Ja që vlonjatët s’janë aq të ftohtë sa duken. Të paktën kështu thotë Ilir Metaj, drejtor i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në Bashkinë e Vlorës. Duke folur për gazetën “Dita” në një intervistë pak jashtë politikës, por sërish brenda problemeve, Metaj thotë se njerëzit e qytetit të tij kanë zemër të madhe. Me pak humor ai kërkon të tregojë edhe shpirtin vlonjat, ndërsa pikërisht duke folur në këtë drejtim, thotë se të rinjve të sotëm u mungon shpirti rebel. Dhe jo vetëm në Vlorë…
1.Shumë shpesh, në anekdotat e treguara, thuhet se në Vlorë kamerieri të sheh sikur i ke zënë lokalin dhe se vlonjatët bëjnë sikur e kanë detin të tyre… Duke qenë se shakaja është gjysma e së vërtetës, mendoni që kjo gjë ka ndryshuar në vitet e fundit të Vlorë?
Cila është pyetja rezervë…? Nejse, shaka. Në fakt anektodat, sidoqoftë, krijohen mbi një përqindje (sado të vogël) të së vërtetës. Pastaj kuptohet që kanë dhe dozën e nevojshme të ekzagjerimit (në këtë rast goxha e madhe) për ta bërë atë sa më zbavitëse.
E vërteta është që për shkak të karakterit dhe të krenarisë së fortë, vlonjatët në përgjithësi e kanë të vështirë të “pranojnë të urdhërohen” dhe në kontakt të parë të japin idenë e njerëzve të ftohtë e të vështirë. Por është gjithashtu mjaft e vërtetë që vlonjatët kanë një zemër të madhe, dinë të respektojnë miqtë dhe përtej “ftohtësisë” së kontaktit të parë, dinë të falin ngrohtësi mbresëlënëse. Kushdo që vjen në Vlorë, dashurohet me qytetin, kuzhinën e pasur, vitalitetin e njerëzve, natyrën, detin, por patjetër edhe me djemtë e vajzat e Vlorës. Jo me kot edhe slogani ynë është “Je në Vlorë! Është e lehtë të dashurohesh…”
Përsa i përket asaj që ne sillemi sikur deti të jetë yni… Pse, nuk është yni ?! 😉
2. Thonë se shqiptarët nuk kanë mësuar ende ç’është turizmi…
Që një vend me resurse të shumta turistike (siç është edhe Shqipëria) të jetë destinacion turistik afatgjatë, varet kryesisht nga politikat që ndjek qeveria në këtë drejtim. Për fat të keq, e vetmja gjë e përbashkët që kanë qeveritarët tanë me turizmin është vetëm fakti që ata janë… turistë! Asgjë më shumë.
Është e vërtetë që mundësitë që kemi për të qenë një destinacion turistik i suksesshëm janë vërtet të shumta! Por është gjithashtu e vërtetë që edhe diamanti kur punohet nga amatorë e humbet vlerën.
Turizmi shqiptarë është thjesht një realitet “tërhiq e mos e këput”! demagogjia turistike e përdorur nga qeveria tashmë duket më qesharake se kurrë! Por sidoqoftë ajo i shërben qeverisë për të mbuluar dështimin e turizmit shqiptar, aq sa i shërben strucit të fusë kokën në rërë që të fshihet.
3.Rinia dhe jeta kulturore… Duke përjashtuar Tiranën, si kryeqytet, shohim se në qytetet e tjera të Shqipërisë, fatkeqësisht ka një jetë të vakët kulturore dhe shumë pak aktivitete për rininë…
Nëse bëhet një krahasim me Tiranën, kjo është e vërtetë, por patjetër edhe normale. Tirana është kryeqyteti-metropol ku janë përqendruar jo vetëm bizneset më të mëdha, por edhe institucionet shtetërore, shoqatat, ambasadat, Qyteti Studenti, një numër i madh universitetesh private etj. Sigurisht që ka avantazhin të jetë qyteti më i rrëmujshëm. Megjithatë, duhet thënë se gjatë sezonit veror ky raport ndryshon dukshëm në favor të Vlorës!
4. Një kinema në Vlorë… mungon! Keni projekt për një të tillë?
Kinemaja është biznes. Në çdo vend të botës kinematë janë biznese private. Ajo që bashkia mund të bëjë në këtë drejtim është të lehtësojë procedurat dhe mbase edhe taksat për çdo subjekt privat që kërkon të investojë në biznesin e kinemasë. Këtë gjë Bashkia Vlorë ka qenë dhe është e gatshme ta bëjë në çdo rast. Por fatkeqësisht deri më sot asnjë subjekt privat nuk është treguar i interesuar të investojë në biznesin e kinemasë, në qytetin e Vlorës.
Sidoqoftë, me përjashtim të Tiranës, që ka 2-3 salla kinemaje relativisht të vogla (edhe pse është qytet me gati 1 milionë banorë), qytetet e tjera janë edhe ato pa kinema. Një nga shkaqet kryesore që e vështirëson biznesin e kinemasë është patjetër edhe pirateria, që prej vitesh luëezon e lirë “nën hundën” e një qeverie të paaftë edhe në këtë drejtim.
5. Mendoni se mungesa e aktiviteteve për të rinjtë ndikon në formimin e tyre dhe si rrjedhojë edhe në brezin që po rritet në Shqipëri?
Pa përjashtuar detyrimin që kanë institucionet shtetërore në edukimin e brezit të ri me politikat e tyre jo vetëm kulturore, por edhe arsimore, sportive e më gjerë, duhet thënë se rinia duhet të mbajë gjallë “shpirtin rebel”! Është pikërisht ky “shpirt rebel” që duhet ta bëjë atë të ecë vrullshëm përpara, pa pritur që qeveria “të vërë dorën në zemër” për të. Aq më tepër kur ka të bëjë me një qeveri që është shumë larg botëkuptimit të saj e që nuk di të bëjë asgjë tjetër përveçse t’i bëhet “ferrë nëpër këmbë” në rrugën drejt së ardhmes.
Ka mjaft për të thënë për arsimin, kulturën, sportin, integrimin etj, po une po ndaloj vetëm në një fakt, të vogël, por domethënës: muzika rock!
E keni vënë re mungesën e saj në Shqipëri. Duke përjashtuar Top Channel e Top Gold Radio, muzikën rock nuk e dëgjon apo shikon në asnjë nga mediat me zë apo figurë kombëtare a lokale! E pra, muzika rock ka qenë dhe është simboli i “shpirtit rebel” të rinisë, që ka përmbysur sistemet diktatoriale në gjithë botën. Këngët e “Pink Floyd”, “Scorpions”, “Rolling Stones”, “Metallica” etj. kanë shoqëruar e vazhdojnë të shoqërojnë revolucionet e të rinjve të gjithë botës, në luftën ndaj së vjetrës dhe kanë mbajtur ndezur pikërisht atë, “shpirtin rebel” që është trashëguar brez pas brezi si simbol i brezit të ri!
Është për të ardhur keq fakti që në koncertin e legjendarëve Def Leppard apo “Ëhitesnakes” (që në gjithë botën mbushin stadiumin, në Tiranë kishte më pak të rinj sesa në lokalet ku dëgjohet “tallava”.
Brezi i ri duhet të flakë tutje “tallavaizimin” që po i zë vendin ”shpirtit rebel” ! Rinia shqiptare duhet të rilindë në çdo drejtim e të marrë në dorë të ardhmen që…
“…Malit, që hesht, mu në zemër me ia njesh!
Ta shof si dridhet nga grusht’ i paligjshëm…
E unë të kënaqem, të kënaqem tu’ u qesh.” Migjeni
Duket se kompjuteri dhe interneti ka zëvendësuar të gjithë jetën sociale të të rinjve. Si e shihni përfshirjen e shumicës në një bashkëbisedim virtual? Mendoni se ka një ndikim pozitiv apo negativ (apo të dyja)?
Interneti dhe rrjetet sociale kanë padiskutim vendin e tyre të rëndësishëm në botën ku jetojmë. Sigurisht që është një mënyrë alternative mjaft efikase për të marrë e dhënë informacion. Problemi është kur krijohet varësi, duke bërë që të rinjtë të zhyten në një realitet të gënjeshtërt virtual me objektiva virtuale. Interneti, rrjetet sociale kanë patjetër ndikim pozitiv nëse vihen në shërbim për realizimin e objektivave reale!
Megjithatë jetojmë në kohën kur pikërishtë këtë vit në Teksas, SHBA, do të hapet biblioteka e parë në botë, ku në vend të librave do të ketë komjutera. Sigurisht që nëse lexon Remarkun duke “shfletuar” monitorin e ngurtë, të ftohtë e “cinik” të komjuterit, nuk mund të ndjesh emocionet, intensitetin dhe “ngrohtësinë” e faqeve të librit… Por ja që jetojmë në kohën kur “Fast-Food” është në modë. Pra, do na duhet “të përballemi” edhe me “kulturën” Fast-Food. Zgjedhja është e jona…
Ku mendoni se mbaron përgjegjësia e familjes dhe ku fillon përgjegjësia e qeverisë për edukimin e brezit të ri?
Mendoj se përgjegjësia e familjes nuk mbaron asnjëherë! Përgjegjësia e qeverisë fillon kur ajo bëhet e papërgjegjshme! Ndërsa një qeveri të papërgjegjshme brezi i ri duhet ta rrëzojë!
E ke thene si duhet shoku. Jemi ber popull gabel. Nuk ka me kitare. Ka vetem klarinete. Prandaj edhe Saliu vazhdon sulltan. RockForever !
po ky idiot