Pak pas takimit të Komisionerit për Zgjerimin, Stefan Fyle, me liderin e opozitës, Rama, Partia Socialiste ka shpërndarë një komunikatë zyrtare me detajet e takimit dypalësh. Në njoftimin e shpërndarë nga zyra e shtypit e Partisë Socialiste thuhet se Rama dhe Fyle kishin temë qendrore të bisedimit fatin europian të Shqipërisë para dhe pas zgjedhjeve të 23 qershorit.
Gjatë takimit, komisioneri Fyle ka folur mbi çështjet kyçe të funksionimit të shtetit dhe çfarë duhet bërë konkretisht, në mënyrë që zgjedhjet e ardhshme parlamentare të mos cenohen si në të shkuarën. “Të dy palët u dëgjuan, me shqetësim, për gjendjen e demokracisë dhe shtetit të së drejtës në vigjilje të zgjedhjeve parlamentare”, thuhet në njoftim. Më tej, PS bën të ditur në njoftimin për mediat se gjatë takimit, kryetari Rama ka paraqitur disa propozime konkrete që garantojnë zgjedhje të lira e të ndershme. “Kryetari Edi Rama paraqiti propozime konkrete, për të garantuar lirinë e ndershmërinë e zgjedhjeve dhe për të siguruar që pas 23 qershorit Shqipëria të jetë e çliruar nga pengesat e mëparshme”, bën të ditur zyra e shtypit të PS-së.