Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ka thënë se në takimin katërpalësh në Gjenevë është arritur pajtueshmëri për uljen e tensioneve në Ukrainë. Ai ka thënë se katër palët janë pajtuar për të kërkuar që të gjitha grupet e armatosura ilegale në Ukrainë të shpërbëhen, ndërsa ato që kanë uzurpuar ndërtesat qeveritare t’i lirojnë ato dhe të përmbahen nga dhuna. Lavrov ka thënë se thirrja për shpërbërjen e grupeve të armatosura ilegale duhet të aplikohet për të gjitha grupet në Ukrainë, përfshirë edhe ato që kanë mbështetjen e autoriteteve të reja në Kiev.
Ai ka përmendur në veçanti grupin nacionalist ukrainas Sektori i Djathtë.
Lavrov i ka bërë këto komente pas takimit në Gjenevë me përfaqësues të Qeverisë së re të Ukrainës, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.
Bisedimet janë mbajtur në përpjekje për të qetësuar krizën, pas uzurpimit të ndërtesave publike në lindje të Ukrainës, nga grupet pro-ruse.
Lavrov po ashtu ka thënë se dokumenti i katër palëve bën thirrje që të gjithë të arrestuarit gjatë trazirave të fundit në Ukrainë, të lirohen.
Ai ka thënë se dokumenti thekson se ukrainasit vetë duhet të marrin përgjegjësinë për zgjidhjen e tensioneve në vendin e tyre.Lavrov ka thënë se Rusia nuk ka dëshirë të dërgojë trupa në Ukrainë.
SHBA do të dërgojë ndihmë më të madhe për Ukrainën
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Chuck Hagel, ka thënë se Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë më shumë mbështetje ushtarake jovdekjeprurëse për Ukrainën.
Hagel ka thënë se ndihma do të përfshijë furnizime mjekësore, helmeta, njësi për pastrimin e ujit dhe gjeneratorë të energjisë.
Shtetet e Bashkuara kanë dërguar më herët furnizime, të tilla si ushqimet e gatshme për Ukrainën.
Megjithatë, zyrtarët amerikanë kanë thënë se nuk kanë plane për të dërguar armë dhe municion për ushtrinë e Ukrainës.
Hagel ka folur në një konferencë për gazetarë në Pentagon.