Lionel Mesi është i emocionuar nga starti i shkëlqyer në kampionat, ku Barcelona mundi 7-0 Levanten. Argjentinasi tani përsërit dëshirën për të fituar çdo trofe të mundshëm, duke filluar me Superkupën e Spanjës, ndeshja e parë e të cilës luhet sot në mbrëmje. “Nisja ishte shumë e mirë. U treguam të gjithëve se jemi gati për një sezon të madh”, janë fjalët e Mesit. “Tani jemi të gjithë të përqendruar te Superkupa”. Në takimin e sotëm, përballë do të jetë Atletikë Madrid, i cili pret kampionët në “Vicente Calderon”. Kundërshtari do të jetë ndryshe nga dy sezonet e fundit, kur përballë ishte Real Madrid, megjithatë nuk bëhet fjalë për një ndeshje të lehtë. Trajneri i fituesve të Kupës, Diego Simeone, garanton se do të ketë spektakël dhe se skuadra e tij dëshiron të mundë Barcelonën, ashtu siç mundi befasisht edhe Realin në finale. Megjithatë, Barça mbetet favorite dhe i ka të gjitha mundësitë që ta çojë në 11 numrin e Superkupave të Spanjës, një trofe që e ka fituar më tepër se çdo skuadër tjetër. Për sa i përket Atletikos, e ka fituar vetëm një herë Superkupën dhe kundërshtar ka qenë pikërisht Barcelona. Ishte viti 1985 dhe fituesit e Kupës së Spanjës befasuan kampionët e rinj të vendit. Si për koincidencë, në atë sezon, të dyja skuadrat shkuan deri në finalet evropiane, por pa mundur të fitonin trofetë, teksa Barcelona u mund me penallti nga Steaua në Kupën e Kampioneve, ndërsa Atletiko u mund 3-0 nga Dinamo Kiev në Kupën e Kupave.