llomotisin çdo pasdite tek lëmi i katundit, nisën të gërmojnë teori të Oskidentit që kishin lidhje me “kompleksin e atit” dhe arritën në një konkluzion brilant se ati nuk “vritet” kurrë. Kjo gjë ishte kaq e bukur për atë katund të vogël edhe thjesht po ta mendoje. Por më pas erdhi një kohë, kur sërish jo për faj të tij, kryeplakut i shteruan të gjitha fjalët. Erdhi një stinë ters për atë katund, ku i pari i tij, në vend të fjalëve kishte vetëm p…rdhë. Turma e madhe e katundarëve të thjeshtë dhe sojli, gazetarëve dhe artistëve, analistëve dhe këngëtarëve, zhgarravitësve të gazetave dhe pijetarëve, inatçinjve dhe gaztorëve, u gjendën në një siklet të madh dhembshurie.
Nuk dihet sa vazhdoi kështu, deri sa një ditë vere, një i krisur që kishte dëgjuar teorinë e çuditshme të mendjehollëve të katundit, nisi të bërtasë sa kishte fuqi, tani është një stinë e bukur për të “vrarë” atin! Kjo nuk ishte dëgjuar kurrë në atë katund. Ata që kishin studiuar “kompleksin e atit”, shqyen sytë. Ashtu siç kishte ndodhur gjithmonë, edhe tani, asnjë teori Oksidenti, nuk kishte vlerë për katundin e tyre të vogël. Nuk ka rëndësi si rrodhën ngjarjet, por thonë se pas kësaj, turma e madhe e katundarëve e dëgjoi të krisurin dhe e “vrau” atin. Natyrisht jo fizikisht, sepse fizikisht ata katundarë ja futin lehtësisht vetëm njeri tjetrit, por thjesht e lejuan kryeplakun të jetojë pleqërinë e tij, ku jo detyrimisht duhet të flasësh
ooo shume e bukur alegoria tamam e diteve tona ,,po a e kuptojne tru ckulurit tane te falenderojme zoteri ,qe i ke rene deres qe te degjoje dritarja ,,po jo nuk besoj se vetem [nena ]esshte pergojosur deri tani ,,do presin njerezit deri sa te plotesohet cikli edhe me babane
kjo ndodh vetem majtas. E djathta e respekton traditen. Kot lodheni. meruni me qeverisjen. Ju thoni swe opozita eshte e dobet, pse merreni me te, apo e keni aq frike Berishen sa….