Disa ide mbi procesin e rilindjes europiane të vendit.
“Përgjegjësia fillon nga ëndrra”. Me këtë përkufizim të William Butler Yeats do doja unë te transmetoja disa ide te miat mbi rolin e artit dhe kulturës në ngritjen e ndërgjegjes kombëtare, rolin e artistëve dhe kulturprodhuesve si mendimtarë e korektues të shoqërisë, thellimin e dialogut ndërajonal si dhe peshën që ata duhet të mbajnë në procesin e rilindjes e nëpërmjet saj, atë të integrimit evropian të vendit.
Shprehja popullore “ëndrra nuk kushton” për mendimin tim mund të ketë pasoja katastrofale për personin vetë, e ndoshta dhe për një popull të tërë, nëse ky person ka një pozicion vendimmarrës. Kjo, për arsyen e thjeshtë se, njeriu i papërgjegjshëm dhe ëndrrat i shikon të “papërgjegjshme” dhe nëse ky person ka nje pozicion vendimmarrës, atëhere zbatimi i këtyre ëndrrave në realitet ka pasoja për gjithë shoqërinë dhe në këtë rast nuk mund të diskutohet më mbi bindjet por, mbi besimin brenda ndërgjegjes e cila, për mendimin tim, në të tilla raste është vendimmarrëse.
Shqipëria është evropiane jo vetëm gjeografisht por edhe shpirtërisht ashtu si dhe kulturalisht. Gjatë gjithë punës sime, në dhe për Evropën, me bindje të plotë, në mendje kam pasur shprehjen e famshme të Paul Valéry se “absolutisht evropiane është gjithshka që vjen nga tre burimet: Jerusalem, Athinë e Romë”.
Duke qënë se gjeografikisht Shqipëria ndodhet në rrjedhen e këtyre tre burimeve ka bërë që ajo prej këtyre prurjeve të “ngopet shpirtërisht”, e si pasojë edhe “fryrjet dhe derdhjet në det” i ka pasur evropiane, nga të cilat sot kemi pasuri e krijimtari të shumta, pjesë të trashëgimisë kulturore kombëtare. Ashtu sic kanë përfituar edhe shtete të tjera në Evropë, që dhe ato u “ngopën” nga këto tre prurje, e që në rrjedhën e viteve krijuan fizionomitë e tyre unikale.
Tashmë, kur të gjithë ne përpara syve kemi një ëndërr, një ide e një qëllim, atë të rifutjes në familjen e përbashkët evropiane, është detyrë e të gjithëve ta vëmë në lëvizje shpirtin, mendjen e trupin se si këtë pasuri e trashëgimi të madhe kulturore t’a vëmë në funksion të zhvillimeve të ardhshme të vendit.
Unë me kënaqësi do ta citoj José Manuel Barosso-n i cili në një letër që më dërgoi me rastin e inaugurimit të projektit tim “Europa Boulverad – 100 hapa drejt Evropës“ ndër të tjera do t’më shkruante se: “…ky bulevard ne Pogradec do shërbejë si simbol i asaj që e ardhmja dhe perspektiva e Shqipërisë është në Evrope dhe në Bashkimin Evropian. Megjithatë, nuk duhet të harrojmë kurrë se ky rajon me thesaret e shumta kulturore si dhe gjurmët e perandorive romake, bizantine e osmane është dëshmi e gjalle e asaj që dikur ka qene në mes të Evropës… prandaj është detyra jonë që ketë shumëllojshmëri kulturore që ka Evropa ta mbështesim e ta vëmë në pah, ta vendosim atë ne axhendat e përditshme. Sepse ajo paraqet shigjetën drejtuese e themeltare të integritetit evropian, me një ndikim të thelle në identitetin tonë evropian…”.
Nëse unë sot, do të shtroja pyetjen se cili është roli i artit e kultures në procesin e rilindjes evropiane të vendit do ti përgjigjesha asaj me: vendimtar.
E ardhmja jonë evropiane nuk mund t’i lihet më rastësisë dhe ëndrrave të papërgjegjshme të të papërgjegjshmëve. Detyra jonë imediate është të mendojmë se si nga pasuria jonë kulturore t’a pasurojmë politikën aktuale, sesi ta frymëzojmë atë nga identiteti ynë dhe mbi të gjitha se si të krijojmë politika e strategji për t´u paraqitur ne Europë si pjesë e denjë e identitetit të perbashkët, atij pluralist evropian.
Imre Kertezs, fitues i çmimit Nobel për letërsi, në një shkrim mbi “trashëgiminë mbresëlenëse të Evropës” që do t’ma dërgonte me rastin e projektit tim “100 hapa drejt Evropës” ndër të tjera do të shkruante se: “…një civilizim që vlerat e tij nuk i ka të qarta, apo vlerat e tij i lë në baltë është i destinuar të marrë rrokullimën e t’i dridhen gjunjtë. Dhe, nuk do të jetë vonë kur, të vijnë të tjerët që do të shpallin vlera të tjera dhe, në gojën e këtyre të tjerëve ato nuk do të jenë me vlera, por pretekste e fasada për pushtet absolut dhe të shkatërrimit të pakufizuar…”.
Arti e kultura i jep Shqipërisë, dhe jo vetëm asaj, identitetin e tyre, e që përbëjnë identitetin e përbashkët evropian. Unë përfaqesojë këtu bindjen time të thellë që, Unioni Evropian përpara se të jetë një union i fuqishëm ekonomik e politik mbi të gjitha është një union vlerash, një union social e kulturor. Vëmendja, besimi dhe respekti për njëri-tjetrin janë cilesitë e veçanta që demonstron ky union dhe që përbëjnë bazën e domosdoshme për bashkimin dhe bashkëjetesën harmonike të saj.
„Evropa fillon te pragu i derës së shtëpisë tënde“
“Evropa nuk fillon në Bruksel apo në Strasburg: Evropa fillon te pragu i derës së shtëpisë tënde” – do të dëgjoja unë të thoshte Hans Gert Pöttering, President i Parlamentit Evropian, në një debat mbi identitetin evropian.
Por që rruga e zgjedhur të ketë vazhdimësi e të ardhme, është e domosdoshme të ketë dhe institucione, ashtu si dhe struktura që mendojnë në menyrë evropiane. Dhe për këtë, duhet që dhe punonjësit në tp të jenë të motivuar për idenë Evropa, të kenë një ngazëllim për vlerat e saj, e mbi të gjitha të mendojnë si evropian. Vetëm në këtë mënyrë mund të prishim murret e fundit, ato mental e ndarës, që i kemi akoma përpara, në rrugën tonë për në Bruksel.
Ish-Presidenti gjerman, Richard von Weizsäcker, me të drejte do te thoshte ne Berlinin e bashkimit se: “…nuk është Evropa brenda kufijve të mureve ajo që mund të pajtohet, por një kontinent i tërë që kufijve ua merr natyrën e tyre ndarëse”.
Procesi i integrimit evropian në vetvete është një proces integrimi shpirtëror, dhe në këtë mënyrë arti e kultura të cilat burimin e kanë te shpirti e te ndjenja ashtu si dhe arritjet e tjera të shqiptarëve nëpër botë mund të luajnë një rol të rëndësishëm në krijimin e imazhit pozitiv të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare pasi ato krijojnë momente të “kthimit të kokës dhe vëmendjes” drejt saj, e në këtë mënyrë të shikohet ndryshe dhe të merret seriozisht. Arritjet e mëdha individuale të artistëve, shkrimtarëve e mendimtarëve shqiptarë kanë bërë e do të bëjnë që imazhi i vendit të ndryshojë në sensin pozitiv, po ashtu të jepen shembuj të një kulture tjetër të dialogut, larg atij dialogu që përdoret me politikanët.
Shqipëria mund të jep një ndihmesë të madhe në pasurimin e jetës kulturore evropiane, pasi fuqia e Evropës nuk qëndron vetëm te ekonomia por dhe te mundësia qe ajo i jep dialogut të kulturave, dhe hapesirën e nevojshme që ato kërkojnë për t’u takuar, pastaj ta shikojnë njëra-tjetrën nga i njëjti këndveshtrim. Në bërthamën e tyre këto kultura vijnë nga e njëjta origjinë, gjë që do ta konstatonte përpara 400 vjetëve edhe Voltaire, i cili do të thoshte se: “…4/5 e kulturave të popujve të Evropës është e njëjta gjë…”.
Shqipëria paraqitet në arenën ndërkombëtare me dy pamje: atë të arritjeve të sukseshme individuale në fushën e artit e kulturës, si dhe atë të papërgjegjshme nëpërmjet partive politike të përfaqësuara nga drejtuesit e tyre. Ky antagonizem i thellë është i dëmshëm dhe në këtë mënyre i papranueshëm dhe për përmirësimin e këtij imazhi del një detyrë imediate për korrektimin dhe krijimin e axhendave efikase në fushën e politikës së jashtme, atë të integrimit nëpërmjet kulturës.
Evropa është kulturë dhe si pasojë edhe politikanët e saj vijnë nga hapësira kulturore. Duke u nisur nga ky fakt është mëse e nevojshme që politikat kulturore të jenë pjesë përbërëse e politikës së jashtme të vendit, në mënyrë që të arrihet një integrim sa më i shpejtë i vendit në strukturat evropiane.
Për ta arritur këtë qëllim duhet:
1 – bërjen prezente të trashëgimisë kulturore në institucionet më të larta të kulturës e politikës evropiane si pjesë e identitetit të përbashkët evropian. Por, kjo nuk do të thotë të tregojmë se ne kemi ngelur vetëm te disa gurë, shtylla e mozaik në Apolloni, Dyrrah, Amantia apo epoka të tjera të historisë. Nëse do i referohesha Gustav Mahler atëhere do ta përdorë shprehjen e tij se “traditë nuk do të thotë mbajtja e shpuzës por çuarja më tutje e flakës”. Në këtë kontekst del për detyrë që të transmetojmë në Evropë jo vetëm epokat e ndricuara të civilizimeve në të cilat vendi ynë ka qënë pritës e që i ka zhvilluar vetë por dhe zhvillimet e tendencat avandgarde e bashkëkohore, nga e cila kemi shëmbuj mbresëlënës. Në këtë mënyrë i paraqitemi opinionit ndërkombëtar si një vend i orientuar nga e ardhmja e si pjese përbërëse e zhvillimeve botërore.
2 – kultura luan nje rol të dyfishtë: nga njëra anë ajo jep mundësinë për njohjet reciproke dhe nga ana tjetër ajo jep mundësinë për të qenë solidar me njëri-tjetrin, duke qënë se vijmë nga e njëjta hapësirë. Kjo do të thotë që ne duhet të nxisim iniciativat kombëtare e rajonale për thellimin e dialogut interkulturor e njohjen e perkatësive vetjake e të përbashkëta, duke e kthyer Shqipërinë me cilësitë e saj tashmë të njohura dhe të respektuara nga e gjithë bota, sic janë ato të tolerances fetare dhe pasurisë së trashëguar, në një qëndër të debateve mbi të ardhmen evropiane të rajonit.
3- Krijimi i politikave të cilat janë te orientuara drejt rilindjes e, të ardhmes së përbashkët evropiane janë të një rëndësie të vecantë. Ato duhet ta kenë si bërthamë të tyre principiale qëllimin se si ne, me bindje të plotë, do të krijojmë ingranazhet për transmetimin e ideve në rrugën që tashmë kemi zgjedhur për të vajtur, atë ne “Evropë”, duke u bërë kështu, promotorë të një rilindjeje të re shpirtërore e cila, për mendimin tim, fillon që nga librat e shkollave; pra duke vendosur nëpër tekste jo vetëm të kaluarën e lavdishme nacionale e internacionale, që shpeshherë ka qënë e dhimbshme dhe e përgjakshme por, në to, të pasqyrohet dhe e ardhmja e përbashkët ashtu si dhe perspektiva e përbashkët, evropiane. Në këtë mënyrë “ideja Evropë”, që për shumë nga ne është aq ngazëlluese e joshëse, të jetë e ankoruar fortë në ndërgjegjen e secilit, përpara se ai (dikush) të behet vendimmarrës. Nxënësve të shkollave duhet t’u bëhet e qartë se nuk je vetëm tiranas, durrësak apo vlonjat por mbi të gjitha je shqiptar i kontinentit evropian.
Masat që duhen marrë për realizimin e këtyre qëllimeve
Zbatimi në praktikë i këtyre orientimeve për marrjen e frytave të dëshiruara, e në këtë mënyrë t’i afrohemi sa më shumë e sa më shpejtë qëllimit të përcaktuar, kërkon marrjen e disa masave të menjëhershme, sic janë:
1 – mbajtja e kontakteve dhe përmiresimi i tyre me të gjitha institucionet artistike, kulturore e politiko-kulturore nëpër Europe e bote. Gjetja e partneriteteve të reja dhe bërja e qartë e rëndësisë dhe ndihmesës që ka dhënë dhe jep arti e kultura shqiptare në historinë botërore, si dhe opsionet që ajo ofron e krijon per thellimin e dialogut ndërkulturor si bazë e një bashkejetese paqësore në kohët e sotme.
2 – mbështetja e iniciativave dhe projekteve që kanë si bazë strategjike paraqitjen në institucionet më prestigjioze të artit, kulturës e politikës evropiane të Shqipërisë si një vend i orientuar drejt Evropës, pa lënë asnjëherë pas dore krijimin e infrastrukturës dhe mbajtjen në stadin më të lartë të institucioneve aktuale të artit e kulturës, duke ua krijuar mundësinë artistëve e kulturbërësve të krijojnë vepra të një cilësie të lartë.
3 – nxitja në vend i aktiviteteve artistike që kanë si bazë nxitjen e dialogut rajonal e ndërajonal të vlerave të përbashkëta kulturore
Këto ishin disa ide të miat mbi atë se si duhet të orientohen politikat kulturore në të ardhmen dhe si ato do të vihen në shfrytëzim të integrimit evropian të vendit. Sic thashë, janë ide mbi të ardhmen dhe, nëse do t´i kthehesha kujtesës, atë të kohës së realizimit të ciklit tim të pikturave me temë “kujtime nga e ardhmja” patjetër që do të më kujtohen dhe disa ide të kancelarit austriak Alfred Gusenbauer i cili në këtë kuadër do t’më shkruante se “…tashmë, në shumë nga vendet e Evropës Jug-lindore ekziston një perspektivë evropiane… Bashkimi Evropian duhet që në vitet e ardhshme të bëhet për të gjithë një realitet dhe po aq normal sa u bë Vjena shtëpia e Fate Velaj. Detyra e artit është dhe duhet të jetë që këtë proces të evropianizimit ta mbajë mbi shpatulla dhe mbi të gjitha ta shohë atë me sy kritik. Arti nuk përben vetëm realitetin, por ai e rikrijon atë…”.
Realizimi i ketyre ideve është nje “work in progress” dhe burimi i tyre janë ndjenjat që burojnë nga shpirti. Këtu mua me duhet të sjellë në vëmendje një evropian të madh, Jacque Dellors i cili në Parlamentin Evropian do ta lëshonte thirjen “une ame pour l´Europe” (t´i japim një shpirt Evropës).
Dhe nëse Dellors do të bënte këtë thirrje, unë, me bindje të plotë dhe zë të lartë do të thosha: “t´i kthejmë shpirtin Shqipërisë”
Pergezime Fate Velaj!
I duhet Ky ShPIRT Shqiperise!
Bukur fare dhe klas !