“Hajde me një çun”, “Tjetër herë me djalë”, janë shprehje që përdoren rëndom në Shqipëri, teksa preferenca për të pasur një fëmijë mashkull është e dukshme. Kjo preferencë tashmë është e vërtetuar dhe statistikisht, duke na “veçuar” nga vendet e zhvilluara perëndimore.
Në studimin më të fundit të Organizatës Woman Stats 2015, jepet një hartë botërore e preferencës gjinore nëpër shtete të ndryshme në botë, duke matur kështu një nivel të diferencimit gjinor, që në rrënjë.
Sipas hartës, shqiptarët shfaqin sjellje preferenciale ekstreme për fëmijë djem. Së bashku me fqinjët rajonale Kosovë dhe Maqedoni gjendemi në zonë e kuqe, me të njëjtat nivele si një numër i madh vendesh aziatike dhe afrikane.
Për pjesën tjetër të Ballkanit, që gjenden në zonën e verdhë, preferencat konsiderohen më normale, por që anojnë disi te djemtë. Vendet europiano-perëndimore dukshëm nuk kanë preference gjinore për fëmijët e tyre.
Sipas shifrave të INSTAT, raporti gjinor i popullsisë gjithsej është 51% meshkuj dhe 49% femra. Numri i lindjeve gjatë vitit 2015 arriti 32,7 mijë lindje. Raporti gjinor në lindje është 1,1 që tregon se në 100 lindje vajzash lindin 110 djem.
Ky raport është më i lartë se raporti natyral i cili është 1,06 që tregon një preferencë për lindjet e gjinisë mashkullore. INSTAT shton se rënia e numrit të lindjeve krahasuar me vitin 2014 është afërsisht 3 mijë lindje. Për lindjet meshkuj kemi një rënie 8%, ndërkohë për lindjet femra rënia është 9%./MONITOR